Tu e lexu qitash
Vajzat biseksuale kanë më shumë gjasa të përjetojnë abuzim seksual në shkollë

Vajzat biseksuale kanë më shumë gjasa të përjetojnë abuzim seksual në shkollë


Nxënësit LGBTQ+ përballen me sfida unike, ndryshe nga bashkëmoshatarët cisgjinorë e heteroseksualë. Një studim i ri tregon se sa e pasigurt është dalja hapur në shkollë për fëmijët queer.

Të rinjtë që janë haptas LGBTQ+ përballen me rritje te konsiderueshme të bullizmit. Ndër këta nxënës, vajzat biseksuale gjenden në rrezik të lartë.

Një hulumtim tregon se 14% e nxënësve jo-haptas LGBTQ+ kanë thënë se kanë përjetuar bullizëm bifobik në të kaluarën, por ky numër dyfishohet në 28% për nxënësit që kanë dalë haptas. Kryer nga Just Like Us, një grup avokues i të rinjve LGBTQ+ në Mbretërinë e Bashkuar, studimi mori në pyetje 2,934 nxënës nga moshat 11-18, ku 1,140 prej tyre ishin LGBTQ+.

Nuk është vetëm bullizmi që rritet kur nxënësit dalin haptas. Nxënësit LGBTQ+ kanë tri herë më shumë gjasa të përjetojnë abuzim seksual sesa bashkëmoshatarët heteroseksualë e cisgjinorë.

Vajzat biseksuale janë në rrezikun më të lartë për abuzim seksual, ku 12% prej tyre kanë raportuar se kanë përjetuar prekje seksuale të padëshiruar.

Kjo është në përputhje me hulumtimet e mëparshme që tregojnë se gratë biseksuale kanë më shumë gjasa të përjetojnë dhunë nga partnerët intim dhe abuzim seksual, shpesh si rezultat i keqkuptimeve bifobike.

Një hulumtim nga The Trevor Project gjeti se më shumë se 1 në 3 të rinj biseksual kanë raportuar bullizëm në shkollë, e 1 në 5 kanë raportuar se kanë qenë të detyruar të kryejnë marrëdhënie seksuale.

 “Njerëzit shpesh mendojnë se dalja hapur si biseksual është ftesë seksuale,” tha Robyn Ochs, një autore dhe aktiviste biseksuale, në Teen Vogue në 2019. “Kur dikush thjesht shpreh identitetin e vet, njerëzit mendojnë se është ftesë për në dhomën e gjumit”.

Kqyre edhe qito

Personat biseksualë përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të të rinjve queer dhe janë ndoshta grupi më i madh nën ombrellën LGBTQ+. Në një pyetësor të vitit 2020, personat biseksual përbënin 75% të nxënësve LGBTQ+.

Nxënësit e dalë haptas ndihen më pak të sigurt në shkollë. Vetëm 57% e tyre thanë se ndihen sigurt, përderisa 68% e nxënësve LGBTQ+ në dollap raportuan se ndihen sigurt.

Hulumtimi gjeti se të gjithë nxënësit, përfshirë edhe ata që janë LGBTQ+, kanë thënë se ndihen më të sigurt dhe rehat në shkolla që ofronin mesazhe pozitive për personat LGBTQ+. Kjo demonstron nevojën që shkollat të ofrojnë programe aktive e afirmuese në mënyrë që të promovojnë ambiente të sigurta, përkrahëse e mikpritëse për të gjithë.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top