Tu e lexu qitash
“Filmat më mësuan se komuniteti LGBTQ+ dhe identitetet e besimit fetar nuk mund të mund të jenë në përputhshmëri – por kjo nuk ishte e vërtetë”

“Filmat më mësuan se komuniteti LGBTQ+ dhe identitetet e besimit fetar nuk mund të mund të jenë në përputhshmëri – por kjo nuk ishte e vërtetë”

“Shumë filma rreth komunitetit LGBTQ+ më bënë të ndihem sikur pritej që të hiqja dorë nga feja ime,” shkruan A.G ambasador i “Just Like Us*”.

Krejt njerëzit kërkojnë përfaqësim të denjë, por personat e komunitetit LGBTQ+ e kërkojnë atë gjë më fort se shumica. Ne kërkojmë ta gjejmë atë në çdo mënyrë që mundemi – të paktën për vete e di që e kam kërkuar, dhe jam përpjekur ta gjej përmes filmit. Por gjatë rritjes sime, përfaqësimi i komunitetit LGBTQ+ ishte i pamjaftueshëm për të thënë më të paktën, e edhe ata filma që përfshinin narrativa rreth komunitetit LGBTQ+ shpesh patën një ndikim negativ tek unë.

Sigurisht që është gjithmonë e rëndësishme t’iu jepet zë përvojave të jetuara të njerëzve LGBTQ+, por më shqetësonte kur shihja se sa shpesh komunitetet fetare prezantoheshin si thelbësisht kundër komunitetit LGBTQ+, dhe se si besimi fetar shfaqej si diçka që duhej sulmuar. 

Kjo më frikësonte sa isha fëmijë i vogël, e më frikëson akoma edhe si adoleshent. I shihja këta filma, duke mos e kuptuar siç duhet identitetin tim në atë kohë, por duke u ndjerë që në qoftë se do të më ndodhte të isha pjesë e komunitetit LGBTQ+, bota rreth meje nuk do të më kuptonte.

Unë jam rritur në një mjedis kulturalisht islamik dhe pavarësisht faktit që nuk e praktikoj fenë rregullisht, kjo nuk e mohon marrëdhënien shumë të vërtetë që e kam me idealet thelbësore të besimit tim. Shumë filma rreth komunitetit LGBTQ+ më bënë të ndihesha sikur pritej që të hiqja dorë nga feja ime, se besimi dhe të qenit person që i përket komunitetit LGBTQ+ ishin në mënyrë reciproke përjashtuese.

Filmi i parë që e mbaj mend të m’i ketë sjellur këto mendime ishte filmi madhështor “Brokeback Mountain” (2005). Një element i filmit që pati vërtetë ndikim tek unë ishte konteksti fetar. Megjithëse ngjarja në film ndodhte midis viteve 1960 e 1980, dhe ishte filmuar në pjesën rurale në Wyoming, SHBA – që ndryshonte mjaft nga rritja ime në zonën urbane të Londrës Lindore – prapë se prapë mund të bashkëndjeja me mënyrën se si përdoreshin narrativat fetare të shoqërisë kundër personazhit kryesor Ennis del Mar (Heath Ledger).

Ennisi shfaq përbuzjen e tij ndaj shkrimeve fetare biblike që ishin përdorur kundër tij, duke i përshkruar në një moment të filmit me frustrim si “that fire and brimstone crap (llomotitjet për shiun me zjarr dhe squfur)”*. Kjo frazë lidhet me një storie nga Bibla me dënimet e marra nga njerëzit banues në Sodoma dhe Gomorra, storie e cila nga disa është përdorur historikisht për të justifikuar diskriminimin ndaj personave LGBTQ+ (edhe pse shumë studiues dhe mendimtarë thonë se shkrimi është keqinterpretuar dhe përkthyer gabimisht). Ennisi e vendos veten në pozitën e të qenit thelbësisht kundër fesë, kryesisht për shkak të mënyrës se si shkrimet fetare u përdorën kundër tij dhe mënyrës se si kjo e bëri atë të ndihej.

Një tjetër film që pati ndikim në mënyrën se si mendoja rreth besimit fetar dhe të qenit LGBTQ+, dhe që ishte më i ngjashëm në kontekst me përvojën time jetësore, ishte filmi “My Brother the Devil” (2012). Personazhi kryesor, Rashid (James Floyd), është rritur në një ndërtesë sociale në Londër, në një familje emigrantësh myslimanë, dhe është në luftë me veten sa i përket përmbushjes së pritshmëritve kulturore si burrë dhe ndjenjave të tij romantike për të njëjtën gjini.

Një moment nga filmi që më ka mbetur në mendje është kur vëllai i Rashidit i thotë atij se do të preferonte që ai më përpara të ishte terrorist sesa homoseksual. Për vëllanë e tij, fakti se Rashidi ishte homoseksual, ishte gjëja më e keqe që ai mund të jetë, identiteti dhe shprehja e tij thelbësore ishin më të dëmshme sesa dhuna dhe dëmi real në botën që jetojmë. Imagjinoni të jeni fëmijë ose adoleshent në këtë botë dhe të ndiheni sikur ekzistena juaj është thelbësisht “gabim” ose “e rrezikshme” bazuar në atë që thjesht jeni.

Hulumtimet nga Just Like Us kanë treguar se të rinjtë LGBTQ+ kanë tre herë më shumë gjasa t’i shkaktojnë vetes lëndime, dhe dy herë më shumë gjasa rreziku të vuajnë nga depresioni, ankthi dhe sulmet e panikut sesa bashkëmoshatarët e tyre që nuk i përkasin komunitetit LGBTQ+. Kjo tregon vështirësitë që përjetojnë shumica e të rinjëve LGBTQ+ teksa përpiqen të zhvillojnë identitetin e tyre në këtë botë heteronormative, dhe këto beteja mund të përkeqësohen nëse feja dhe të qenit LGBTQ+ shihen si në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Është e vërtetë që këta filma përfaqësojnë realitete që kanë ndodhur e me të cilat janë përballur disa persona LGBTQ+, por nuk e përçojnë figurën e tërësishme të krejt ndodhive. Ka hapësira fetare të cilat e pranojnë komunitetin LGBTQ+, dhe ka numër të madh të njerëzve që janë fetarë e poashtu janë LGBTQ+ dhe janë aleatë të komunitetit tonë. Një vlerë e përbashkët  dhe e përzemërt e të gjitha feve të mëdha është: “Mos gjykoni”. Unë besoj se kjo vlerë është bindje në të cilën duhet bazuar jetesa. 

Një studim i fundit nga Just Like Us tregoi se një e treta e mësimdhënësve e shohin fenë si pengesë për të diskutuar çështjet LGBTQ+ nëpër shkolla, por kjo pengesë mund të hiqet nëpërmjet njohurive dhe përfaqësimit të denjë.

Nëse jeni person fetar që e po e lexoni këtë shkrim, dijeni se mund të luani rol të rëndësishëm në ndryshimin e narrativës rreth identiteteve LGBTQ+ dhe fesë. Bëjeni të qartë për njerëzit në jetën tuaj se të qenit LGBTQ+ dhe të qenit besimtar është e mundshme dhe se këto dy aspekte mund të jenë në përputhshmëri me njëra-tjetrën. Ndërkohë që përvojat e jetuara të komunitetit LGBTQ+ duhet të vazhdojnë të shfaqen përmes filmit, shpresoj që një ditë të ketë filma që shpërfaqin përfshirjen dhe pozitivitetin mahnitës që mund të gjendet brenda hapësirave fetare për komunitetin LGBTQ+. Por që kjo të ndodhë, duhet të punojmë fort në këtë drejtim.

A.G është ambasador shqiptar në Just Like Us – organizatë bamirëse për të rinjtë LGBT+.

*Just Like Us – organizatë bamirësie për të rinjtë LGBT+, që punon me shkollat dhe të rinjtë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar për të siguruar që personat LGBT+ të kenë sukses në jetë.

*That fire and brimstone” – kërcënimi i shkuarjes në ferr, dënimi që zgjat përgjithmonë pas vdekjes sipas një shkrimi në Bibël, në Zanafillën 19, ku Perëndia shkatërron qytetet Sodoma dhe Gomorra me një shi zjarri dhe squfuri.

Artikulli fillimisht është publikuar në revistën Gay Times , dhe është përkthyer nga Dylberizm.

Kqyre edhe qito
Scroll To Top