Tu e lexu qitash
Hapet zyrtarisht Java e Krenarisë, por jo për presidenten e kryeministrin

Hapet zyrtarisht Java e Krenarisë, por jo për presidenten e kryeministrin

Përderisa personat LGBTIQ+, aleatët, aktivistët e shumë te pranishëm të tjerë u bënë gati për të hapur Javën e Krenarisë, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti e neglizhuan atë – me vizita jashtë vendit. Osmani ka qenë ditëve të fundit në El Salvador, ndërsa Kurti në Turqi.

Java e Krenarisë, ngjarja kryesore të vitit që shfrytëzohet për të rritur dukshmërinë dhe avokimin, për të treguar solidaritetin e për të reflektuar mbi arritjet dhe humbjet e komunitetit LGBTIQ+, me mungesën e figurave kryesore politike dërgon një mesazh shqetësues për nivelin e mbështetjes që nuk po marrin personat queer. 

Mungesa e presidentes dhe kryeministrit nënvizon luftën e vazhdueshme për pranim dhe njohje të plotë të të drejtave LGBTIQ+ në Kosovë. Pikërisht ky është një moment reflektues, i asaj se sa po angazhohet Qeveria për të mbështetur parimet e barazisë dhe të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e saj.

Slogani i Javës së Krenarisë së këtij viti, “Kemi qenë dhe do t’jemi”, rezonon thellë me eksperiencat e dylberave në Kosovë. Ministrja Albulena Haxhiu në hapjen e Javës së Krenarisë kujton mesazhin e lirisë dhe jetës.

Kemi qenë dhe to t’jemi” është pikërisht përgjigja për të guxuar dhe për të treguar se nuk jemi këtu për të mbijetuar por jemi për të jetuar dhe për të dashuruar të lirë,” thotë në fjalimin e saj, ministrja Albulena Haxhiu.

Ndër të tjera ajo thekson se nëse do të votohej kodi civil, ai do t’i hapte rrugë ligjit për bashkim civil dhe martesa, mirëpo ajo asnjëherë nuk foli për mospërkushtimin e Qeverisë në këtë aspekt.

Tutje, Haxhiu tregon nevojën për shtetin e së drejtës duke theksuar se ai “është bazamenti i drejtësisë, demokracisë dhe zhvillimit, është e pamundshme që një shtet të jetë i drejtë nëse nuk ndërtohet mbi parimin e sundimit të ligjit dhe barazisë së të gjithë qytetarëve. Shteti i së drejtës është atëherë kur të gjithë qytetarëve ua mundëson të drejtat që u takojnë”

Ne këtë mbledhim, e pranishme ishte edhe deputetja Mimoza Kusari-Lila, në fjalimin e saj edhe ajo flet për kodin civil duke dëshiruar që ky moment të festohej brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës, “Jam shumë e lumtur që jemi në ballkonin e hapur të qeverisë, por do të doja të ishim në Kuvendin e hapur të Republikës së Kosovës, do doja që Kuvendi i republikës me një akt, qoftë edhe legjislativ, që e bën hapin e parë drejt njohjes dhe barazisë për të gjitha çiftet LGBTI, të ketë kaluar tashmë Kodin Civil. Fatkeqësisht nuk kemi mbrri në atë pikë, jo që kjo është çështje politike, por mungon një guxim njerëzor”.

Krejt në fund, Arbër Nuhiu drejtor ekzekutiv në organizatën CSGD, e përqëndron vëmendjen te strehimorja për personat LGBTIQ+, ku thotë se “mungesa e strehës dedikuar personave LGBTIQ+ e premtuar para 4 viteve nga Komuna e Prishtinës vështirëson edhe më shumë sfidat ekzistuese të personave LGBTIQ+. Kryetarit të kryeqytetit i bëj thirrje, edhe pse nuk është këtu, jemi në pritje të lajmit për fillimin e ndërtimit të strehimores për personat LGBTIQ+, u bënë 4 vjet!”

Arbëri shprehë njashtu se lëvizjet e ardhura nga grupet radikale fetare janë duke cenuar të drejtat LGBTIQ+ të arritura deri tani. 

“Personat LGBTIQ+ janë përballur me një gjuhë të urrejtjes dhe diskriminim për kohë të gjatë, por kohëve të fundit ka pasur rritje të dukshme të sulmeve nga grupe konservatore. Kjo po shfaqet në forma të ndryshme si gjuhë nënçmuese, sjellje përjashtuese madje edhe përpjekje e grupeve të caktuara për të hequr të drejtat dhe mbrojtjen e personave LGBTIQ+ të cilat u fituan me shumë vështirësi.

Shpreh po ashtu mllef për deputetët, që pavarësisht privilegjeve e betimit për ta mbrojtur Kushtetutën, nuk i përkrahin njerëzit queer.

“Një pjesë e madhe e shkelësve të drejtave të njeriut vijnë mu nga ata e ato individë të cilët janë avancuar dhe janë privilegjuar pikërisht nga këto vlera të këtij sistemi demokratik që e ka shteti i Kosovës, ku më pas këto vlera demokratike këta deputetë i kundërshtojnë nën pretekstin se këto vlera nuk i përfaqësojnë vlerat e familjes. Deputetë që nuk shqetësohen fare pse shkelin premtimin e deputetit, pse e shkelin Kushtetutën, deputetë që nuk po mund të qëndrojnë dinjitetshëm në rolin e tyre publik të deputetit.”

Kujtojmë që në vitin 2017 Ramush Haradinaj u bë kryeministri i parë kosovar që e ka hapur javën e krenarisë në Zyrën e Kryeministrit, ndërsa Hashim Thaçi i pari president kosovar që mori pjesë në Paradën e Krenarisë.

Ndërsa Java e Krenarisë do të zgjasë deri me 8 qershor, është thelbësore që ne të reflektojmë kolektivisht mbi rëndësinë e mbështetjes dhe avokimit për të drejtat LGBTIQ+. Ne kemi qenë dhe do t’jemi këtu gjithmonë, pavarësisht refuzimit e injorimit të grupeve të ndryshme, institucioneve e personave publik.

Agjendën e plotë të Javës së Krenarisë në Prishtinë mund ta gjeni këtu.

Urime Java e Krenarisë. 

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top