Tu e lexu qitash
Në kujtim të Lila Creativista 

Në kujtim të Lila Creativista 

Sot, vajtojmë humbjen e Lila Creativista. Vështirë me i gjetë fjalët për një humbje kaq të dhimbshme për krejt ata që e deshtën Lilën, që e ndanë skenën me të, që mësuan prej Lilës, apo që patën veç privilegjin me qenë n’praninë e Lilës.

Lila ishte person i veçantë për komunitetin tonë. Pa kompromis, pa kërku falje e krejtësisht vetja, që sillte gëzim, argëtim, kritikë e butësi kudo që shkonte. Por Lila ishte edhe person madhështor, rebel, punk e tërësisht ikonik. Dinte me e pushtu skenën, me i bo njerëzit me qeshë, me mendu e me ndi. Kishte diçka legjendare n’praninë e Lilës: një refuzim me u zvogëlu, me e zbutë veten për hir të tjerëve, apo me u ndryshu veç pse bota e kërkonte këtë.

Lila ishte shpirt aktivisti dhe e donte artin drag, një zë frymëzues për dylberat dhe personat me aftësi të kufizuara, dhe dikush që ia kushtoi jetën sfidimit të rregullave e pritshmërive që na imponon patriarkati. Lila ka qenë antikapitalist dhe krenar për këtë, e performancat e Lilës kurrë s’ishin pa kuptim. Mbrapa çdo lip sync-u, çdo look-u e çdo zgjedhjeje kreative, qëndronte një histori, një kritikë apo një deklaratë politike. Lila e kuptonte që drag-u mundet me qenë i bukur, gazmor, i guximshëm e argëtues, por njëkohësisht edhe hapësinë për rezistencë. Arti i Lilës gjithmonë kishte diçka me thanë.

Të jetuarit me distrofinë muskulore Duchenne dhe përdorimi i karrocës me rrota kurrë s’e ndalën Lilën me kriju, me performu, me folë hapur apo me e zanë hapësinën që i takonte. Përmes drag-ut, lip sync-ut dhe rrëfimit, Lila krijoi performanca për jetën, pasiguritë ndaj vetes, gëzimin trans dhe krejt çka ekziston mes tyre. Arti i Lilës ishte festim i vetëshprehjes dhe një deklaratë e fuqishme kundër homofobisë, transfobisë, ableizmit dhe patriarkatit.

E ndoshta pikërisht kjo e bani jetën e Lilës kaq të jashtëzakonshme: përballë krejt vështirësive e pengesave që iu vunë përpara, Lila prapë zgjodhi me jetu me zë të naltë. Zgjodhi krijimtarinë. Zgjodhi rebelimin. Zgjodhi bukurinë dhe gëzimin. Zgjodhi me e zanë hapësinën e me qenë vetja n’një botë që vazhdimisht u thotë personave queer, personave me aftësi të kufizuara dhe personave me diversitet gjinor se duhet me qenë ma pak të dukshëm, me kërku ma pak e me qenë ma pak të lirë.

Ne patëm fatin me e njoftë Lilën qysh prej fillimeve të Prishtina Queer Festival. Në edicionin tonë të parë, më 2023, Lila u paraqit virtualisht për me e prezantu programin tonë të filmave vendorë, para se me na dhuru një prej performancave të tyre të paharrueshme të lip sync-ut.

Më 2024, patëm përsëri kënaqësinë me e nda skenën me Lilën gjatë ngjarjes sonë të solidaritetit të PQF në Cyrih, ku Lila jetonte. Bashkë me Xhenisën, Lila dha një performancë ikonike, veshun me veshje tradicionale shqiptare — një moment që i mbante bashkë kaq shumë prej asaj që ishte Lila: një person queer, shqiptar, kreativ, rebel, krenar e krejtësisht vetja.

Edhe ma i veçantë ishte fakti që nana e Lilës, zonja Ferdane, ishte aty me e festu e me e mbështetë, madje duke i ndihmu me grimin para performancës. Dashurinë që e rrethoi Lilën atë ditë kemi me e mbajtë me vete përgjithmonë.

Lila besonte që personat queer me aftësi të kufizuara duhen me qenë pjesë e lëvizjes ma të gjerë queer, e jo me mbetë n’margjina. Na kujtoi që komunitetet dhe hapësinat tona duhet me qenë të qasshme, dhe që çlirimi s’mundet me ekzistu përderisa disa prej nesh vazhdojnë me u përjashtu. Prania e Lilës n’lëvizjet queer, arti dhe aktivizmi i Lilës e banë komunitetin tonë ma të pasur, ma të guximshëm e ma të hapun.

E deshtëm Lilën, e festum Lilën dhe u frymëzum pafund prej guximit të Lilës me e jetu jetën autentikisht, me krejt kompleksitetin, kreativitetin e gëzimin që e shoqëronte.

Jeta e Lilës ishte një kujtesë që vetëshprehja s’duhet me u negociu, me u shty për ma vonë apo me u kufizu prej asaj që të tjerët presin prej nesh.

Me thanë që jemi të pikëllum do të ishte pak. Humbja e Lilës na ka ndalë n’vend. Por, teksa e vajtojmë, duam me e kujtu edhe jetën që e ka jetu — nji jetë e guximshme, e gjallë, rebele, kreative dhe plot shprehje.

Lila, ke lanë një gjurmë n’komunitetin tonë që s’ka me u zhdukë. Faleminderit që na tregove se një jetë e jetume autentikisht, edhe kur bota ta ban këtë të vështirë, mundet me qenë radikale.

Faleminderit për rebelimin, krijimtarinë dhe gëzimin. Faleminderit që ishe kaq pa kompromis, kaq guximshëm e kaq ikonik në të qenit Lila.

Faleminderit që e ndave me ne jetën, artin dhe shpirtin tand. 

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top