“Tash është koha”: Dy vajza queer po hapin Juno’s Social Hub
Prishtinës po i shtohet një tjetër hapësirë sociale që synon me kriju ndjenjë rehatie, përkatësie dhe sigurie për dylbera dhe për krejt ata e ato që kërkojnë ambiente më të hapura e gjithëpërfshirëse. Të premten, më 8 maj, hapet Juno’s Social Hub, një koncept i ri që lëviz mes kafenesë së ditës dhe atmosferës energjike të natës.
Mbrapa Juno’s qëndron një çift queer, Adea Gjigolli dhe Rea Mjekiqi, të cilat tregojnë se ideja ka lindë natyrshëm prej nevojës për një hapësirë ku njerëzit mund të ndihen vetvetja pa presion.
“Juno’s ka ardhë prej nevojës për një hapësirë ku njerëzit janë të lirë me qenë vetvetja e pa filtra. Aty jemi ndalë edhe kemi thanë: tash është koha”.
Sipas tyre, ideja ka qenë me kriju një ambient që largohet prej formalitetit dhe estetikës së zakonshme të lokaleve.
“Kemi dashtë me e pasë ndjesinë e shpisë — një vend ku rrin, relaksohesh e knaqesh. Jo luksin klasik të kafiqave, po një ambient të ngrohtë ku secili mundet me u ndi rehat.”
Themelueset tregojnë se nevoja për diçka të re është ndje edhe prej monotonisë së jetës sociale në qytet.
“Kohëve të fundit e kemi ndje që qyteti ka fillu me u shkymë. Vendet që i frekuentojmë janë të pakta dhe shpesh po sillet gjithçka rreth qendrës. Kemi thanë: pse mos me kriju një alternativë tjetër?”
Hapja e Juno’s vjen në një periudhë kur në Prishtinë po shtohen gradualisht hapësirat që dylberat po i shohin si më të sigurta dhe më mikpritëse. Për shumë prej neve, sidomos për vajzat queer dhe lezbiket, nevoja e vendeve ku mund të ndihen rehat, pa pas nevojë për me u vetëcensuru vazhdon me qenë e madhe.
DIVA, performues drag dhe aktivist, pjesë e ekipit të organizimit të Juno’s, thotë se ideja është pritë me shumë entuziazëm pikërisht për këtë arsye.
“Është theksu shumë shpesh nga gratë lezbike e gratë queer që mungon një hapësirë për to. Shumica e vendeve zakonisht targetojnë ma shumë për persona gej ose trans. Në këtë rast, po duket sikur shumë prej tyre po e shohin Juno’s si një derë ma të hapur për veten.”
Përveç funksionit si kafene dhe hapësirë sociale, Juno’s synon me organizu evente kulturore, mbrëmje muzikore, performanca drag dhe aktivitete komunitare.
Emri i lokalit lidhet me qenushin e tyre, Juno, që sipas tyre ka sjellë energji pozitive prej ditës që është bërë pjesë e jetës së tyre. Por emri bart edhe simbolikë historike.
“Historikisht, Juno ka qenë perëndesha romake e dashurisë, martesës dhe mbrojtjes së grave — një figurë e fortë dhe mbrojtëse. Emri lidhet me fuqi, identitet dhe kujdes për komunitetin.”
Juno’s do të jetë i hapur prej orës 07:00 të mëngjesit deri në mesnatë dhe do të funksionojë si hapësirë pet-friendly, me plane edhe për iniciativa që lidhen me kafshët.
Hapja zyrtare mbahet të premten me 8 maj, duke filluar nga ora 20:00, me performanca drag nga DIVA dhe Honey the Monarch, si dhe muzikë nga Arbër Selmani.
Përtej një lokali të ri, Juno’s po prezantohet si pjesë e një ndryshimi më të gjerë në jetën sociale të Prishtinës, një përpjekje për me kriju më shumë hapësira ku njerëzit mund të ndihen të sigurt, të mirëpritur dhe pjesë e qytetit pa pasë nevojë me fsheh veten.






