Tu e lexu qitash
Historike: Vezirja, mbretëresha drag e parë shqiptare në Drag Race Italia

Historike: Vezirja, mbretëresha drag e parë shqiptare në Drag Race Italia

Ndonëse thuhet se data 13 në një të premte sjell ters, 13 tetori i këtij viti do të mbetet gjithmonë një datë historike për kulturën drag shqiptare. Kjo për faktin se në sezonin e ri të Drag Race Italia që fillon sot, për herë të parë në histori, një mbretëreshë drag shqiptare do të jetë pjesë e këtij spektakli botëror.

Zhvillimi i hovshëm i kulturës drag në Shqipëri e Kosovë është lehtësisht i dukshëm. Ndikimi i këtij zhvillimit kulturor ka rëndësi të shumëfishtë për personat LGBTQ+ dhe lëvizjen, qoftë në shërbim të fuqizimit të komunitetit apo edukimit të popullatës.

Kur flasim për kulturën drag shqiptare, sidomos atë në Shqipëri, pa dyshim që sinonimi kryesor është Vezirja.

Vezirja është një emër i njohur dhe shumë i dashur për qytetarë të të gjitha moshave. Ajo është mbretëreshë drag, e cila i ka thyer kufinjtë në çdo mënyrë të mundshme; ka thyer kufinjtë shoqëror e kulturor duke ‘pushtuar’ hapësirat televizive dhe jo vetëm për ta prezantuar artin e saj dhe për ta njoftuar publikun me kulturën drag; ka thyer edhe kufinjtë fizik duke bashkëpunuar me artistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe duke performuar në shtete të ndryshme të Evropës, duke përfshirë edhe Maltën.

Vezirja është e njohur edhe për paroditë e saj, të cilat numërojnë mijëra, e disa edhe miliona klikime në Youtube. Këto parodi, veçanërisht “Sufllaqe” dhe “Fama Mama”, kanë qenë shumë shpesh virale në Shqipëri dhe Kosovë duke depërtuar te të gjitha moshat.

Në sezonin e tretë e cila fillon transmetimi televiziv me 13 tetor, do të performojnë 13 mbretëresha drag, ne mesin e tyre dhe mbretëresha Vezirja. Juria është e përbërë nga Chiara Francini, Paola Iezzi, Paolo Camilli dhe Priscilla, të cilët do të gjykojnë garueset çdo javë në bazë të sfidave të ndryshme. Po ashtu, producent edhe këtë sezon do të jetë Dimitri Cocciuti.

Më e dashura Vezirja bëhet mbretëresha drag e parë shqiptare që merr pjesë në garën më të famshmë të kulturës drag në botë, RuPaul’s Drag Race. Ky është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për karrierën e bujshme të Vezires, por edhe për kulturën drag ballkanike, sidomos atë shqiptare.

Pjesëmarrja e Vezirës në Drag Race Italia është njohje e talentit të saj të jashtëzakonshëm, shpirtit artistik, karakterit drag dhe një karriere të suksesshme në fusha të ndryshme të artit. Ngjashëm, kjo pjesëmarrje është edhe njohje e kulturës drag shqiptare dhe artistëve drag shqiptar. Ndërsa ky sukses i Vezirës do te jetë inspirim për shumë performuesë drag duke vërtetuar se talenti dhe zellshmëria janë çelsi i suksesit që hapin çdo derë.

Ne jemi jashtëzakonisht të lumtur për suksesin e Vezirës dhe e falenderojmë atë për prezantimin e dinjitetshëm e kulturës drag shqiptare. Po ashtu, Vezirës i dëshirojmë shumë suskese në rrugëtimin e saj në këtë garë dhe në skenat botërore. 

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top