19 raste të reja me HIV/AIDS në Kosovë në 7 muajt e parë të vitit 2025

Gjatë periudhës 1 janar – 31 korrik 2025, në Kosovë janë regjistruar 19 raste të reja me HIV/AIDS, prej të cilave 16 janë burra dhe 3 gra. Fatkeqësisht, gjatë kësaj periudhe është shënuar edhe një humbje jete si pasojë e AIDS-it. Këto të dhëna tregojnë se virusi vazhdon të jetë një sfidë për shëndetin publik në vend, duke theksuar rëndësinë e testimit dhe masave parandaluese.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nga viti 1986 e deri më sot janë raportuar gjithsej 234 raste me HIV/AIDS në Kosovë, ndërsa numri i viktimave si pasojë e AIDS-it ka arritur në 53. Këto shifra, edhe pse jo alarmante në krahasim me vendet e tjera, janë rikujtim për nevojën e ndërgjegjësimit dhe kujdesit të vazhdueshëm.
Por çfarë është HIV dhe pse mbetet kaq i rrezikshëm? HIV është një virus që sulmon sistemin imunitar, duke e bërë trupin më të pambrojtur ndaj infeksioneve dhe sëmundjeve të tjera. Nëse nuk trajtohet, infeksioni përparon drejt AIDS-it, faza më e rëndë e sëmundjes. Aktualisht nuk ekziston një shërim për HIV, por trajtimi me terapi antiretrovirale i mundëson personave që jetojnë me HIV të kenë një jetë të gjatë dhe të shëndetshme, si dhe të mos e transmetojnë virusin te të tjerët.
Virusi transmetohet kryesisht përmes marrëdhënieve seksuale pa mbrojtje, përdorimit të përbashkët të shiringave ose gjilpërave, si dhe nga nëna tek fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes ose gjidhënies. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se HIV nuk transmetohet përmes përqafimeve, shtrëngimeve të duarve, ushqimit apo ujit të përbashkët, ajrit apo pickimit nga mushkonjat – një mit i përhapur që shpesh nxit paragjykime dhe stigmatizim ndaj personave që jetojnë me HIV, raporton IKSHPK.
Parandalimi i infeksionit është i mundur dhe përfshin disa masa thelbësore si përdorimi i kondomit gjatë çdo kontakti seksual, shmangia e ndarjes së mjeteve për injektim dhe testimi i rregullt në qendrat për këshillim dhe testim vullnetar. Për më tepër, PrEP (Profilaksa para ekspozimit ndaj HIV) ofrohet falas në Kosovë, një terapi parandaluese e cila merret nga personat që janë në rrezik më të lartë të infektimit me HIV. Ky shërbim është i disponueshëm në Klinikën Infektive në QKUK.
Qendrat për këshillim dhe testim vullnetar gjenden në Klinikën Infektive të QKUK-së, në Qendrën e Studentëve në Prishtinë dhe në zyret e CSGD dhe OJQ Labirinti në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan. Testimi është falas, anonim dhe konfidencial, duke ofruar një mundësi të sigurt për këdo që dëshiron të dijë statusin e tij.