Tu e lexu qitash
AZIS – Ylli i guximshëm rom nga Bullgaria që frymëzoi gjenerata të shumta queer

AZIS – Ylli i guximshëm rom nga Bullgaria që frymëzoi gjenerata të shumta queer

8 prilli shënon Ditën Ndërkombëtare të Romëve që janë pakica më e madhe etnike në Evropë, pjesa dërrmuese e të cilëve vuan nga diskriminimi dhe izolimi. Kjo ditë ka në fokus historinë rome, kulturën, gjuhën dhe aspiratat, të cilat mbeten kryesisht të panjohura në Evropë, edhe pse ato janë kyçe për mirëkuptimin e ndërsjellë dhe mund të kontribuojnë në mbylljen e hendekut ndërmjet komuniteteve.

Në të gjithë Bashkimin Evropian (BE) romët përballen me margjinalizim dhe diskriminim të shumëfishtë në bazë të përkatësisë etnike rome, seksit/gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor dhe kryqëzimeve të tyre. 

Gjetjet e përmbledhura të studimeve mbi romët LGBTQ+ spceifikisht në Evropën Juglindore tregojnë se janë ndër anëtarët më të varfër dhe të përjashtuar të shoqërisë, dhe pavarësisht disa përparimeve të bëra gjatë dekadës së fundit, veçanërisht në aspektin e pranimit nga familjet dhe komunitetet rome, romët LGBTQ+ vazhdojnë të përballen me izolim dhe dëbim nga familjet dhe komunitetet e tyre. Racizmi kundër romëve vazhdon, diskriminimi nga shoqëria shumicë shumicë poashtu, e këtu përfshihet edhe diskriminim nga vetë lëvizja LGBTQ+. Shumë romë të komunitetit LGBTQ+ fshehin orientimin e tyre seksual, identitetin gjinor dhe përkatësinë etnike rome nga frika e reagimeve negative, diskriminimit, bullizmit, ngacmimit, refuzimit, dhunës, duke përfshirë abuzimin racist anti-rom që ndërthuret me homofobinë e transfobinë. 

Për shkak të pritshmërive shoqërore rreth roleve gjinore dhe pranisë së kulturës konservatore në disa familje dhe komunitete të izoluara rome, romët queer kanë frikë të dalin hapur dhe të humbasin familjet dhe komunitetet e tyre që shpesh i mbrojnë nga racizmi anti-rom. Ky bashkim, apo kryqëzim i shtypjeve rezulton në nivele më të mëdha, më të theksuara të padukshmërisë dhe cenueshmërisë në mesin e romëve LGBTQ+. Kështu, ata janë në fakt pakicë në aspekt të shumëfishtë, dhe kjo i bën tejet të ndjeshëm ndaj problemeve shëndetësore, mendore e emocionale, ua rrit rrezikun për varësi e abuzim me substanca dhe për forma tjera të shkaktimit të dëmeve ndaj vetvetes.

Megjithatë, duhet të përmendet që ndikimi i romëve në kulturën e vendeve ku ata jetojnë është i pamohueshëm. Ata prej kohësh njihen si tregtarë dhe argëtues e muzikantë të shquar e të talentuar. Është e vështirë të përcaktohen parametrat e një stili muzikor të unifikuar rom, pasi ka shumë dallime në strukturat melodike, harmonike, ritmike dhe formale nga rajoni në rajon. Tekstet e këngëve rome shpesh këndohen në një ose më shumë dialekte të gjuhës rome, dhe vallëzimi shpesh shoqëron performancën e muzikës rome. Edhe në muzikën ballkanase vërehen shumë qartë elemente të ndikimit të muzikës dhe ritmeve rome.

E sot për Ditën Ndërkombëtare të Romëve po i bëjmë të ditura disa fakte për ikonën queer rome të ballkanit, këngëtarin Azis, i cili është poashtu edhe këngëshkrues dhe producent.

Ngritja në skenë e Azisit në Bullgarinë post-komuniste

Azisi për herë të parë mori vëmendjen e publikut në vitin 1995 me publikimin e albumit të tij debutues “San Trope”. Që atëherë, ka publikuar shumë albume dhe këngë të suksesshme, duke përfshirë “Cherno More” (2003), “Ludata Doide” (2007) dhe “Angel Si Ti” (2009), dhe fitoi çmime të shumta, duke përfshirë Best Male Artist në MTV Europe Music Awards. Ka bashkëpunuar edhe me disa nga emrat më të mëdhenj të industrisë së muzikës, si Mariana Popova, Gery-Nikol dhe Jeni. Ka marrë pjesë poashtu edhe në disa programe televizive, duke përfshirë X Factor Bulgaria. Kënga e tij “Sen Trope” sot ka 138 milion klikime në YouTube.

I njohur për stilin e tij të jashtëzakonshëm, për veshjet cross-dressing personalitetin e tij të gjallë, historia e Azisit nuk është e njejtë si shumica e yjeve pop që e arrijnë famën, sepse të qenit edhe rom, edhe queer, vjen me sfidat e shumta të veta. Qysh nga dita e parë kur lindi e kishte jetën sfiduese, pasi që nëna e tij e lindi atë në burg të grave në Bullgari, pasi e kishin burgosur nën regjimin komunist për shitje të rrobave të importuara (kjo gjë ishte krim në ato ditë). Në teori, fillimet e jetës së Azisit duhet ta kishin disfavorizuar atë qysh nga dita e parë. Por ne e dimë që të qenit njeri që i përket komuniteteve të shtypura, herët a vonë duhet të aftësohesh të dish të ripërtrihesh e ta marrësh veten në jetë.

Azisi lindi më 3 tetor të vitit 1978 në Sofje, Bullgari. Rrjedh nga një familje e madhe, me dy vëllezër dhe dy motra. Babai i tij ishte punëtor ndërtimi, ndërsa nëna qëndronte në shtëpi që të kujdesej për fëmijët. Që në moshë të re ishte i apasionuar pas muzikës dhe filloi të këndonte në klubet lokale kur pati vetëm 16 vjeç.

“Kur isha fëmijë, nuk më trajtonin mirë. Fëmijët dinë të jenë mjaft mizorë. Më ngacmonin dhe më injoronin për shkak të ngjyrës së lëkurës sime dhe gjithashtu për faktin se unë isha mjaft femëror. Mirëpo nëse do thoja se suksesi im ishte i papritur, do të gënjeja. Isha vetëm tetë vjeç kur mësuesja më pyeti ‘çfarë do të bëhesh kur të rritesh?’ Unë iu përgjigja ‘Do të bëhem yll’”, ka deklaruar Azisi për Dazed Magazine.

Zhanri muzikor chalga që doli nga një subkulturë e shtypur

Azisi ka dalë në skenë me zhanrin muzikor chalga – që është zhanri më i njohur në Bullgarinë post-komuniste. Ky zhanër është përzierje e folkut rom, turk dhe bullgar me elemente influencuese arabe – krejt këto të mbështjella në pako të popit bullgar. Chalga u shfaq në mesin e viteve 1980 si shpërthim që doli nga një subkulturë e shtypur. Në komunizëm, çdo aspekt i jetës kulturore bullgare kontrollohej nga shteti. Mesazhi i partisë komuniste në pushtet ishte i qartë: me punë të palodhur dhe jetë sipas modelit komunist mund të arrije një ‘parajsë’ punëtorësh. Gjithçka ishte në pronësi të shtetit dhe kontrollohej me rigorozitet. Ndërmarrja private nuk ekzistonte. Radiot, televisionet, kompanitë e produksioneve muzikore, dyqanet, madje edhe baret dhe restorantet ishin të gjitha të kontrolluara nga shteti dhe asnjë krijimtari muzikore spontane nuk lejohej të lulëzonte pa miratimin e shtetit, sepse çdo gjë që nuk kontribuonte drejt një ideali socialist shihej si problematike.

Por kur Bullgaria la pas komunizmin në vitin 1991, forma e pop-folkut të Bullgarisë – chalga – shpërtheu me hov në skenë. Rrjedhi si produkt i klasave punëtore dhe grupeve të pafuqizuara dhe u bë menjëherë zhanër i famshëm që krijoi kulturën e vet. Në të njëjtën mënyrë si zhanri grime në Mbretërinë e Bashkuar, edhe chalga është demonizuar si zhanër për shkak të teksteve që i referohen seksit, trafikut të drogës, dhunës dhe krimit të lidhur me banda kriminale. Politikanët bullgarë dhe mediat si instrument politik e dënojnë chalgën si subkulturë e rrezikshme. 

Azisi “surfoi” nëpër valën e popullaritetit të chalgës dhe është ende i dashuri i publikut për këtë zhanër, por gjatë rritjes së tij i ra të ekspozohej edhe ndaj ndikimeve të popit amerikan. Si djalosh që u rrit menjëherë pas rënies së komunizmit, ishte në gjendje ta përcillte dhe ta dëgjonte popin amerikan. 

Kqyre edhe qito

“Frymëzim i kisha Madonnën dhe Michael Jacksonin, ata ishin të vetmit që më mbajtën zgjuar gjithë natën. Duke parë Madonnën, e imagjinoja veten me geta-rrjetë dhe me fjongo në flokë,” tha tutje Azisi për Dazed Magazine. 

Ndërsa muzika e tij ka qëndruar në rrënjët e veta tradicionale të zhanrit chalga, stilet e performancës së artistëve perëndimorë sigurisht që ndikuan edhe në stilin e lirshmërinë  e Azisit. Këngëtari është i famshëm për stilin e tij të veçantë e eksperimental po aq sa për muzikën e tij. Është hapurazi queer dhe është pafundësisht i guximshëm dhe imagjinativ me pamjen e vet, e cila ka ndryshuar vazhdimisht që nga momenti kur ai hyri në skenë para 15 vitesh. 

“Vetë i kam menduar krejt imazhet dhe dukjet e paraqitjeve të mia të shumta. Herë isha i shëndoshë, herë i dobët, herë sytë e kaltër, herë sytë e zi. Kam qenë grua, e kam qenë burrë. Çfarë nuk kam qenë në jetën time! Jetoj në momentin e së tashmes, sot mbase ndihem mirë me flokë të gjatë, bëhem bjonde, nesër i bëj flokët e zeza, e pas një kohe e rruaj kokën krejt. Nuk e kam huazuar kurrë stilin tim nga askush”, shtoi ai.

Guximi i tij për të mos fshehur seksualitetin e tij, dhe referimi i seksit dhe marrëdhënieve homoseksuale edhe në tekstet e veta, e ka bërë këngëtarin të shndërrohet në ikonë për njerëzit queer në Bullgari dhe më gjerë.

Ai ka thënë se në fillim, kur u paraqit me pamjen dhe stilin të konsideruar stereotipikisht për gra, nuk e kishte menduar kurrë se po çlironte e frymëzonte kaq shumë njerëz homoseksualë, dhe se po shndërrohej në simbol të lirisë. Që nga fillimi i karrierës së tij, një numër i madh njerëzish i kanë shkruar, duke i treguar se sa shumë ua ka lehtësuar jetën prej që është pjesë e skenës muzikore. Ai është një nga të vetmit artistë në Evropën Lindore që është homoseksual krenar, hapurazi dhe pa ndjerë aspak turp publik.

“Unë vetë jam rom dhe di si ta trajtoj kulturën time dhe mënyrën se si e jetoj jetën. Ndoshta arsyeja pse jam në këtë planet është t’i ndihmoj njerëzit që të mos kenë frikë të jenë të ndryshëm? T’i ndihmoj të mos fshihen dhe ta mbajnë kokën lart kur ecin,” ka deklaruar këngëtari që sivjet mbushi 45 vjet.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top