Tu e lexu qitash
Anibar ngjalli rezistencën queer në Pejë

Anibar ngjalli rezistencën queer në Pejë

Filmat e animuar të kategorive të shumta, panelet e diskutimit mbi çështjet e ndryshme rreth dashnisë, mbramjet me muzikë dhe punëtoritë u mbajtën për një javë rresht në qytetin e Pejës në kuadër të festivalit Anibar. 

Çdokush që pati mundësinë ta vizitojë Pejën këto ditë, mundi ta përjetojë prej së afërmi atmosferën dinamike dhe të gjallë në Pejë. Një energji e përzier dhe më ndryshe u ndje në qytet e në parkun Karagaç, në vendet ku u zhvillua programi i Anibar.

Ndodh që duke ecur rrugës ose në ndonjë grumbull njerëzish të dëgjoheshin komente e thirrje homofobike nga disa qytetarë të Pejës, kryesisht djem, të cilët shprehnin pakënaqësitë e tyre në lidhje me përfshirjen e dashnisë dhe çështjeve queer në Anibar këtë vit. Mirëpo, për fat të mirë nuk ka pasur sulme të  dhunshme. Megjithatë kudo nëpër qytet ka prani të shtuar të Policisë, të cilët, sipas burimeve tona, janë duke bërë një punë me përkushtim dhe profesionalizëm në mënyrë që siguria të jetë në nivel.

Përkundër kësaj, pjesëmarrësit u shprehën tejet të gëzuar, të lumtur dhe të kënaqur që Anibari po sjell revolucionin queer në Pejë dhe që po i sfidon mendjet e mbyllura dhe paragjykuese. Në bisedat tona me organizatorët e festivalit diskutuam aspekte të ndryshme të këtj edicioni, e poashtu biseduam prej së afërmi edhe me audiencën.

Anibari e vuri sivjet gurthemelin për rezistencën queer në Pejë

Petrit Gora, drejtori artistik i festivalit, na tha që për t’i përfshirë çështjet queer në Anibar, ai e kishte pasur idenë dhe dëshirën qysh para 8 vitesh, mirëpo atëherë ekpi organizativ e kishin vlerësuar se nuk janë akoma gati për të ndërmarrë këtë hap. Mirëpo këtë vit, duke u ndjerë më të gatshëm e me më shumë besim për të sjellur revolucionin, kishin vendosur që ta bëjnë këtë hap të rëndësishëm. 

Sipas tij ajo që ndikoi që të gjithë të ndiheshin më gati, ishte fakti se në Kosovë përgjatë viteve Parada e Krenarisë mbahej pa incidente, si dhe përgjithësisht filluan të organizohen më shumë aktivitete queer ndër vite.

“Si festival jena forcu, edhe po kena fuqi me bo ndrrime në qytetin e Pejës, tu e pasë përkrahjen e disa njerëzve. E shihsha të nevojshme me u folë për këtë sepse ekziston – njerëzit queer ekzistojnë prej moti, edhe kërkush s’fol për at’ punë në Pejë, edhe e bojnë sikur nuk ekziston hiç. E dojshim me pru si temë me folë për to, me qit në pah”, theksoi Gora.

Sipas tij, qytetarët e Pejës frikësohen fort nga e panjohura, dhe e kanë kundërshtuar  Anibarin qysh në fillet e para të formësimit si festival dhe nuk ka qenë e lehtë për ekipin të përballen me paragjykimet dhe pakënaqësitë e qytetarëve. Mirëpo këtë edicion për Gorën, nuk ka qenë frika aq tek qytetarët, sa ka qenë për ekipin sepse ai frikësohej për ta në mos rastësisht po demotivoheshin ose frikësoheshin e stepeshin. 

Ai na tregoi që para nisjes së këtij edicioni, ekipi kanë pasur një takim ku kanë qenë të pyetur secili “Si po ndihesh?”

“U konë ni asi momenti kur teton gati kajshin, jo prej frikës, po prej sa mirë po ndihen që janë tu e shty qet’ send përpara. U konë shumë emocionuese; Edhe aty e kuptova që osht vshtirë me i thy ekipin në atë që besojnë”, u shpreh Gora.

Në përzgjedhjen dhe kurimin e filmave të festivalit në secilin edicion ka pasur filma me përmbajtje queer, mirëpo sivjet duke qenë tematika e festivalit Dashni / Love, ka pasur hala më tepër filma të tillë.

Në garën Filma Ndërkombëtar ishin tre filma që trajtojnë temën queer, e në garën Human Rights ishte një program i plotë me 6 filma – që të gjithë për komunitetin queer, si dhe si dedikim i veçantë ishte kategoria Queer Toons me filma krejt queer.

Queer Toons është kuruar nga regjisori kroat, Marko Dješka, për të cilin ishte hera e katërt që vinte në qytetin e Pejës. 

Ai na tha që për këtë kategori është përqendruar në përzgjedhje të filmave që i ka vlerësuar se do të ishin më të arritshëm për publikun e shumëllojshëm, filma që kanë ndonjë lloj mesazhi, ndonjë mesazh pozitiv, mesazh rreth diskriminimit ndaj njerëzve, dhe kështu të dërgohen mesazhe ndërgjegjësuese.

Dješka është regjisor i filmit “All These Sensations in My Belly (Krejt këto ndjesi në trupin tim)” që u shfaq poashtu në Anibar. Ky animacion i shkurtër 13-minutësh, ndjek historinë e tranzicionit nga mashkull në femër të transgjinores Matia dhe përpjekjet e saj për të krijuar një lidhje romantike intime me një burrë heteroseksual. 

Foto: Anibar

Disa qytetarë të Pejës janë ndjerë të provokuar prej këtij filmi dhe patën reagime ndaj tij. Ata shpërndanë në rrjete sociale një fotografi të edituar vizuelisht me prerje skenash nga filmi, me mbishkrimin: Mos na e prekni familjen!

Dješka duke qeshur tha se ky grup i njerëzve që e bënë këtë “i bënë marketing shtesë falas filmit të tij dhe festivalit Anibar”.

Dješka theksoi se ai nuk ka pasur qëllim që ta provokojë ndokënd sepse është normale të bësh filma. 

“Në fakt unë jam provokuar nga shoqëria ime, në qytetin e Zagrebit – ku njerëzit queer kanë frikë të dalin ndonjëherë, ku ata përjetojnë dhunë, ku janë sulmuar në klubet queer – kështu jam provokuar dhe më pas bëra këtë film, sepse mendoj se duhet të bëhen filma për këto tema, për gjëra që ndodhin në shoqëri, sepse çdokush duhet të përfshihet në shoqëri. Nuk mendoj se dikush dëshiron të provokojë të tjerët që të “ua prekin familjen” apo diçka e tillë, sepse askush nuk po e prek familjen e askujt. Është krejtësisht e pakuptimtë,” sqaroi tutje Dješka.

Sipas tij në thelb festivalet janë më progresive dhe shumica e festivaleve janë disa hapa përpara në mendësi sesa pjesa tjetër e popullësisë, kështu që publiku që shkon në festivale është më mendjehapur, dhe se është e natyrshme që festivalet të kenë këtë lloj programi dhe të shfaqin këta filma queer, sepse për audiencën e Anibarit kjo është gjë e bukur, ata e pëlqejnë këtë. 

Duke parë filma të tillë, edhe regjisorët e tjerë frymëzohen që të trajtojnë tema të rëndësishme për shoqërinë në krijmitaritë e tyre artistike. Pasi që është roli artistëve dhe njerëzve kreativë që t’i vënë në pikëpyetje normat shoqërore dhe të nxisin mendimin kritik dhe ndryshimet pozitive në shoqëri.

Për këtë arsye, sipas Dješkas është humbje kohe të bëhet diçka që nuk lidhet me çështje shqetësuese brenda shoqërisë, me problemet për të drejtat e njeriut apo diçka tjetër të rëndësishme.

“Mendoj se shumë filma po bëhen në këtë mënyrë kohët e fundit, në lidhje me të drejtat e grave, minoriteteve, emigrantëve etj, sepse njerëzit janë më të vetëdijshëm për këto çështje dhe po bëjnë filma për to. Do të doja të isha një nga këta njerëz që frymëzojnë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë,” tha në fund Dješka.

Por ndryshimi vjen nëpërmjet rezistencës, apo jo?

Edhe pse Dješka mendon se qytetarët e Pejës nuk ka dashur t’i provokojë, nëse analizohet situata prej një konteksti kosovar – çdo gjë që rrezikon sistemin patriarkal ose brishtëson në ndonjë mënyrë traditat e jetesës iluzioniste shqiptare – nga populli jonë shihet si sulm. Provokimi jo gjithherë duhet të shihet nga spektri negativ si diçka me tendencë.

Personat queer thjesht duke ekzistuar e duke qenë vetvetja, janë një akt revulcionar më vete. Nëse njerëzit e tjerë ndihen të kërcënuar dhe të provokuar për shkak se tjetri guxon të jetë vetvetja, atëherë le ta pyesin veten pse po ndihen ashtu! Ai provokim i perceptuar është problem i tyre, e me të cilin duhet të merren ata vetë. Secili njeri e ka të drejtën e të qenit vetvetja, e shprehjes se vetes, e rregullimit dhe veshjes së vetes – këtë e kemi edhe të garantuar me ligj secili. Dhe nëse të tjerët e perceptojnë si provokim kur dikush e shpreh veten ashtu siç i vie pa i bërë dëm askujt, duke mos u konformuar e përshtatur me normat dhe pritshmëritë e shoqërisë – atëherë le ta dinë se ai provokim është një emocion dhe mendim që ia vlen të rishqyrohet nga një këndvështrim i ri, sepse aty ndodhet një mundësi për ndryshim të vetes dhe fobive të pabaza. 

Shumë persona e shprehnin homofobinë përmes fjalive “Peja nuk njihet për këto sende” dhe “Fëmijët po ekspozohen dhe do të bëhen queer”! Këta persona duhet njëherë e mirë t’ia rikujtojnë vetës se personat queer kemi ekzistuar dhe do të ekzistojmë gjithmonë në cdo cep të botës dhe se nga Peja kemi artistë dhe persona queer të cilët për shkak të homofobisë dhe transfobisë janë detyruar të largohen nga Peja. Në anën tjetër fëmijët nuk “indoktrinohen” por lindin të tillë dhe lufta jonë është që çdo fëmijë të rritet në një ambient të sigurt dhe pranues për të qenë vetvetja dhe jo në ambiente të cilat e shtypin dhe i traumatizojnë për t’i shtyer tutje të bëjnë jetë të dyfishtë ose të largohen nga vendi i lindjes.  

E pavarësisht se në Prishtinë ka më tepër dukshmëri të personave queer dhe aktivitete për komunitetin, në qytetet dhe zonat tjera të Kosovës ka akoma shumë punë për të bërë për ta arritur këtë. Dhe ndryshimet nuk do të vijnë e as nuk do të vërehen askund në qoftë se nuk ndërmerret strategji e tillë si e Anibarit: e drejtpërdrejtë, ashiqare, e patrembur dhe e zëshme.

Për ta arritur ndryshimin kërkohet rezistencë, dhe ne e vërtejtëm një shpresë të re të lindur tek disa qytetarë të Pejës.

Granit Gashi nga Peja, aktivist i të drejtave të njeriut dhe pjesëtar i shoqërisë civile, na tha që ndihet krenar që Anibari e ka përfshirë kështu hapurazi çështjen queer sivjet, pasi që sipas tij nuk ka dashni e pranueshmëri copa-copa, duhet me qenë krejt, e tërësishme.

“Rritja në Pejë osht si në shumicën e vendeve t’Kosovës, përveç që diferenca këtu osht që osht ma e shprehun dhuna, pjesa toksike e maskulinitetit që ka të bëjë me inatin, mërinë, që nuk tentohet me u vetërregullu, nuk tentohet me u vetëpërmbajtë. E qikjo mandej u shpërfaqë shumë, ka qenë për një kohë të gjatë vend shumë i dhunshëm, me vrasjet ma t’nalta, me konflikte mes familjes, ku u ndjek tradita e çka mos për me ardh deri te dhuna dhe konflikti. E ky maskulinitet toksik deri tash e ka ngushtu shumë hapësinën për njerëzit queer me tentu së paku me i dhonë lirisë personale hapësinë, e lemo me dal te publikja,” shpjegoi Gashi. 

Për shkak të këtyre rrethanave dhe traumave që ka dëshmuar e përjetuar gjatë rritjes së tij në Pejë, ai ka pasur frikë se mos do të ketë ndonjë reagim më të dhunshëm ndaj tematikës queer nga qytetarët, mirëpo gëzohet që nuk ka pasur të tillë. 

Reagimet gjatë festivalit ishin: një grup i qytetarëve kanë vandalizuar muralin e sivjetshëm të festivalit, duke e lyer ylberin me ngjyrë të zezë. Disa të tjerë  kundërshtimet e tyre i kanë shprehur përmes gjuhës së urrejtjes nëpër rrjete sociale. Grupet më të organizuara në këtë kundërshtim janë prijësit fetarë musliman dhe tifozët e klubeve futbollistike dhe basketbolliste të Pejës. Këto ditë në xhamitë e Pejës në mënyrë të organizuar u ligjërua kundër personave LGBTQ+ dhe festivalit Anibar.

Gashi e vlerëson si shumë njerëzore mënyrën se si e ka trajtuar ekipi i Anibarit kundërshtimin nga qytetarët. 

“Osht tu e menaxhu në mënyrë të butë konfliktin me tjerët edhe pse osht tu u sfidu në bazë ditore, me ofrimin me dashni që osht tu e bo shumë t’mirë”, tha Gashi.

E për drejtorin artistik Gora, këto kundërshtimë janë një shtysë shtesë që veç sa i motivon të punojnë e ta çojnë kauzën sa më përpara. Ai shprehu dëshirën që edhe pas përfundimit të këtij edicioni të festivalit Anibar, çështjet queer të vazhdojnë të jenë të zëshme në Pejë.

“Ish konë mirë aktivitetet për temat queer me vazhdu në qytetin e Pejës. Ndoshta ka me ardh ni grup i njerëzve mas festivalit për me i shty përpara kauzat e komunitetit queer, me pas aktivitete queer, me ja nisë me u normalizu edhe këto, e pse jo mbas do viteve me pasë Paradë të Krenarisë edhe në Pejë”, tha me optimizëm Gora.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top