Tu e lexu qitash
Jemi të harruar; çfarë do të thotë të jesh interseks?

Jemi të harruar; çfarë do të thotë të jesh interseks?

Dokumentari Every Body” eksploron historinë e vështirë të mjekësisë  dhe stigmën e detyruar të ndryshimeve në jetën e tre amerikanëve interseks.

Shfaqet një balon me konfeta ngjyrë rozë. Një mini raketë lëshon pluhur me ngjyrë të kaltër. Një armë qëllon një kuti që përmban eksploziv ngjyrë rozë . Every Body, një dokumentar i ri që përcjell tre amerikanë interseks, filllon me fragmente të një rituali të çuditshëm, por të  njohur: zbulimi i gjinisë, në të cilin njerëzit befasojnë miqtë dhe familjen me ngjyrë rozë ose kaltër. Të gjitha videot përfshijnë bërtima gëzimi –   njerëz që ngatërrojnë festimin e jetës së re me një konfirmim të binarit gjinor.

Siç pretendon fuqishëm dokumentari Every Body, një theksim i tillë përveç që është i parëndësishëm për fëmijët e vegjël, është edhe pasaktë për spektrin e gjerë të trupave njerëzorë. Ekspertja e çështjeve rreth personave interseks Dr.Katharine Dalke shpjegon se; Është e mundur të jesh femër biologjike me testikuj dhe një mashkull biologjik me mitër, mes shumë variacioneve të tjera midis dy sekseve. Rreth 1.7% e njerëzve janë interseks, një term ombrellë për çdo ndryshim brenda tipareve seksuale të një personi, duke përfshirë organet gjenitale, hormonet, anatominë e brendshme ose kromozomet. (Në krahasim, kjo është përafërsisht e njëjta përqindje e njerëzve të lindur me flokë ngjyrë të kuqe.) Disa tipare janë të pranishme në lindje, ndërsa të tjerat zhvillohen natyrshëm me kalimin e kohës, dhe 0.07% e njerëzve – ose rreth 230,000 amerikanë – posedojnë tipare aq të dukshme sa mund të referohen për operacion.

Jo se shumica e amerikanëve janë të vetëdijshëm për dallime të tilla, për shkak të dezinformatave për njerëzit interseks, një përfaqësim dhe jo aq i mirë, gati jo ekzistent dhe presionit të përhapur ndaj personave interseks për të heshtur. “Unë do të thoja, në përgjithësi, 80-90% e njerëzve ndoshta nuk mund t’ju thonë lehtësisht se çfarë do të thotë të jesh interseks,” tha River Gallo, një aktivist interseks që shfaqet në film. “Më shumë njerëz po përdorin akronimin LGBTQIA, por gjithsesi – nëse do të pyesni njerëzit se për çfarë qëndron shkronja “I” , përgjigja do të ishte ‘çfarë do të thotë kjo?’”.

Every Body, me regji të Julie Cohen (bashkëregjisorja e dokumentarit RBG, fitues i çmimit Oskar në 2018  përcjellë tre aktivistë interseks: Alicia Roth Weigel , një këshilltare politike dhe shkrimtare që jeton në Austin, Teksas; Sean Saifa Wall , një doktorant i rritur në Bronks, që jeton në Mançester, Angli; dhe Gallo, një aktor dhe regjisor nga Nju Xhersi, tash me bazë në Los Anxhelos. Që të tre/trijat iu nënshtruan operacioneve të pavullnetshme e të panevojshme nga pikëpamja mjekësore në rininë e tyre.Ky është trajtimi mjekësor standard për njerëzit interseks, nën supozimin se jeta brenda një binari artificial seksi do të ishte e preferueshme. (Kombet e Bashkuara dënuan procedura të tilla të pakthyeshme, të bëra për të “normalizuar” organet gjenitale nën maskën e parandalimit të turpit të të jetuarit në një trup “abnormal”, në 2013.)

Dhe të tre/trijat u rritën me pritshmëri të fshehtësisë, turpit dhe stigmës – dallimet e tyre u paraqitën  si një kërcënim potencial për lumturinë dhe sigurinë në të ardhmen, në vend që të shihen si pjesë e një komuniteti apo historie kolektive të njerëzve interseks. “Flasin me ne, me këto terma hiper-mjekësor, patologjizues që na bëjnë të mendojmë se diçka nuk është në rregull me ne dhe na bën të hezitojmë të gjejmë dikë tjetër, sepse kjo pjesë e jona në thelb është e thyer dhe e turpshme,” tha Weigel, e cila lindi me një vaginë, pa mitër dhe tuba, me teste të brendshme dhe kromozome XY. “Çfarë do t’ju frymëzonte që të kërkoni ndonjëherë njerëz të tjerë si ju?”

Një pjesë e rëndësishme e filmit është se nuk është thjesht një histori dënese , por ka edhe shumë gëzim”, shtoi ajo, duke iu referuar rritjes së identitetit të saj si person interseks dhe evoluimit si aktiviste. Si e re, asaj iu tha se gjendja e saj, sindroma e plotë e pandjeshmërisë ndaj androgjenit, ishte një problem për t’u menaxhuar dhe iu nënshtrua një operacioni për të hequr testikujt e saj, një procedurë e pakthyeshme që kërkon terapi për zëvendësimin e hormoneve gjatë gjithë jetës dhe komplikimet tjera, si osteoporoza; tani 32-vjeç, ajo e kuptoi se ishte person interseks kur i mbushi 27 vjeç, pasi lexoi një profil të modeles belge interseks Hanne Gaby Odiele.

Gallo, 31 vjeç, ka lindur pa testikuj dhe nuk u informua për gjendjen e tyre deri në moshën 12-vjeçare. Gallo kujton vite të tëra duke u shtyrë, duke e trajtuar trupin e tyre me shqetësim dhe frikë. Në moshën 16-vjeçare, Gallo iu nënshtrua një operacioni për të implantuar testikuj protezë. “Në atë kohë, mendova se ishte e nevojshme nga pikëpamja mjekësore, sepse kështu më thanë mjekët,” tha Gallo. Prindërit e Gallos, emigrantë nga El Salvadori, ndoqën shembullin e mjekëve; sado qëllimmirë, mesazhi ishte: ju duhet të rregulloheni. U deshën vite, siç shpjegon Gallo në film, “të përballesha me mllefin që kisha”.

Shpesh, siç shpjegon Every Body, mjekët avokonin për kujdesin e rrënjosur në idealet e ngurta gjinore nën supozimin se ishte në interesin më të mirë të pacientëve/eve. Por, vendime të tilla ishin “një keqkuptim i asaj që mund të ishte mënyra më e mirë për të trajtuar këtë situatë të komplikuar”, tha Cohen. Në një skenë, Wall rishikon të dhënat e tij të lindjes nga viti 1979; për indikatorin e seksit, një gjinekolog fillimisht nënvizoi  në kutinë e  titulluar “me dy kuptime”. Megjithëse lindi pa mitër, sipas të dhënave Wall u caktua me seksin femër për “mirëqenien emocionale të prindërve”. Në moshën 13-vjeçare, ai iu nënshtrua një operacioni për heqjen e herdheve; sipas Wall, nëna e tij pranoi procedurën e panevojshme mjekësore, pasi mjekët në mënyrë të pasaktë e bindën se ishin kancerogjene.

Wall kishte njerëz të tjerë në familjen e tij me të njëjtin variacion, por askush nuk foli për këtë. “Unë mendoj se njerëzit ishin thellësisht të prekur,” tha ai. “Kishte shumë turp, shumë heshtje.

“Unë do jipja gjithçka si një person i ri, queer, interseks, eventualisht transgjinor, për të takuar një person tjetër queer,” tha ai. “Unë kujtoj rininë time dhe nuk i shoh  këta shembuj, nuk i kam pa  ata njerëz që unë aspiroja të isha.”

Versioni i praktikës mjekësore i përjetuar nga Wall, Weigel dhe Gallo – fshehtësia, operacionet në moshë të re, besimi se zgjedhja dhe mbajtja e një seksi do të prodhonte rezultatin optimal – rrjedh kryesisht nga mësimet e një mjeku. Pjesa në mes të filmit gërmon në mësimet e Dr.John Money, një psikolog dhe studiues në Universitetin Johns Hopkins, dhe historinë tragjike të eksperimentit të tij më famëkeq mjekësor. Në vitin 1967, Money mësoi për ekzistencën e dy foshnjeve binjakë në Kanada, njërit prej të cilëve i’u dogj penisi në mënyrë kritike gjatë një synetie të dështuar.

Kqyre edhe qito

Money, ithtar i “teorisë së neutralitetit gjinor”, i cili supozonte se identiteti gjinor u dha kryesisht përmes mësimit social, rekomandoi që djali, i quajtur atëherë Bruce Reimer, t’i nënshtrohej një operacioni për ndryshimin e seksit në femër në moshën 22 muajshe dhe të rritej si “Brenda” së bashku me vëllain e tij binjak, Brian, si kontrollues eksperimenti. Në intervistat e mëvonshme, Reimer kujtoi se ai kurrë nuk besonte se  ishte vajzë; në moshën 14-vjeçare, ai mësoi të vërtetën e operacionit të tij dhe u kthye në jetë si një djalë i quajtur David.

David Reimer nuk ishte interseks, por “suksesi” i “trajtimit” të tij me Money u bë baza për “modelin optimal të rritjes gjinore” për trajtimin mjekësor të personave interseks. Filmi përfshin pamjet e një interviste për lajmet e vitit 1999 ku  Reimer shfaqet i rraskapitur dhe me pamje të përhumbur, në të cilën ai shpreh shpresën se operacionet jo-konsensuale ndaj njerëzve të marrin fund. Ai bëri vetëvrasje në vitin 2004. “Eksperimenti”, ndonëse dekada i vjetër dhe i demaskuar “në fakt kishte çuar në keqtrajtime me dekada të njerëzve interseks që në disa raste vazhdon edhe sot, që sigurisht po ndikon në shumë të tjerë, njerëz që janë gjallë sot”, tha Cohen.

Wall, Weigel dhe Gallo të gjithë avokojnë për masat ligjore për të parandaluar vazhdimësinë e trajtimeve “gjinore optimale: procedura kirurgjikale të panevojshme dhe pa pëlqim për t’i caktuar të rinjtë interseks në një seks binar. Me një ironi mizore, personat interseks janë përfshirë në valën e fundit të legjislacioneve anti-trans në nivel shtetëror që ndalon kirurgjinë për afirmimin e gjinisë për të miturit; të njëjtat masa që ndalojnë procedurat e kërkuara nga të rinjtë transgjinorë përfshijnë përjashtime për procedurat pediatrike interseks. “Këto projektligje përfshijnë personat interseks dhe fshijnë personat interseks, gjë që është një tragjedi”, tha Gallo. Siç tha Weigel: “Ne jemi fshirë fjalë për fjalë nga biseda për shuarjen tonë.”

“Ashtu si aktivistët e të drejtave trans, dhe për këtë çështje aktivistët e të drejtave riprodhuese, aktivistët e të drejtave interseks thjesht po kërkojnë të marrin vetë vendimet që kanë të bëjnë me trupat e tyre”, tha Cohen.

E rëndësishme për këtë luftë është njohja. “Një dokumentar si ky është – do të thosha përpara kohës së tij, por është koha e duhur,” tha Gallo. “Është  vonuar”.

Artikulli fillimisht u publikua në The Guardian dhe është përkthyer nga Dylberizm.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top