Tu e lexu qitash
Nënkryetari i Stokholmit proteston kundër thirrjeve të opozitës lidhur me orët e programit të leximeve drag në bibloteka

Nënkryetari i Stokholmit proteston kundër thirrjeve të opozitës lidhur me orët e programit të leximeve drag në bibloteka

Nënkryetari i Stokholmit, Jan Jönsson e përshkruan veten si një “pëlhurë” për t’i thirrur vëmendjen kërkesave të demokratëve suedezë për të ndaluar orët e programit të leximit nga mbretëreshat drag.

Me një paruke të madhe ngjyrë të verdhë, buzëkuq të ndezur ngjyrë vishnje, taka të larta dhe me një fustan veror, nënkryetari i Stokholmit, Jan Jönsson nuk ngjan aspak me foton në posterin e fushatës së tij ku dukej si burrë i moshës së mesme, me syze, me vijën e flokëve në rënie, i veshur me një xhaketë të thjeshtë.

Politikani 45-vjeçar i Partisë Liberale e ndjeu të nevojshme të vishej si drag queen për të treguar mbështetjen e tij për ngjarjet që janë pjesë e programit të leximit në bibliotekat publike të kryeqytetit suedez të organizuara nga performuese të artit drag, të cilat në këto javët e fundit janë sulmuar nga Demokratët e Suedisë* të ekstremit të djathtë.

“Çka kuptova ështe se vërtet dhemb të jesh drag queen sepse duhet të veshësh korset, dhe vetëm bërja e grimit zgjati dy orë, dhe unë nuk mund të haja, të pija apo të shkoja në tualet për gjashtë orë rresht!” tha Jönsson për Euronews.

Duke qenë dikush që nuk ishte veshur asnjëherë më para si mbretëreshë drag, Jönsson kërkoi ndihmë profesionale nga Admira Thunderpussy, fituesja e sezonit të parë e garës së reality show-it Drag Race Sverige që u transmetua në televizion në Suedi këtë pranverë.

Por një mesazh shumë serioz përçohej përtej skenave të argëtimit që Jönsson kishte shijuar gjatë sesionit të fotografive dhe inçizimit të një videoje.

“Në përgjithësi jemi duke parë një situatë të përkeqësuar për personat LGBTQ+, por në veçanti ndaj personave transeksualë. Dhe unë mendoj se lëvizja e krahut të djathtë po përpiqet të përdorë këto orë të programit të leximit nga performueset drag për të shtrirë sulmin deri tek i gjithë komuniteti LGBTQ+,” shpjegon Jönsson.

“Ne kemi parë gjithashtu përpjekje nga demokratët suedezë në nivel komunal për të ndaluar këto lexime në bibliotekat publike kryesisht në jug të Suedisë, por ka edhe disa shembuj të tillë në veri.”

Bibliotekat publike të Stokholmit filluan për herë të parë të organizonin orët e leximit drag në vitin 2017, dhe Jönsson thotë se në atë kohë nuk kishte “fare debat” për këtë.

Kjo situatë ndryshoi vjeshtën e kaluar kur disa ngatërrestarë nga ekstremi i djathtë filluan përpjekjet e tyre për t’i penguar ngjarjet me tematikë të artit drag në biblioteka dhe në një teatër të Stokholmit.

“Kjo lëvizje është tejet shqetësuese për shoqërinë suedeze.”

“Dhe unë jam shumë i shqetësuar se këto lloj lëvizjesh do të vazhdojnë të vijnë nga Shtetet e Bashkuara” – ku disa shtete kanë miratuar së fundi ligje që ndalojnë ngjarjet e artit drag për fëmijët – “dhe le që kjo rrugë kulturore do të jetë e ndaluar me ligj, por me atë edhe vetë liritë tona. Dhe kjo është arsyeja pse unë desha ta bëj protestën time për të mbështetur artin drag”.

Demokratët e Suedisë kanë historik të përzier kur bëhet fjalë për mbështetjen e të drejtave të pakicave seksuale ose gjinore, dhe të drejtat e grave.

“Pyetjet rreth komunitetit LGBTQ+, dhe veçanërisht çështja e transgjinorëve, sjellin tensione ideologjike për partinë, midis mbrojtjes së ‘vlerave perëndimore’ për të drejta të barabarta për pakicat seksuale dhe mbrojtjes së roleve gjinore dhe identiteteve seksuale të njohura tradicionalisht,” tha për Euronews Pontus Odmalm, një suedez që ligjëron Politikë në Universitetin i Edinburgut.

Disa demokratë suedezë i kanë kushtuar vëmendje kauzës së barazisë duke folur për të, por në të vërtetë në vepra kanë qëndruar ndryshe, sidomos sa i përket jotolerancës ndaj grupeve të emigrantëve myslimanë.

Megjithatë, partia së fundmi ka sinjalizuar një zhvendosje nga qëndrimi kundër imigracionit në diçka që ngjan më shumë me luftën kulturore të stilit amerikan.

Një debat televiziv muajin e kaluar mori kthesë të çuditshme kur udhëheqësi i Demokratëve të Suedisë, Jimmie Åkesson, nisi një sulm kundër drag performueseve.

Ai tha se ishte “absolutisht çmenduri” që një performuese drag e quajtur Miss Shameless Winehore paguhej për t’u lexuar tregime fëmijëve si pjesë e programit të orëve drag në bibliotekë.

Demokratët e Suedisë nuk janë vetëm brenda qeverisë, por janë një nga katër partitë që qeverisin shtetin dhe kanë zë në secilën pjesë të rëndësishme të legjislacionit dhe politikës.

Kqyre edhe qito

Ndoshta çuditërisht, një nga partitë e tjera në koalicionin e qeverisë është partia Liberale e Jan Jönssonit, megjithëse ai mbahet me një krah të partisë së tij që i shmanget bashkëpunimit me të djathtën ekstreme.

“Unë nuk do t’i quaja Demokratët e Suedisë  aleatë të liberalëve. Këtu në Stokholm, ne ende po mbajmë qëndrimin që nuk do të bashkëpunojmë kurrë me Demokratët e Suedisë sepse mendojmë se ata nuk kanë pikëpamjet e duhura rreth barazisë, dhe nuk kanë pikëpamje të mira as për komunitetin LGBTQ+”, shpjegon ai.

Pra, cili ka qenë reagimi ndaj protestimit magjepsës të Jönsson-it? Ai tha për Euronews se është i “vërshuar emocionalisht” nga reagimet në mediat sociale deri më tani.

Nënkryetari i Bashkisë së Stokholmit Jan Jönsson grimoset gjatë transformimit të tij drag, qershor 2023 – Robin Bäckman.

“Ka pasur shumë dashuri dhe mbështetje, dhe unë e ndjej se shumë njerëz në Suedi kanë pritur një mundësi për të shprehur mbështetjen e tyre për lirinë e shprehjes dhe për të drejtën e vetëshprehjes.”

Ka pasur gjithashtu reagime të vrazhda, me komente nga njerëzit që Jönsson i përshkruan si “grupe të urrejtjes” duke postuar në kanalet e tij të rrjeteve sociale. Ai ka arritur të fshijë shumë prej tyre, por disa janë ende të dukshme, duke akuzuar performueset drag se luajnë fantazitë e tyre seksuale me fëmijët e vegjël dhe i joshin ata.

“Kam marrë shumë emaile ku plot njerëz shkruajnë se kjo është e rëndësishme dhe se kanë qenë duke pritur për një kohë të gjatë që dikush të ndërmarrë hapa në këtë drejtim sepse ky debat është ashpërsuar mjaft tashmë”, thotë ai.

Deri më tani, Jan Jönsson nuk ka emër të vetin si drag performuese, sepse nuk e konsideron veten “një mbretëreshë të vërtetë drag”.

“Unë e konsideroj veten më shumë si një kanavacë që Admira Thunderpussy e ka përdorur për të shprehur artin e saj. Por ju nuk është e nevojshme të visheni si drag queen për të treguar mbështetjen tuaj. Mund të jetë edhe më e rëndësishme të flisni me fqinjët dhe me kolegët në punë dhe ta bëni të qartë qëndrimin tuaj, se ju e mbështetni lirinë e shprehjes”.

* Demokratët e Suedisë – është një parti politike populliste nacionaliste e krahut të djathtë në Suedi. Partia e përshkruan veten si social-konservatore me bazë nacionaliste.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top