Tu e lexu qitash
Greqia legalizon martesat e të njëjtit seks

Greqia legalizon martesat e të njëjtit seks

Të enjten, Parlamenti i Greqisë miratoi një projektligj që lejon martesat civile të të njëjtit seks, një fitore historike për të drejtat LGBTQ+ që u prit me brohoritje nga shikuesit në parlament dhe dhjetëra të mbledhur në rrugët e Athinës.

Ligji u jep çifteve të të njëjtit seks të drejtën për t’u martuar dhe birësuar fëmijë dhe vjen pas dekadash fushate nga komuniteti LGBTQ+ për barazinë martesore në vendin konservator.

Greqia është një nga vendet e para krishtere ortodokse që lejon bashkime të tilla.

“Ky është një moment historik,” tha për Reuters Stella Belia, nga Rainbow Families, grupi i prindërve të të njëjtit seks. “Është një ditë gëzimi”.

Në parlamentin me 300 ulëse, projektligji u miratua nga 176 deputetë dhe do të bëhet ligj kur të botohet në gazetën zyrtare të qeverisë.

Megjithëse anëtarët e partisë të së djathtës të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, Demokracia e Re abstenuan ose votuan kundër projektligjit,  ai fitoi mjaft mbështetje nga opozita e majtë në një shfaqje të rrallë uniteti ndërpartiak, pavarësisht një debati të tensionuar.

“Është një hap shumë i rëndësishëm për të drejtat e njeriut, një hap shumë i rëndësishëm për barazinë dhe një hap shumë i rëndësishëm për shoqërinë greke,” tha 40-vjeçari Nikos Nikolaidis, një historian që iu bashkua tubimit në favor të projektligjit para votimit.

Sondazhet e fundit të opinionit tregojnë se grekët janë të ndarë për këtë çështje. Kisha e fuqishme Ortodokse, e cila beson se homoseksualiteti është një mëkat, ka kundërshtuar fuqishëm martesën e të njëjtit seks, ndërsa shumë në komunitetin LGBTQ+ besojnë se ligji nuk shkon edhe aq larg sa duhet.

Nuk i anulon pengesat për çiftet LGBTQ+ në përdorimin e metodave të riprodhimit të asistuar. Shtatzënitë surrogate gjithashtu nuk do të shtrihen tek individët LGBTQ+, megjithëse projektligji njeh fëmijët e lindur tashmë përmes kësaj metode jashtë vendit.

REUTERS/Louisa Gouliamaki

Elliniki Lysi, një nga tre partitë e ekstremit të djathtë të përfaqësuar në parlament, e quajti projektligjin “antikristian” dhe tha se dëmton interesat kombëtare.

Ish-kryeministri Antonis Samaras, deputet i Partisë Demokracia e Re, tha: “Sigurisht që do të votoj kundër. Martesa e çifteve të të njëjtit seks… nuk është një e drejtë njerëzore.”

Grupet LGBTQ+ u mblodhën jashtë parlamentit. Në një pankartë shkruhej: “Asnjë hap prapa nga barazia e vërtetë”.

Kqyre edhe qito

“Unë jam shumë krenare si një qytetare greke, sepse Greqia është në të vërtetë – tani – një nga vendet më progresive,” tha Ermina Papadima, një anëtare e Shoqatës Greke për Mbështetjen e Transgjinorëve.

“Unë mendoj se mendësia do të ndryshojë… Duhet të presim, por mendoj se ligjet do të ndihmojnë me këtë.”

Aktivistët kanë bërë presion për ndryshim për dekada, shpesh kundër valës së Kishës dhe politikanëve të krahut të djathtë. Në vitin 2008, një çift lesbikesh dhe një tjetër çift gej kundërshtuan ligjin dhe u martuan në ishullin e vogël të Tilos, por martesat e tyre më vonë u anuluan nga një gjykatë e lartë.

Por ka pasur disa hapa vitet e fundit. Në vitin 2015, Greqia lejoi partneritetin civil në mes të çifteve të të njëjtit seks dhe në vitin 2017 i dha njohje ligjore identitetit gjinor. Dy vjet më parë ndaloi terapinë e konvertimit për të miturit që synonte të shtypte orientimin seksual të një personi.

Lajmi është publikuar nga Reuters dhe është përkthyer nga Dylberizm.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top