Tu e lexu qitash
Një dylber adoleshent azerbajxhanas vritet në një sulm që dyshohet të jetë nga familja

Një dylber adoleshent azerbajxhanas vritet në një sulm që dyshohet të jetë nga familja

Paralajmërim: Ky artikull diskuton dhunën, vrasjen dhe urrejtjen anti-LGBTIQ+, andaj përmbajtja mund të ketë elemente që nuk janë të përshtatshme për disa lexues/e.

Yasin Ibadov (i njohur edhe si Ruzgar), një shtetas queer azerbajxhanas 19-vjeçar, u ther për vdekje vonë natën e së mërkurës së 4 nëntorit në qendër të qytetit të Bakusë, raportoi media Qafqazinfo.

“Ibadov u dërgua në spital me prerje dhe plagë të rënda nga shpimi, megjithatë, jeta e tij nuk mundi të shpëtohej”, shkroi Qafqazinfo.

Media shkroi se xhaxhai i Ibadovit, 38-vjeçari Babak Ibadov, është arrestuar si i dyshuar për vrasjen.

Babak Ibadov ka një dosje penale të mëparshme dhe hetuesit mendojnë se e ka planifikuar vrasjen paraprakisht. Motivi i tij nuk u përmend nga media, por është spekuluar gjerësisht se lidhet me orientimin seksual të Yasin Ibadov.

Aktivisti i të drejtave civile Aykhan Zayedzadeh shkroi në X se ata që u mblodhën në vendngjarje nuk e telefonuan policinë, e cila mbërriti vetëm pasi autori i krimit – me shumë mundësi duke iu referuar Babak Ibadov – i kishte telefonuar.  Zayedzadeh tha se kur mjekët arritën te Yasin Ibadov për trajtim, adoleshenti ishte tashmë i vdekur.

Yasin Ibadov ishte kthyer në Azerbajxhan nga Turqia gjatë verës dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Baku.

Pas raportimeve të lajmeve, aktivistët përmes rrjeteve sociale kanë kritikuar autoritetet për dështimin për të vepruar në mënyrë efektive.

Qiy Vaar, një platformë e rrjeteve sociale për komunitetin queer në Azerbajxhan, pretendoi se “mjekët nuk i kishin kushtuar vëmendje të mjaftueshme” gjendjes së viktimës.

“U bëjmë thirrje agjencive qeveritare që të lëshojnë menjëherë një deklaratë për këtë çështje dhe të kërkojnë mbështetje publike”, përfundoi Qiy Vaar.

Qafqazinfo tha se hetimi po kryhet nga Zyra e Prokurorit të Distriktit Nasimi, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Autoritetet shpesh heshtin kur kryhen krime urrejtjeje ndaj dylberave në Azerbajxhan.

Kur një grua transgjinore u vra në Baku në mars të vitit 2024, lajmi i vdekjes u nda kryesisht nga komuniteti queer, kurse mediat e lidhura me qeverinë përmbaheshin nga mbulimi i ngjarjes të këtij krimit.

Në vitin 2022, gazetari dylber Avaz Hafizli u vra nga kushëriri i tij në shtëpinë e tij. Vrasësi u dënua me nëntë vjet burg në korrik të atij viti.

Në fund të tetorit, Këshilli i Evropës vuri në dukje se “nuk janë ndërmarrë hapa” nga Azerbajxhani në përmbushjen e rekomandimit për Azerbajxhanin për të krijuar një sistem mbledhjeje të dhënash për rastet e gjuhës së urrejtjes raciste dhe homofobike dhe krimeve të urrejtjes.

Burimi:  OCMedia

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top