Le ta dinë të gjithë se Parada e Krenarisë mbahet të shtunën në Shkup
Dylberat në Maqedoninë e Veriut do të marshojnë më 20 qershor në Paradën e 8-të të Krenarisë në Shkup, nën sloganin “Të gjithë le ta dinë / Let Everyone Know”.
Organizatorët thonë se slogani i këtij viti është një kundërpërgjigje ndaj heshtjes që u servohet personave queer si kusht për siguri dhe pranim, si dhe ndaj fshirjes sistematike të tyre nga hapësira publike, kultura dhe memoria kolektive. Ata theksojnë se personat LGBTIQ+ janë pjesë e familjeve, miqësive, vendeve të punës dhe jetës së përditshme, pavarësisht përpjekjeve për t’i mbajtur të padukshëm.
Në deklaratën e tyre me rastin e Muajit të Krenarisë, organizatorët vlerësojnë se komuniteti po përballet me rritje të gjuhës së urrejtjes, diskriminimit dhe regres të të drejtave të fituara më parë, në një periudhë pasigurie politike dhe shoqërore, institucionesh jofunksionale dhe forcimi të politikave konservatore.
“Jemi të lodhur, të zhgënjyer dhe të zemëruar, por refuzojmë të pranojmë se jetët tona lejohen vetëm pas dyerve të mbyllura”, kanë deklaruar organizatorët, duke nënvizuar se prania e personave queer në hapësirën publike mbetet ende një akt politik.
Grumbullimi i pjesëmarrësve do të nisë në orën 18:00 te Fontana në Parkun e Qytetit, ndërsa marshi do të fillojë në orën 19:00. Itinerari përfshin bulevardin Ilinden, rrugën Rooseveltova, bulevardet Partizanski Odredi dhe VMRO, si dhe rrugën Dimitrie Çupovski, për t’u përmbyllur te Parku “Gruaja Luftëtare”.
Sipas organizatorëve, zgjerimi i itinerarit këtë vit ka edhe domethënie simbolike. Duke kaluar nëpër disa nga rrugët kryesore të qytetit, parada synon të riafirmojë se hapësira publike u përket njësoj të gjithë qytetarëve.
Përveç marshit, Skopje Pride 2026 ka prezantuar edhe tri kërkesa kryesore politike. E para është miratimi i një ligji për partneritetet e personave të të njëjtit seks, një projektligj që ekziston prej vitesh, por ende nuk është sjellë për votim. E dyta është përfshirja e qartë e identitetit gjinor dhe karakteristikave interseks në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ndërsa kërkesa e tretë lidhet me krijimin e një procedure për njohjen ligjore të gjinisë, një obligim që shteti ende nuk e ka përmbushur pavarësisht vendimeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Organizatorët kanë bërë të ditur se janë në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe policinë për zhvillimin e sigurt të ngjarjes, ndërsa kanë dërguar edhe një mesazh solidariteti për të gjithë ata që do të marrin pjesë për herë të parë në marsh.






