Tu e lexu qitash
Vjosa Osmani, ekzistenca jonë nuk negociohet. As për vota!

Vjosa Osmani, ekzistenca jonë nuk negociohet. As për vota!

Kur politikanët në Kosovë zgjedhin të fitojnë vota në kurriz të dylberave, përveçse i përulen homofobisë, kjo përbën një formë të qartë të vazhdimit të dhunës së institucionalizuar ndaj neve.

Deklaratat e ish Presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku familja reduktohet vetëm në “burrë e grua” dhe ku ekzistenca e çifteve të të njëjtit seks përjashtohet publikisht, ushqejnë një klimë të rrezikshme për personat LGBTIQ+ që çdo ditë përballet me bullizim, izolim, dhunë, refuzim familjar, diskriminim institucional dhe gjuhë urrejtjeje.

Kur një ish-presidente del para publikut dhe thotë se “familja tradicionale duhet mbrojtur me çdo kusht”, pyetja kryesore është se prej kujt po “mbrohet” familja? Prej dylberave? Prej dashurisë? Prej njerëzve që veç duan të jetojnë të lirë dhe të barabartë?

Edhe më hipokrite bëhet kjo kur kujtojmë se po e njëjta Vjosa Osmani, ishte pjesëmarrëse në hapjet e zyrtare të Javës së Krenarisë në vitet 2022 dhe 2023, e gjithashtu deklaronte publikisht se “Dashuria është dashuri, këtë nuk do duhej ta kundërshtonte askush” dhe po e njëjta mori pjesë në ngjarje të komunitetit queer, u fotografua me aktivistë, foli për të drejta dhe barazi. Sot, kur klima politike anon kah populizmi konservator dhe votat e lehta, papritmas dashuria nuk qenka më dashuri. Papritmas ekzistenca jonë bëhet e negociueshme.

Ky oportunizëm politik është i neveritshëm.

Nuk mund ta përdorni komunitetin queer si dekor progresiv kur ju duhet për imazh ndërkombëtar, e pastaj të na ktheni në objekt sulmi për me fitu pikë politike. Nuk mund të marshoni në Javën e Krenarisë për kamera e diplomatë, e më pas të dilni para qytetarëve duke legjitimuar përjashtimin tonë nga koncepti i familjes.

Sepse familje nuk është vetëm modeli që ju e konsideroni të pranueshëm. Familje janë edhe dy gra që kujdesen për njëra-tjetrën. Edhe dy burra që ndërtojnë jetë bashkë. Edhe njerëzit queer që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe kanë krijuar familje të reja mes miqve e komunitetit për të mbijetuar. Familje janë edhe nënat vetushqyese, gjyshet që rrisin nipat, prindërit adoptues dhe çdo lidhje që ndërtohet mbi dashuri, kujdes dhe dinjitet njerëzor.

Çdo deklaratë që e mohon ekzistencën, dashurinë dhe dinjitetin e dylberave duhet të ketë kosto politike. Nuk mund të kërkoni vota nga qytetarët e këtij vendi, ndërkohë që publikisht i përjashtoni një pjesë të tyre nga e drejta për familje, barazi dhe përkatësi.

Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku duhet të kërkojnë falje publikisht për deklaratat përjashtuese dhe të dëmshme ndaj komunitetit LGBTIQ+.

U bëjmë thirrje dylberave, aleatëve dhe të gjithëve që të mos normalizojnë homofobinë e paketuar si “vlerë tradicionale”. Të mos votojnë politikanë që ndërtojnë karrierë mbi përjashtimin, frikën dhe diskriminimin. T’i kundërvihen me votë çdo figure politike që përdor komunitetin LGBTIQ+ si mjet për popullizëm dhe manipulim elektoral.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top