Tu e lexu qitash
Hapet zyrtarisht Java e Krenarisë 2022: Presidentja prezente, Kryeministri në heshtje

Hapet zyrtarisht Java e Krenarisë 2022: Presidentja prezente, Kryeministri në heshtje

Dje më 06/06/2022 në ora 18:00 në objektin e qeverisë të Republikës së Kosovës është hapur zyrtarisht Java e Krenarisë në Prishtinë nën slloganin “Edhe n’shtet edhe n’familje”. Përmes aktiviteteve të cilat do të ndodhin gjatë kësaj jave deri më 09/06/2022, grupi organizativ i Prishtina Pride do të tentoj që të pasqyroj praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTIQ+ si në shtet, ashtu edhe në familje. 

Në hapjen zyrtare përveç organizatave, kolektiveve dhe aktivistëve/eve të pavarur/a të grupit organizativ të pranishëm ishin edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani; Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu; Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë; Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier; Shefi i Zyrës të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Sunjog, të cilët u drejtuan të pranishmëve dhe mediave me nga një fjalë rasti. 

Fillimisht ishte Presidentja e Kosovës e cila kërkoj bashkëpunim në mes institucioneve dhe shoqërisë civile për avancimin e të drejtave të personave LGBTIQ+ dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi:

“Ndryshimet më të mëdha në historinë e njerëzimit janë rezultat i punës sistematike, i qëndresës dhe i besimit të mirësjelltë. Në këtë rrugëtim ne duhet t’i besojmë njëri tjetrit e ta ndihmojmë gjithmonë njëri tjetrin. Në këtë rrugëtim nuk ka ne kundër atyre. Në këtë rrugëtim ne jemi bashkë. Për këtë ju lutem asnjë mos të ketë mëdyshje në asnjë moment. Java e Krenarisë na kujton rëndësinë e të qenurit krenarë për atë se kush jeni, për faktin edhe kur jeni ndryshe sepse diversiteti është pasuri. Kjo javë poashtu na rikujton se barazia asnjëherë nuk guxon të jetë selektive. Barazia duhet të vlej njësoj për secilin njeri sepse barazia është premisa më fundamentale dhe nismëtare e Kushtetutës sonë, andaj barazia duhet të jetë synimi ynë i çdo ditshëm. Këtë javë nuk flasim për një komunitet të izoluar e për një problematikë të largët. Flasim për familjarët tanë, për kolegët tanë, për punëtorët, për djalin e lagjes e vajzën që punon në shitoren më të afërt, e për të cilët për shkak të stigmës dhe paragjykimit detyrohen të jetojnë një jetë në hije, një jetë me drojë, një jetë me shumë pikëpyetje.“ – tha ajo. 

Presidentja poashtu tregoi se është e vetëdijshme për gjuhën e përdorur nga institucionet e Kosovës ndaj personave LGBTIQ+:

“Kemi ende shumë punë për të bërë përpara, sukseset nuk i arrijmë me kërcënime, kushtëzime e gjuhë të papranueshme ndaj cilës do palë. Prandaj së pari vjen edukimi dhe vetëdijësimi, prandaj së pari duhet aplikuar komunikimin dhe bashkëpunimin. Kjo është mënyra jonë e vetme për ta luftuar stigmën që i asocion diskutimet e shumta, qoftë në rrethe shoqërore, familjare apo nganjëherë fatkeqësisht edhe institucionale. Pra kjo është mënyra e duhur për t’i luftuar edhe agresionin fizik dhe dhunën verbale.

Të nderuar pjesëmarrës, Java e Krenarisë është dëshmia më e pastër e guximit të personave të komunitetit LGBTIQ+ për të sfiduar narrativën e dëmshme, për t’u ballafaquar me ata që i luftojnë, për ta përqafuar plotësisht atë se kush janë, dhe për të shprehur hapur gatishmërinë për të bashkëpunuar e në të njëjtën kohë për të dashuruar çdo njeri në çdo rrethanë.

Duke ju uruar të gjithëve Javën e Krenarisë, le të punojmë së bashku për më shumë dashuri në shtet, familje e shoqëri sepse dashuria është dashuri.” 

Pas Presidentes, ishte Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila premtoi se do të angazhohet për të drejtat e njeriut pavarësisht orientimit seksual, ndonëse nuk u përmend identiteti gjinor: 

“Jam plotësisht e vetëdijshme për sfidat që kemi, prandaj angazhimi për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut duhet dhe do të mbetet përkushtim i përhershëm i institucioneve tona. Si ministre e drejtësisë do të angazhohem për të drejtat e njeriut, për të drejtat që njihen edhe me kushtetutën e Republikës së Kosovës përmes të cilës qytetarët duhët të trajtohen barabartë, pa diskriminim pavarësisht gjinisë, pavarësisht moshës, përkatësisë partiake apo orientimit seksual.

Poashtu si ministre e drejtësisë por edhe si qeveri do të angazhohemi që politikat dhe legjislacioni që na ftohet nga ministritë përkatëse të jenë në frymën e kushtetutës dhe poashtu do të angazhohemi që të fuqizohen institucionet që ato të jenë profesionale dhe të mos udhëhiqen nga mendësi paragjykuese ose stigmatizuese dhe t’i trajtojmë barabartë qytetarët dhe të ngrisim vetëdijen për grupet e marxhinalizuara në shoqëri.” 

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier foli për rezistencën e personave LGBTIQ+ ndaj shtypjes, fillimin e lëvizjes queer nga trazirat Stonewall dhe rëndësinë e pranimit të të drejtave LGBTIQ+ si të drejta të njeriut:

“Para së gjithash, ne jemi mbledhur sot këtu për të njohur dhe festuar forcën dhe diversitetin e Kosovës, si dhe për të njohur kontributin e individëve LGBTIQ+ këtu në Kosovë dhe në mbarë botën. Ndërkohë që e festojmë progresin, duhet të pranojmë gjithashtu se ka ende punë për të bërë për të avancuar dhe siguruar të drejtat e njeriut për personat LGBTIQ+. Pikëpamja jonë është e qartë. Të drejtat LGBTIQ+ janë të drejta të njeriut. Pikë.”

Në fund e mori fjalën përfaqësuesi i organizatës CSGD, Arbër Nuhiu i cili në emër të grupit organizativ Prishtina Pride i kritikoj institucionet e Kosovës të cilat nuk i kanë shqyrtuar kërkesat e shoqërisë civile sa i përket martesës mes sekseve të njejta dhe gjuhën diskriminuese të përdorur në parlamentin e Kosovës me 16 mars të këtij viti: 

“Edicioni i 6 i Javës së Krenarisë, fatkeqësisht karakterizohet me një regres të theksuar dhe nuk kemi shume arsye për të festuar. Ne do të vazhdojmë të jemi kritik dhe të kërkojmë mbrojtje ligjore të të drejtave të njeriut nga institucionet përgjegjëse dhe njëkohësisht do të vazhdojmë të shpërndajmë dashuri dhe mesazhe të paqes dhe lirisë. Ky edicion vjen me slloganin “EDHE N’SHTET, EDHE N’FAMILJE” që reflekton situatën aktuale dhe pasqyron praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTI si në shtet, ashtu edhe në familje. Këtë gjendje e fuqizon edhe më shumë deklarimi i Kryetares së Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, deputetja Duda Balje, e cila është pozicionuar kundër një të drejte të garantuar me Kushtetutë, duke deklaruar që vlerat e saj janë kundër kësaj të drejte fundamentale, rrjedhimisht kundër Kushtetutës, vlerave dhe parimeve të Shtetit të Kosovës, kundër të drejtave themelore te njeriut. Që gjithçka të jetë edhe më paradoksale e hipokrite është që kjo deputete si edhe deputetë të tjerë i gëzojnë të drejtat dhe privilegjet e tyre sepse pikërisht kjo Kushtetutë, dhe vlerat e këtij shteti ia garantojnë. Jemi te bindur qe më e pakta që kjo deputete do te duhej të bënte është të dorëhiqet nga pozita e kryetares së komisionit. Duam të ritheksojmë që Kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenin 7 të saj ka përcaktuar qartë rendin kushtetues dhe vlerat e shtetit të Kosovës e që bazohet në të drejat dhe liritë individuale, mosdiskriminim, drejtësi sociale dhe barazi para ligjit. Neni 24 i Kushtetutës garanton që të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit. Është obligim i secilit nga ne që këto vlera t’i ruajmë dhe t’i promovojmë. Çdo shkelje e të drejtave dhe lirive individuale është shkelje e Kushtetutës. Dhe nuk mund të ketë shkelje më të rëndë të Kushtetutës sesa shkelja e të drejtave civile.

Në vitin e kaluar, grupi punues i MD ka finalizuar një draft Kod Civil i cili deri në këtë fazë nuk ka mundur të rregulloj të drejtën për martesë për personat e seksit të njëjtë. Rredhimisht, verzioni i fundit i draft Kodit Civil që është propozuar në Parlament nuk është as në frymë e as në gjuhë të Kushtetutës dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut pasi që në asnjë formë nuk rregullon partneritetin e personave të seksit së njëjtë. Ne konsiderojmë që mospërfshirja/mos rregullimi i martesës në mes të personave të seksit të njëjtë është diskriminim social dhe ekonomik.

Kqyre edhe qito

Një çështje tjetër shumë shqetësuese dhe që ka ndodhur për herë të parë nga institucionet e shtetit të Kosovës është gjuha e përdorur nga disa deputetë në seancën plenare të Parlamentit të Kosovës me 16 Mars kur i gjithë debati për draft Kodin Civil u kufizua vetëm në një paragraf në të cilin nuk rregullohej asgjë. Ajo ishte gjuhë e urrejtjes, ofenduese, homofobike, dezinformuese, e gërditshme. Kuvendi i Republikës së Kosovës lejoi që një pjesë e qytetarëve të Kosovës të fyhen, poshtërohen, nënçmohen e gozhdohen. Është shumë shqetësuese dhe në fakt dëshpruese, që asnjë institucion publik nuk ka reaguar kunder një gjuhë të tillë të turpshme të përdoruar nga disa deputet që keqpërdorën foltoren e Kuvendit të Kosovës dhe poziten e tyre te privilegjuar për të vjell vrerë ndaj qytetarëve të shtetit të tyre e që janë edhe votues pikërisht të këtyre deputetëve. Kjo seancë është seanca më e turpshme që ndonjëherë ka pasur Kuvendi i Kosovës. Këta deputetë dështuan të mbrojnë Kushtetutën, vlerat e shtetit dhe të drejtat e njeriut. Deputetë që shkelin Kushtetutën. Deputetë që nxisin urrejtje dhe krim të urrejtjes. Deputetë homofob. Deputetë transfob. Deputetë oportunistë e shpesh herë patetikë. Kjo është e papranueshme dhe e rrezikshme për një shtet demokratik e liberal. Pikërisht kjo gjuhë e këtyre deputetëve legjitimon dhunën në familje dhe jo vetëm, që e përjetojnë personat LGBTIQ+ e veçanërisht fëmijët queer.”

Përndryshe, përkundër ftesave të panumërta, në këtë hapje nuk mori pjesë kryeministri Albin Kurti i cili vazhdon që t’i largohet sa më shumë aktiviteteve të cilat kërkojnë mbështetjen e personave LGBTIQ+ në Kosovë, përkundër faktit se në programin e Qeverisë të Kosovës 2021-2025 në pikën 2.5 thuhet se qeveria do të punoj për një shoqëri me diversitet dhe gjithëpërfshirje dhe me mundësi për të gjithë. Në këtë program flitet edhe për të drejtat e grave, mirëpo duhet kujtuar kryeministrit dhe kabinetit të tij se dhe gratë queer e trans gratë janë gra dhe çdo nismë e cila nuk i përfshinë këto dy kategori është nismë diskriminuese dhe nuk është feministe. 

Ekipi i Dylberizm ka tentuar që të bisedoj me Presidenten Vjosa Osmani rreth situatës të personave LGBTIQ+ në Kosovë, mirëpo ka qenë e pamundur për shkak të sigurimit të cilët nuk lejuan. 

Pas hapjes, aktivistët dhe aktivistet kanë vazhduar në hapjen jo formale nën moderimin e mbretëreshës drag Adelina Rose dhe prezencës të deputetes Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. 


Ky prodhim është bërë i mundur me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës. Përmbajtja është përgjegjësia e vetme e Dylberizm dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Zvicrës.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top