Tu e lexu qitash
Edona James, nga urrejtja në simpati

Edona James, nga urrejtja në simpati

Kush është Edona James?

Edona James është emri më i përfolur i momentit  për publikun kosovar. Rreth 10 vite më parë, ajo u bë virale përmes storjes së saj në Klan Kosova; si një vajzë transgjinore nga Suhareka. Edhe pse Edona është objektivizuar dhe u portretizua si senzacion, kjo ishte një ndër herat e para pas luftës që dikush fliste hapur rreth të qenit transgjinor nga Kosova. Storja e Edonës kishte marrë vëmendje të jashtëzakonshme me mijëra klikime dhe shumë artikuj dedikuar asaj. Komentet ishin kryesisht transfobike duke nxitur urrejtje dhe madje duke thirrur për vrasjen e saj.

Mediat po ashtu ndikuan në krijimin e një klime të tillë, duke e shndërruar Edonën dhe historinë e saj në senzacion dhe duke e seksualizuar atë për tituj bombastikë që të merrnin më shumë klikime, duke e quajtur atë me emrin e vdekur dhe duke iu referuar me përemra mashkullorë. Ndonëse para 10 viteve gazetarët dhe qytetarët nuk kishin shumë informacione, me terminologji të gabuar dhe tendencë për ta limituar qenien e Edonës veç në organin e saj seksual apo seksualitetin e saj dhe duke krijuar tituj bombastikë, ato (mediet)  kanë lënë gjurmë në trajtimin publik të çështjeve LGBTIQ+. Si rrjedhojë, për një kohë të gjatë nuk kishte personat LGBTIQ+ të pranishëm në media. 


Ky nuk është një rast i izoluar në Kosovë, pasi që mediat në tërë botën shpesh ‘senzacionalizojnë’ personat LGBTIQ+ dhe një qasje e tillë asgjësuese është tejet problematike dhe nuk ndihmon në ndërgjegjësimin e duhur publik në lidhje me çështjet e tilla.

Qysh prej atëherë, Edona edhe pse  jetonte në Gjermani, faktorizohej edhe në Kosovë kryesisht përmes lajmeve rozë, të cilat shpesh diskutonin për lidhjet e saj me futbollistë të njohur gjerman. Disa vite më parë, mediat në Kosovë flisnin edhe për vdekjen e saj si rezultat i një sëmundjeje. 

Së fundmi, Edona u bë pjesë e edicionit të dytë të reality show më të ndjekur, Big Brother VIP Kosova. Si një ndër 20 pjesëmarrësit e kësaj gare televizive, Edona morri vëmendje të madhe në publik. Ndonëse edhe në edicionin e parë kishte dukshmëri queer me hyrjen e mbretëreshës drag Victoria Owns, e cila përveç të qenit drag foli publikishit edhe për biseksualitetin e vet, hyrja e Edonës është historike në vete. Kjo sepse e bën atë transgjinoren e parë që bëhet pjesë e një gare të tillë televizive dhe te dashur nga publiku.

Dukshmëria në këtë ‘reality show’, i cili sipas organizatorëve ka arritur rreth 240 milionë klikime në të gjitha platformat në internet për vetëm dy javë, është tejet i rëndësishëm dhe i nevojshëm. Duke qenë pjesë e këtij formati ku ndërveprimi direkt me publikun është i çasshëm për 24 orë, pjesëmarrësit depërtojnë lehtësisht nëpër shtëpitë e gjithësecilit prej qytetarëve. Andaj, duke pasur parasysh nivelin e lartë të homofobisë dhe mungesën e diskutimit publik, sidomos me kahje pozitive të diskursit, rreth çështjeve LGBTIQ+, ky format shërben si mundësi e informimit, edukimit dhe normalizimit të bashkëjetëses. 


Përkundër rëndësisë, mund të themi që personat LGBTIQ+ ende vazhdojnë të mos jenë pjesë diskutimi e as e tryezave të diskutimit kur flitet për ta, përtej kur ata/o përdoren për argëtimin e masës me një përkrahje selektive e ndonjëherë sipërfaqësore, të zhveshur tërësisht nga identiteti i tyre.

Por, Edona nuk është vetëm duke ‘bashkëjetuar’ me familjet kosovare përmes këtij formati. Ajo po simpatizohet jashtëzakonisht shumë nga ata. 

Sinqeriteti i saj, çiltërsia dhe shakatë e saj shumë shpejt filluan të bëhen virale dhe si rezultat ajo fitoi një simpati të madhe në publik. Emri i saj ka arritur mbi 300 milion shikime në rrjetin social Tik Tok dhe pothuajse të gjitha rastet janë me konotacion pozitiv apo duke e shndërruar atë në ‘meme’ për shakatë e saj dhe jo për t’u talluar me të. Ngjashëm, videot e saj në Youtube dhe rrjetet e tjera sociale, si në Instagram dhe Facebook, dalin të jenë tejet të suksesshme dhe me mijëra klikime. Ngjashëm, llogaritë e saj personale arritën trefishimin e ndjekësve që ajo kishte para se të bëhej pjesë e Big Brother VIP Kosova 2. 

Përtej numrave, të cilët pa dyshim se na japin një pasqyrë relevante, simpatia e qytetarëve ndaj Edonës u konfirmua edhe përmes një televotimi publik në javën e dytë ku ajo u zgjedh si më e preferuarja e publikut. Shumë shpesh emri i saj është pjesë e videove në rrjete sociale duke filluar nga  memet e ndryshme me  shprehjet e saj pa sherr, por plot me humor e deri te kënga e saj “Ich bin ne Lady”.

Komentet që para 10 viteve bënin thirrje për vrasjen e saj dhe i dhanë epitete nga më ofendueset, sot janë kthyer në komente kryesisht përkrahëse dhe pozitive. Fatkeqsisht ende ka edhe komente transfobike dhe tendenca për ta mos respektuar identitetin e saj, ndonëse ato janë të vogla dhe mbesin të pakrahasueshme me nivelin e përkrahjes që Edona po merr javët e fundit. 

‘Edona James’ ka qenë etiketë me nënkuptim ofendues që iu është thënë shumë personave LGBTIQ+, sidomos djemëve gej më të feminizuar në kontrast me binarët e gjinisë, sepse ajo ka qenë një ndër personat e parë LGBTIQ+ publik dhe si e tillë, ka qenë asociacioni i të qenit queer. Po ashtu, në diskursin dominues nuk ka hapësirë për ta kontestuar identitetin e saj gjinor sepse të rralla janë komentet që qëllimisht e bëjnë atë. 

Edona në këtë format televiziv ka diskutuar shpesh edhe për përvojën e saj si një vajzë transgjinore duke treguar për historinë e saj, raportin me familjen e sidomos nënën, operacionet e tranzicionit të cilave ajo i ka kaluar me sukseset, historitë e saj të dashurisë etj. Madje, në një episodë të spektaklit, nëna e saj i kishte dërguar asaj një letër mbështetetje duke udhëtuar në raportin e tyre të veçantë. Pa dyshim që ky është rast inspirues dhe edukues për shumë prindër kosovarë. 

Banorët brenda shtëpisë kanë qenë kryesisht të hapur dhe përkrahës të Edonës, ndonëse aty asnjëri nga ata nuk ka pushtet mbi Edonën dhe rrjedhimisht nuk mund ta vendos pjesëmarrjen e saj aty. Përkundër rasteve pozitivie, disa nga banorët kanë pasur edhe komente negative e transfobike, gjë për të cilën është diskutuar në të dy edicionet e këtij ‘reality show’. Po ashtu, vërehet një injorancë nga banorët, të cilët shpesh potencojnë se nuk kanë takuar ndonjëherë ndonjë person LGBTIQ+. Kjo është shumë problematike dhe tregon për një segregim indirekt të shoqërisë dhe një dhunë sistemike që asgjëson personat LGBTIQ+ dhe vendin e tyre në shoqëri.

Po ashtu, disa nga banorët ia kanë thënë vetë Edonës që në fillim kishin paragjykime ndaj saj, por me kohën, kur e kuptuan personalitetin e saj, fillon ta simpatizonin atë dhe ta përkrahnin. Ndër të tjera kjo tregon se një ndër arsyet e nivelit të lartë të homofobisë dhe mungesës së informacioneve të qytetarëve vjen nga neglizhenca e çfarëdo ndërveprimit. Së fundmi, si mund të mos e duash Edonën?! 

Kqyre edhe qito


Gjithashtu, Edona nuk po gjykohet për shkak të identitetit të saj gjinor. Në ndërvetëdije, ky përbën një hap drejtpranimit të personave LGBTIQ+ në sferën publike. 

Edona u shndërrua në ikonë për shkak të karakterit të saj që pa dyshim e bën atë tejet lehtë epiqendër të vëmendjes, për mënyrën e saj të të folurit dhe për sinqeritetin e saj, me shakatë që e zbukurojnë atë. 

Edona në disa raste në Big Brother është ka përdorur shprehje seksiste dhe raciste, megjithatë është e rëndësishme të kujtojmë se Edona nuk e njeh mirë gjuhën shqipe për shkak se shumicën e kohës ka jetuar në Gjermani dhe nuk përfaqëson të gjithë personat queer. Sidoqoftë, sfidat me të cilat personat queer ballafaqohen në një shoqëri janë të përbashkëta. Për këtë arsye personat queer përpjeken të përfaqësohen bashkë në sferën politike për të promovuar politika që i lehtësojnë jetërat e tyre, por, si çdo njeri tjetër, edhe personat queer kanë besime dhe mendime të ndryshme. Është e rëndësishme që Edonës të ia njohim edhe kontributin e saj rreth diskursit për punën e seksit, përvojë kjo e shumë grave transgjinore të cilat, për shkak të mungesës së mbështetjes nga shteti dhe familja, kanë pasur nevojë të sigurojnë të ardhura për ekzistencën e tyre.

Ndonëse rasti i Edonës nuk paraqet realitetin e vajzave dhe grave transgjinore, aq më pak atyre që jetojnë në Kosovë, pa dyshim që suksesi i saj në këtë edicion dhe dashuria e njerëzve ndaj saj ka ndikim të rëndësishëm, sidomos për të ardhmen. Gratë transgjinorë janë një ndër kategoritë më të shtypura në shoqëri, të cilat përballen me shtypje sistemike. Por, raste të tilla si të Edonës luajnë rol, sado sipërfaqësor por edhe të rëndësishëm, në edukimin e popullaës së përgjithshme dhe luftimin e ndërdijshëm të transfobisë dhe diskriminimit ndaj personave transgjinorë apo queer. 

Normalizimi i ndërveprimit me personat queer është tejet i nevojshëm sepse ndër të tjera krijon hapësirë që personat LGBTIQ+ të marrin një vend në tavolinë dhe kështu të jenë pjesë e një bisede publike që ndër të tjera e kemi injoruar kolektivisht e qëllimisht i kemi dhënë kahje negative. 

Edona po mikpritet nga të gjitha gjeneratat dhe qytetarët nga prapavija të ndryshme sociale e kulturore. Qysh nga paraqitja e saj televizive, ajo i theu kufinjtë dhe tabutë dhe hapi rrugë për personat LGBTIQ+. Ngjashëm, por edhe më fuqishëm, Edona po e rishkruan historinë e vet dhe po hap dyer për personat LGBTIQ+. Andaj, ne i urojmë suksese Edonës në këtë format dhe shpresojmë në fitore! 

*Referimi me emrin e vdekur është akti i referimit të një personi transgjinor ose jo-binar me emrin që përdornin para tranzicionit, siç është emri i tyre i lindjes. Referimi me emrin e vdekur mund të jetë i paqëllimshëm, ose një përpjekje e qëllimshme për të mohuar, tallur ose zhvlerësuar identitetin gjinor të një personi.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top