Policia turke arreston një aktivist LGBTQ+ pas fjalimit në Këshillin e Evropës

Autoritetet turke kanë ndaluar një aktivist i cili qortoi qeverinë e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan për “rrëshqitje demokratike” në një organ të Këshillit të Evropës, tha avokati i tij të mërkurën.
Enes Hocaogullari, 23 vjeç, u ndalua të martën kur mbërriu në aeroportin e Ankarasë, tha për AFP avokati i tij Mahmut Seren. “Ai është aktualisht në burgun Sincan”, në periferi të Ankarasë, shtoi avokati i cili e quajti veprimin të motivuar politikisht.
Aktivisti kishte qenë tashmë shënjestër i një hetimi nga autoritetet turke pas një fjalimi që mbajti në mars në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale – një organ i Këshillit të Evropës me seli në Strasburg.
Ai është delegat i të rinjve në kongres dhe avokati i tij tha se ai qëndron jashtë vendit gjysmën e vitit.
Hocaogullari, një mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe të drejtave të LGBTQI, dënoi “rrëshqitjen demokratike” dhe “shkeljet e të drejtave të njeriut” në Turqi gjatë kongresit, vetëm pak ditë pas arrestimit më 19 mars të kryebashkiakut të opozitës në Stamboll, Ekrem Imamoglu, mbi akuza për korrupsion.
Ai gjithashtu kritikoi ashpër policinë turke për përdorimin, sipas tij, të “brutalitetit joproporcional” kundër protestuesve që dolën në rrugë në mbarë vendin.
Arrestimi i Hocaogullari-t u kritikua nga Këshilli i Evropës.
“Arrestimi dhe akuzat në fjalë, të bazuara në fjalët e thëna nga një delegat i të rinjve të Kongresit gjatë një seance plenare të Kongresit, shkelin të drejtën themelore të lirisë së shprehjes – një gur themeli i demokracisë në Evropë”, tha në një deklaratë Marc Cools, president i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale.
Autoritetet turke kanë shtypur protestat që nga arrestimi i Imamoglu-t – një rival kyç i Erdogan-it. Ata arrestuan gati 2,000 protestues, përfshirë studentë dhe gazetarë, shumica e të cilëve janë liruar që atëherë.
Burimi: AlArabyia