Asnjë hap mbrapa – Java e Krenarisë po rikthehet në Prishtinë

Rrugëve të Prishtinës po i rikthehen ngjyrat e krenarisë me edicionin e 9-të të Javës së Krenarisë që po mbahet nga 9 deri më 14 qershor 2025, nën moton “Asnjë hap mbrapa”.
Organizuar nga CSGD (Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore) dhe CEL Kosova (Qendra për Barazi dhe Liri), në partneritet me YIHR Kosova (Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut), Civil Rights Defenders dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), kjo javë e krenarisë vjen në një kohë sfiduese, në një realitet ku të drejtat e dylberave po sulmohen si në nivel lokal, ashtu edhe global.
Në njoftimin e Prishtina Pride, organizatorët theksojnë përkushtimin për të qëndruar bashkë kundër këtyre lëvizjeve që po synojnë minimin e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe dinjitetin themelor të çdo individi.
“ ‘Asnjë Hap Mbrapa’ përfaqëson përkushtimin tonë për të qëndruar të fortë kundër lëvizjeve lokale dhe globale që synojnë të minojnë të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe dinjitetin themelor të çdo individi. Përballë urrejtjes në rritje, diskriminimit dhe përpjekjeve për të fshirë identitetet tona, ne nuk do të tërhiqemi. Ne nuk do të heshtim. Ne nuk do të fshihemi. Kjo Javë e Krenarisë është një rikujtim se ne, komuniteti LGBTQI+ në Kosovë, kemi treguar rezistencë të madhe dhe kemi arritur shumë, dhe pavarësisht pengesave me të cilat përballemi, përparimi ynë nuk do të zhbëhet”, thuhet ne deklaratën e Prishtina Pride.
Qysh nga parada e parë e krenarisë, Prishtina Pride ka sjellë ngjarje të ndryshme, si formë e ndërhyrjes politike, rezistencë kolektive dhe si dëshmi publike për të jetuar guximshëm e me krenari. E ky edicion është një rikujtim se, pavarësisht pengesave dhe sfidave, arritjet tona nuk do të zhbëhen dhe nuk do të kthehemi mbrapa.
Lëvizja e dylberave në Kosovë dhe dylberat anë e kënd, vazhdojnë të përballen me diskriminim, urrejtje dhe mungesë të mbrojtjes. Motoja “Asnjë hap mbrapa” është thirrje për t’i rezistuar çdo përpjekjeje që po refuzon ekzistencën tonë, për të mos lejuar askënd të na fshijë nga hapësirat publike dhe politike.
Programi zyrtar i Javës së Krenarisë – përfshirë paradën e krenarisë, ekspozitat, diskutimet dhe aktivitetet tjera – do të bëhet publik në javët në vijim. Si çdo herë, kjo javë është e hapur për të gjithë që besojnë në barazi, dashuri dhe jetë të dinjitetshme për të gjithë.
Dylberizm do të jetë aty për të ndjekur dhe mbuluar të gjitha zhvillimet përgjatë Javës së Krenarisë, për të dokumentuar storiet dhe energjinë kolektive të një jave që na e përkujton se jemi këtu dhe nuk do të lëvizim asnjë hap mbrapa.