Tu e lexu qitash
Personat LGBTIQ+ në Kosovë kanë nevojë urgjente për një strehimore!

Personat LGBTIQ+ në Kosovë kanë nevojë urgjente për një strehimore!

E drejta për strehim dhe e drejta për një jetë të dinjitetshme janë të drejta univerzale që i përkasin çdo njeriu. Për personat LGBTIQ+, shumë shpesh koncepti i shtëpisë është më kompleks se sa i të tjerëve, kryesisht për shkak që pikërisht kjo hapësirë fizike e shpirtërore është epiqendër e sulmeve, komenteve dhe diskriminimit me bazë homofobinë. Këto vendet që kulturalisht dhe historikisht parashihen të jenë burime të sigurisë dhe dashurisë, për personat LGBTIQ+ shpesh janë shtyllë e dhunës, ofendimeve, abuzimit emocional e jo vetëm.

Si rrjedhojë, shumë persona LGBTIQ+ janë detyruar të largohen nga shtëpitë e familjeve të tyre dhe shumë të tjerë janë dëbuar. Disa zgjedhin të kërkojnë një mjedis më të mirë dhe më të sigurt.

Krejt kjo shpie deri në nevojën për të kërkuar strehim në një strehimore apo vend tjetër të sigurt ku ata mund të jenë vetvetja. Strehimoret për personat LGBTIQ+ ekzistojnë në shumë vende të botës dhe po ashtu edhe të rajonit. Këto strehimore shërbejnë si qendra rezidenciale ku personat LGBTIQ+ në nevojë bashkëjetojnë aty me kushte të ofruara qoftë nga institucionet apo donatorët ndërkombëtar. Stafi i strehimoreve zakonisht përbëhet edhe nga profesionistë si punëtorë social, psikologë etj. që përkujdesen për aspektin psiko-emocional dhe mirëqenien e rezidentëve në këto qendra. Po ashtu, pas ambientimit në hapësirë dhe në bashkëjetesë, shumë shpesh persona LGBTIQ+ që jetojnë në strehimore angazhohen në programe dhe kurse profesionale sipas dëshirës dhe nevojës, përmes të cilave synohet fuqizimi i tyre deri në pavarësim.

Fatkeqsisht, Kosova nuk ka pasur dhe ende nuk e ka një strehimore të tillë për personat LGBTIQ+ në nevojë. Shumica e personave LGBTIQ+ që kanë nevojë për strehim ose duhet të shpërngulen në vendet fqinje për strehim në një mjedis më të ndryshëm e kontekst tjetër vleror e kulturor, ose duhet të gjejnë strehë përkohësisht te miqtë apo edhe nëpër banesa në kryeqytet me asistimin e organizatave jo-qeveritare që punojnë për të drejtat LGBTIQ+.

Qysh në vitin 2020, Kuvendi Komunal i Komunës së Prishtinës me shumicë votash kishte ndarë buxhet për ndërtimin e strehimores për personat LGBTIQ+.

Kanë kaluar më shumë se 3 vite që për këtë çështje nuk ka informata, të paktën zyrtare.


Blert Morina, drejtor në CEL Kosova tregon se organizatat e shoqërisë civile, sidomos ato që punojnë ekskluzivisht për të drejtat LGBTIQ+, kanë qenë të angazhuara në këtë proces sidomos në fillimin e tij kur është punuar me intensistet sidomos në identifikimin e hapësirës e procese të tjera logjistike.

Sipas Blertit, shoqëria civile i ka përmbush të gjitha kërkesat që janë kërkuar nga Komuna e Prishtinës. Gjithsesi, për shkak të kornizës ligjore që si parakusht të liçensimit të strehimores e ka objektin fizik, OJQ-të nuk kanë mundësi ta kryejnë këtë proces të liçensimit sepse ende nuk është ndërtuar objekti i strehimores, ndonëse lokacioni është përzgjedhur konform nevojave.

“Ky nuk është proces që duhet me prit edhe me u stërgjat. Strehimorja është një ndër çështjeve kryesore që duhet me u trajtu prej institucioneve; qoftë prej Komunës së Prishtinës apo Ministrisë së Drejtësisë” tha Morina për Dylberizm.  Po ashtu, Morina tregon që “të pasurit një strehimore për personat LGBTIQ+ është çështje jetike sepse mungesa e këtij institucioni shpie në raportime të rasteve të abuzimit dhe dhunës sepse personat LGBTIQ+ detyrohen me u kthy e me jetu në ambiente jo të sigurta.”

Gjatë vitit 2021, CEL Kosova përmes një fondi kishte arritur të strehojë rreth 10 persona LGBTIQ+ në nevojë në kryeqytet. Gjithsesi, ky strehim ishte i përkohshëm sepse ishte i limituar. Kurse, gjatë vitit 2023, sipas Morinës, në CEL Kosova janë paraqitur 5 raste që kanë kërkuar strehim, derisa një prej tyre është strehuar në një strehimore në vendet fqinje. Të tjerat raste, në bazë të identifikimit të nevojave dhe rrezikshmërisë, janë duke pritur për të gjetur një mënyrë të strehimit.

Po ashtu, Morina tregon se vazhdimisht personat LGBTIQ+ interesohen dhe pyesin për strehimoren në Kosovë. “Zakonisht një rast në vit e dërgojmë në strehimore në Shqipëri, por as kjo nuk është zgjidhje ideale kryesisht për shkak që procesi është më i komplikuar dhe po ashtu për viktimat/të mbijetuarit e dhunës në familje procesi i ndërrimit të ambientit mund të jetë shkëputje totale me rrethin e tyre dhe kjo mund të ndikojë në shëndetin mendor”.

Streha LGBT është strehimorja në Shqipëri, e cila është e gatshme të strehojë edhe personat queer nga Kosova, sipas marrëveshjeve me OJQ-të nga këtu. Streha është një qendër rezidenciale që ofron strehim të sigurt përkohësisht për çdo person LGBTIQ+ që për shkak të orientimit seksual, identitetit gjinor apo për çështje të tjera, janë të privuar nga strehimi dhe janë të ekspozuar ndaj dhunës (në familje). Streha, e para qendër rezidenciale për personat LGBTI+ në Evropën juglindore, ofron shërbime të ndryshme për rezidentët e qendrës dhe synon fuqizimin e përfituesve.  strehim të sigurt të përkohshëm për personat LGBTI+ që për shkak të orientimit të tyre seksual, identitetit gjinor ose për arsye të tjera, rrezikohen nga mungesa e një banimi të sigurt si dhe nga dhuna në
“Jemi t’u insistu që Komuna me e marrë më me seriozitet këtë çështje sepse po flasim për një proces që ne ende nuk e dijmë nëse ka ndërruar lokacioni apo është i njëjti qysh kur është vendosur. Pra, po flasim për ndërtimin e strehimores nga zero dhe për një process që ende nuk ka fillu. Imagjinojeni sa kohë do të marr veç ndërtimi i objektit, invertarit e deri te ndërtimi i stafit menaxhues. Jemi tepër vonë me ndërtimin e strehimores” u shpreh aktivisti Morina.

Në raportin e Amnesty International me kontributin e aktivistes për të drejtat e njeriut dhe avokates Rina Kika, “Nga letra në praktikë: Kosova duhet t’i përmbushë zotimet ndaj të mbijetuarave të dhunës në familje”, bëhet thirrje për angazhimin institucional për strehimoren LGBITQ+. 


“Qeveria e Kosovës dhe komunat duhet të intensifikojnë përpjekjet për të krijuar një strehimore të re të specializuar për personat LGBTI. Ndërkohë duhet të sigurojnë që të mbijetuarit LGBTI të dhunës në familje të kenë qasje në forma tjera të sigurta të strehmit.” thuhet në këtë raport.

Ky raport vërteton se shteti i Kosovës ka dështuar t’i mbrojë të mbijetuarit e dhunës në familje që të largohen nga situata abuzive. Viktima të dhunës në familje janë edhe personat LGBTIQ+ që përballen me dhunë fizike, psiqike, emocionale, ekonomike dhe seksuale nga familja, shoqëria dhe institucionet. Pasiguria e personave shtohet edhe më shumë me mungesën e një strehimoreje për personat LGBTIQ+.

Pra, edhe në këta raport vërtetohet se “njerëzit që përjetojnë dhunë në familje për shkak të orientimit seksual ose/edhe identitetit gjinor nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të qëndrojnë në mjedise abuzive.”

Në një intervistë për Sekhmet Institute, kryetari i Prishtinës z.Përparim Rama ritheksoi përkrahjen e Komunës së Prishtinës për ndërtimin e strehimores. Megjithatë, ai tha se procesi ka çaluar kryesisht për shkak të mosdakordimit për vendndodhjen e strehimores.

“Kryeqyteti është gati. Ne e kemi edhe buxhetin, edhe dy pika – qëndrimi tërëditor dhe strehimorja, mirëpo problemi qëndron te – pa e gjujtë problemin të dikush tjetër, por ekzistojnë disa procedura që duhet vetë komuniteti me vepru.” tha Rama për Sekhmet.

Ndër të tjera, Rama u shpreh: “Nëse një pjesëtar i komunitetit është i pastrehë, domethënë ai e ka një histori apo traumë dhe që duhet të shqyrtohet në mënyrë profesionale dhe nga njerëz profesionalë. Nuk mundemi pra ne vetëm me hapë një strehimore dhe me thonë, “Kqyre ku e keni, shkoni aty edhe u kry puna!” Pa e pasë edhe këtë aspektin e përgjegjësisë. Këtu po them që komuniteti duhet me marrë përgjegjësi paralele sikurse administrata e kryeqytetit me pasë përgjegjësi me kriju hapësirë për me u ndërtu kjo strehimore apo qendra tërëditore, e paralelisht duhen edhe organizatat joqeveritare me kriju mundësi që të ketë njerëz të cilët janë të licencuar dhe që në aspektin profesional munden me kry këtë shërbim.


Përkundër tentativave të ekipit të Dylberizm për të diskutuar edhe me Komunën e Prishtinës, respektivisht Drejtorinë për Mirëqenie Sociale, në lidhje me strehimoren në Prishtinë, këta të fundit nuk iu përgjigjjen pyetjeve dhe thirrjeve tona.
   

Nga këto fakte mund të kuptojmë edhe më shumë domosdoshmërinë e të pasurit një strehimore LGBTIQ+ në Kosovë. Personat queer janë vazhdimisht të shtypur dhe të diskriminuar dhe shumë shpesh mjediset familjare bëhen vatër e dhunës, diskriminimit dhe konfliktit. Në raste të tilla, e vetmja derë ku mund të trokasin janë OJQ-të që punojnë për të drejtat LGBTIQ+, të cilat i kanë shumë të limituara zgjidhjet që mund të ofrojnë për këto raste. Andaj, strehimorja LGBTIQ+ është nevojë emergjente dhe duhet të jetë prioritet i institucioneve të shtetit të Kosovës.
 

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top