Tu e lexu qitash
Dhe një ditë, kur të kem fëmijë, do t’i çoj edhe ata atje.

Dhe një ditë, kur të kem fëmijë, do t’i çoj edhe ata atje.

M 28

Ne kemi shkuar në plazhin e Zvërnecit me familjen që kur ishim fëmijë, që nga fillimi i viteve 2000 e deri më sot. Është një traditë që e ruajmë çdo gusht: familjarët tanë mblidhen nga diaspora dhe kalojmë dy javë së bashku në fund të Zvërnecit, shumë  afër me plazhin në Dalan.

Ishte ajo tradita tipike e pushimeve shqiptare. Mbaj mend kushërinjtë duke luajtur letra, mbesën e vogël që vraponte nëpër rërë dhe ne që kalonim orë të tëra, dhe çfarëdo që kishte gatuar mami. Mbaj mend kampionatet e Murlanit me kushërinjtë, mbesën e vogël që vraponte nëpër rërë dhe ne që kalonim orë të tëra në det.

Sa herë e kujtoj Zvërnecin e mbaj mend si një vend që përqafonte familje të ndryshme, e sidomos ato që ktheheshin nga diaspora. Për shumë njerëz ai është vendlindja e vendi ku janë rritur dhe për ne të tjerët vendi ku mblidheshim. Kishte një ngrohtësi dhe një lehtësi që e pret ta gjesh në një plazh. Nuk ishte aspak snob apo luksoz por i thjesht dhe mikpritës.

Nga fëmijëria e deri sot, çdo periudhë e jetës sime lidhet me atë vend. Fillimisht luaja në rërë si fëmijë, më pas luaja letra me kushërinjtë kur isha në gjimnaz. Sot, në të njëzetat e mia, ndodh të ulem në plazh me laptop për të punuar online, gjithmonë me një fredo espresso pranë.

Zvërneci ka qenë gjithmonë një vend i veçantë për familjen time. Kur nisën protestat për mbrojtjen e tij, shumë përpara atyre në Tiranë, ndjeva një trishtim të madh për mënyrën se si po trajtohet Shqipëria. Po humbasim gjithnjë e më shumë nga ato pak vende që u përkasin familjeve të zakonshme shqiptare, atyre që nuk kërkojnë më shumë se një copë natyrë ku të pushojnë.

Këto vende po zëvendësohen nga komplekse luksoze, të paarritshme jo vetëm për shumicën e shqiptarëve, por edhe për shumë turistë që njoh unë, që kanë vizituar Shqipërinë sepse i kam premtuar unë një kohë të bukur e te veçantë. Ata që vijnë për ecje në natyrë, kamping, plazhe të virgjëra dhe peizazhe autentike nuk kërkojnë resorte gjigante. Ata kërkojnë pikërisht atë që këto vende si Dalani e Zvërneci ofrojnë sot. Kur dëgjon se gjithçka mund të zëvendësohet me ndërtesa pa jetë dhe pa lidhje me natyrën, nuk mund të mos ndjesh keqardhje.

Pas studimeve u ktheva disa herë në kampingun e Dalanit. Ishte një periudhë e vështirë për mua, sepse ende po përpiqesha ta pranoja veten brenda një shoqërie kaq paragjykuese. Çuditërisht dhe pa e kuptuar në atë kohë, një nga vendet e pakta ku ndihesha i lirë të isha vetja ime queer ishte pikërisht Dalani.

Ishte larg qytetit, larg syve të të tjerëve dhe jashtë sezonit turistik pothuajse nuk kishte njeri. Një herë në fakt shkova atje për një takim që edhe pse nuk shkoi asgjëkundi, ajo që mbeti me mua ishte ndjesia që unë kisha gjetur një copëz toke në qytet, kaq afër shtëpisë dhe njëkohësisht kaq larg gjykimit. Ishte një parajsë e vogël dhe e sigurt, ku mund të rrije, të shijoje natyrën dhe të mos mendoje për asgjë tjetër. 

Nuk më pëlqen argumenti që thonë disa njerëz: “Po sa herë ke qenë ti atje?” Në Zvërnec me qindra herë, e në Dalan mbase vetëm 10 herë. Por ajo nuk ka aq shumë rëndësi, sepse ato pak momente kanë pasur një vlerë të jashtëzakonshme për mua. Mendo sa vlerë kanë për njerëzit që janë rritur apo ende jetojnë aty. 

Gjatë sezonit ai vend mbushet me njerëz që e respektojnë natyrën dhe qetësinë e tij. Pse duhet ta shndërrojmë në një tjetër destinacion të mbingarkuar me beton dhe turizëm që nuk respekton vendin?

Për personat queer, sidomos ata që rriten në fshatra ose në qytete të vogla, hapësira të tilla janë jashtëzakonisht të rralla. Ndihem me fat që kam pasur mundësinë të përjetoj ato momente magjike, jo vetëm për bukurinë e natyrës, por edhe për paqjen shpirtërore që më kanë dhuruar.

Dhe një ditë, kur të kem fëmijë, do t’i çoj edhe ata atje.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top