Tu e lexu qitash
Urime dita e Kushtetutës, nga shkelësit e saj

Urime dita e Kushtetutës, nga shkelësit e saj

Sot 15 vite, Kuvendi i Kosovës miratoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës –  këtë dokument sa politik, aq edhe ligjor, i cili ndër tjera përcakton barazinë, respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut e mosdiskriminimin si vlera themelore mbi të cilat duhet të ndërtohet Kosova.

Megjithatë, Kosova si shtet dhe shoqëri mbetet ende larg parimeve të cilat janë proklamuar në Kushtetutën e saj. 

Diskutimet që ndodhën vitin e kaluar gjatë seancës për Kodin Civil, shpërfaqën edhe njëherë urrejtjen dhe diskriminimin ndaj personave të komunitetit LGBTQ+ në Kosovë. Shumë e pranishme ishte edhe injoranca e deputetëve të Kuvendit karshi vetë Kushtetutës, mbi të cilin edhe betohen gjatë marrjes së mandatit të tyre. 

Njëkohësisht, projekt Kodi Civil aktual tregoi më së miri mungesën e guximit e vullnetit politik nga Qeveria e Kosovës për të përmbushur obligimin kushtetues që ka Kosova në raport me çiftet e komunitetit LGBTQ+ 

Në Ditën e Kushtetutës, po i përsërisim obligimet e Republikës së Kosovës për njohjen ligjore të çifteve të seksit të njëjtë.  

Çiftet e të njëjtit seks në Kosovë e kanë të garantuar respektimin e të drejtës për privatësi dhe për jetë familjare në nenin 36 dhe 37 të Kushtetutës. Ndërsa, në nenin 24 përcaktohet se ata/ato dhe kushdo tjetër nuk mund të diskriminohen në bazë të orientimit seksual. Këto të drejta njëkohësisht krijojnë obligime për Shtetin e Kosovës, fillimisht për t’i respektuar, e pastaj edhe për të siguruar që ato janë të çasshme për të gjithë. 

Kushtetuta e Kosovës në raport me të drejtat e gjithë botës

Në bazë të Kushtetutës, të drejtat dhe liritë themelore nuk janë vetëm ato që parashihen në Kushtetutë, por edhe të drejtat dhe liritë themelore të cilat janë pjesë e tetë marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare, të listuara në nenin 22 të saj. Këto zbatohen drejtpërsëdrejti dhe kanë prioritet ndaj legjislacionit vendor. 

Pra, në rast se një e drejtë e njeriut ekziston në këto dokumente ndërkombëtare, ajo e drejtë ju takon qytetarëve të Kosovës, si dhe njëkohësisht krijon obligime për shtetin që ta realizojë atë. 

Në rast se ndonjë Kod, Ligj, apo çfarëdo akti i ndonjë institucioni vendor parasheh diçka tjetër nga ajo që ekziston në këto dokumente ndërkombëtare, këto të fundit kanë përparësi para legjislacionit vendor. 

Ndër këto marrëveshje është edhe Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj, (tutje: Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut). Konventa në nenin 8 përcakton se çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tyre private dhe familjare, ndërsa në nenin 14 se ndalohet diskriminimi në çfarëdo statusi. 

Për të interpretuar çka nënkuptojnë të drejtat që parashihen me këtë Konventë, përgjegjëse është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – GJEDNJ që ndodhet me seli në Strasburg. Vendimet e Gjykatës janë të obligueshme për shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, pjesë e të cilës Kosova nuk është. 

Çka e lidh Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut me Kosovën?

Vetë Kushtetuta e Kosovës në nenin 53 ka përcaktuar se interpretimi i të drejtave dhe lirive themelore që garantohen në të, duhet të interpretohet në harmoni me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Pra, çdo vendim i GJEDNJ-së, krijon obligime për shtetin e Kosovës, edhe pse Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Kosovës.

Jeta private e familjare, sipas GJEDNJ-së

Lidhjet e çifteve të të njëjtit seks përfshihen si pjesë e konceptit “jetë private”, në artikullin 8 të Konventës, si dhe marrëdhënia e një çifti të të njëjtit seks që jetojnë në partneritet të qëndrueshëm përfshihet në konceptin “jetë familjare”. 

Pra lidhjet e çfiteve të të njejtit seks janë të mbrojtura në kuadër të së drejtës për jetë private e jetë familjare.

Bashkësitë civile, sipas GJEDNJ-së

Në rastin Oliari dhe të tjerët kundër Italisë para GJEDNJ-së, tre çifte të seksit të njejtë sfiduan shtetin italian pasi nuk i lejonte as të martoheshin e as të krijonin bashkësi civile, duke e konsideruar këtë si shkelje të së drejtës së tyre për privatësi dhe jetë familjare si dhe diskriminim, pasi që të paktën martesa ishte e lejuar për çiftet e gjinisë së kundërt. 

Sipas vlerësimit të GJEDNJ-së, Italia kishte dështuar që të përmbush obligimin pozitiv për të siguruar kornizën ligjore që njeh dhe mbron çiftet e të njëjtit seks. 

Që nga ky vendim, GJEDNJ ka rikonfirmuar në shumë raste obligimet e shteteve për të siguruar njohjen ligjore në këtë drejtim.

Kqyre edhe qito

Pse Kodi Civil aktual nuk garanton njohje ligjore të çifteve të të njëjtit seks?

Kodi Civil parasheh që “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.” Në lexim të parë, ky paragraf mund të konsiderohet arsye për t’u gëzuar. 

Mirëpo, ky paragraf bën atë që klasa politike vendore është mësuar të bëjë që nga vetë hartimi i Kushtetutës, pra të drejtat në lidhje me bashkësitë civile dhe martesën e personave të së njëjtit seks, të zvarriten pafundësisht e mundësisht të realizohen sa më vonë apo të mos realizohen fare.

Vetë Kushtetuta i garanton çdokujt të drejtën për martesë dhe të drejtën për të krijuar familje, mirëpo kushtet e veçanta i delegon tek ligji. 

Kodi Civil lejon bashkësitë e regjistruara civile, mirëpo kushtet dhe procedurat i delegon tek një ligj tjetër. Pra ky Kod nuk thotë asgjë të re dhe nuk garanton asgjë.

Edhe në rastin kur Kodi me versionin aktual do të miratohej nga Kuvendi, Kosova prapë do të dështojë të njohë dhe mbrojë ligjërisht çiftet e të njëjtit seks. Duke pasur parasysh rezistencën që vetë Kodi ka hasur në miratim nga Kuvendi, është pothuajse e sigurtë se një ligj i veçantë i cili do të rregullonte këto çështje do të: 

a) Zvarritet

b) Nuk do të miratohet nga Kuvendi. 

Në ndërkohë, Kosova çdo ditë shkel të drejtën për njohje ligjore të çifteve të të njëjtit seks dhe rrjedhimisht shkel edhe nenin 36 e 37 të Kushtetutës, si dhe nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo ndodh edhe sot, në Ditën e Kushtetutës. 

Shoqëria kosovare ka nevojë të shërohet nga mbrojtja e idesë konzervative të familjes në përbërje prej dy prindërve të gjinisë së kundërt së bashku me fëmijët e tyre. Njohja ligjore e çifteve të të njëjtit seks është e rëndësishme jo vetëm për komunitetin LGBTQI+, mirëpo për të gjithë shoqërinë kosovare, sepse e ndihmon këtë të fundit të ekspozohet ndaj llojeve të ndryshme të familjeve alternative dhe bashkësive njerëzore, të cilat pavarësisht dallimeve janë të shëndetshme e të natyrshme.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top