GIMI sjell videoklipin “DADDY”, një homazh për kulturën e cruising-ut
Pas premierës ekskluzive në edicionin e katërt të Prishtina Queer Festival, artisti kosovar me bazë në Kopenhagë, GIMI, ka publikuar videoklipin e ri “DADDY”, një rrëfim vizual për dëshirën, shikimet dhe lojën e ndjekjes në botën e takimeve cruising
I xhiruar gjatë natës në Amager Fælled, një hapësirë publike në Kopenhagë e njohur edhe për takime cruising mes burrave queer, videoklipi ndjek GIMI-n teksa kërkon intimitet me katër burra më të moshuar. Të katër “daddy”-t në videoklip janë përzgjedhur nga vetë GIMI përmes aplikacionit të takimeve Grindr, duke e lidhur edhe më drejtpërdrejt botën virtuale të takimeve me atë fizike.
“DADDY” nuk përqendrohet te seksi, por te ajo që ndodh para tij: shikimet që zgjasin pak më shumë se zakonisht, tensioni i pritjes, bisedat që lëvizin rreth e rrotull dhe ndjekja. Videoklipi e trajton dëshirën queer si diçka njëkohësisht tërheqëse, të pasigurt dhe të rrezikshme, duke e vendosur intimitetin në hapësira që nuk janë krijuar për ta akomoduar atë.

Hapësirat publike, veçanërisht parqet dhe vendet periferike të qyteteve, kanë qenë historikisht pika takimi për dylbera që kanë kërkuar mënyra për ta shprehur dëshirën jashtë normave heteroseksuale. “DADDY” rikthehet te kjo atmosferë, tashmë të ndërthurur me aplikacionet e takimeve, ku një shikim në errësirë mund të fillojë me një profil në ekran.
Edhe muzika e përforcon këtë atmosferë. Ritmi pulsues ndërthur ritmet ballkanike dhe elemente të muzikës tradicionale shqiptare me tinguj të elektronikës dhe pop-it. Përmes kësaj përzierjeje, kënga prek edhe dinamikat e pushtetit, dëshirës dhe mënyrës se si trupi bëhet njëkohësisht objekt dhe burim i dëshirës.
“Për një kohë të gjatë, intimiteti queer është dashtë me ekzistu në errësirë, përmes shikimeve, heshtjes dhe vendeve ku askush nuk ka shiku. Kam dashtë me kriju një film rreth atij tensioni dhe me e nxjerrë në dritë”, thotë GIMI.

“DADDY” u shfaq për herë të parë në Prishtina Queer Festival në shtator 2026, ku u prezantua para një salle të mbushur me publik.
Videoklipi është pjesë e albumit debutues të GIMI-t, Greatest Hits, të publikuar në nëntor 2025.
Albumin debutues të GIMI-t të titulluar Greatest Hits mund ta dëgjoni përmes kësaj vegze.
GIMI është artist, kantautor dhe producent danez/kosovaro-shqiptar, i ndikuar nga kultura pop e MTV-së së fillimit të viteve 2000 dhe muzika tradicionale shqiptare. I rritur në qytetin kufitar të Padborgut, ai ka jetuar në Londër dhe aktualisht jeton në Kopenhagë.
GIMI është diplomuar në Rhythmic Music Conservatory në Kopenhagë, institucion i lidhur me skenën e re daneze të alt-pop-it. Albumi i tij debutues, Greatest Hits (2025), është realizuar nga një ekip tërësisht i përbërë nga gra, nën drejtimin e TMI Tammi dhe Kristine Hoff, dhe trajton në mënyrë ironike iluzionin, vetëbesimin dhe dëshirën për t’u bërë yll i muzikës pop.
GIMI ka marrë mbështetje nga BBC Introducing, është promovuar nga The Line of Best Fit dhe është përfshirë nga Paper Magazine në listën “50 LGBTQ+ Musicians You Should Prioritise”.






