Kosova duhet të ketë prioritet përfshirjen e martesave të të njëjtit seks në Kodin Civil, thuhet në raportin e ILGA Europe

ILGA Europe dhe ERA (Shoqata e të Drejtave LGBTI për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë), prezantojnë Rishikimin e Zgjerimit LGBTI 2024, në të cilin vlerësohen boshllëqet legjislative dhe politikat për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave LGBTI për vendet në zgjerim siç janë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia. 

Raporti bën të qartë se të drejtat e personave LGBTI janë pjesë thelbësore e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vlerësuar se institucionet e BE-së duhet të punojnë me autoritetet e çdo shteti për t’u siguruar që ngecjet të trajtohen dhe pjesët tjera legjislative të avancohen përgjatë vitit të ardhshëm.

Rishikimi Vjetor i ILGA-Europe dokumenton se Kosova duhet të ketë prioritet përfshirjen e martesave të të njëjtit seks në Kodin Civil, ashtu siç e parasheh edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës në artikullin 37.

Kurse sa i përket njohjes ligjore të gjinisë, Kosova ende nuk ka ndonjë ligj që rregullon specifikisht këtë çështje, edhe pse ekziston një Projektligj për Gjendjen Civile i propozuar nga Qeveria e Kosovës, i cili i jep çdo qytetari të Republikës së Kosovës të drejtën për të ndryshuar identitetin gjinor, por që nuk ka kaluar ende për votim në parlament. Si pasojë e kësaj, individët që dëshirojnë të ndërrojnë gjininë e regjistruar e që nuk përputhet me identitetin e tyre gjinor, duhet të kalojnë në një proces shumë të gjatë gjyqësor për ta bërë atë, siç është rasti i Blert Morina.

Ndër të tjera, raporti thekson se Komuna e Prishtinës duhet të vazhdojë mbështetjen e saj lidhur me ndërtimin e strehimores për personat LGBTI; duhet të punohet në finalizimin e Planit të Veprimit dhe të respektohet sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore të njeriut dhe se Qeveria duhet të zbatojë legjislacionin e saj kundër urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

Në bazë të gjetjeve, raporti ofron rekomandime specifike për BE-në rreth të drejtave LGBTI në Kosovë, në të cilat thuhet se BE-ja duhet të ketë fokus të lartë në reformat kryesore për të drejtat LGBTI+; BE duhet të mbështesë dhe të shtyjë shtetin në avancimin e legjislacionit kyç për të garantuar të drejtat familjare për personat LGBTIQ+ dhe njohjen ligjore të gjinisë; dhe se BE-ja duhet të ushtrojë presion ndaj organeve të drejtësisë në të gjitha rastet për të siguruar qasjen në drejtësi për personat LGBTIQ+.

Lexoni raportin e plotë këtu.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top