Tu e lexu qitash
Aktivistja e të drejtave trans Marsha P. Johnson festohet nga Google me rastin e përfundimit të Muajit të Krenarisë

Aktivistja e të drejtave trans Marsha P. Johnson festohet nga Google me rastin e përfundimit të Muajit të Krenarisë

Marsha P. Johnson, aktivistja pionere trans dhe ikona e Stonewall, është nderuar në ditën e fundit të Muajit të Krenarisë me një ilustrim – Google Doodle.

Një grua trans e zezë, aktiviste e të drejtave civile, mbretëreshë drag dhe punonjëse seksi, Johnson është më e njohur për përfshirjen e saj në kryengritjen Stonewall të vitit 1969.

Kush ishte Marsha P. Johnson?

Pasi u njoh në fillim me emrin “Marsha e Zezë” në skenën queer të Nju Jorkut, ajo vendosi emrin në Marsha P. Johnson, duke thënë se P qëndron për “pay it no mind/mos e vrit mendjen”, qëndrimi i saj ndaj kritikave mbi identitetin dhe shprehjen e saj gjinore.

Ajo ishte një nga personat queer që protestuan kundër policisë së dhunshme që kishin bastisur Stonewall Inn më 28 qershor 1969, duke sulmuar dhe ngacmuar njerëz queer me ngjyrë për krimin e thjeshtë ekzistencës.

Shpesh është thënë gabimisht që Johnson hodhi tullën e parë të Stonewall – megjithatë ajo ka thënë se nuk arriti në Stonewall derisa “vendi ishte në zjarr … [dhe] trazirat kishin filluar”.

Në vitin 1970, ajo themeloi “Street Transvestite Action Revolutionaries” e njohur ndryshe si “STAR”, me shoqen e saj Sylvia Rivera.

Organizata ndihmoi të rinjtë trans dhe queer, të cilët ishin refuzuar nga familjet e tyre dhe kishin mbetur pa shtëpi.

Johnson kushtoi jetën e saj për të ndihmuar të tjerët në komunitetin queer, pavarësisht se ka vuajtur vetë nga problemet e shëndetit mendor.

Ajo u mbiquajt “Shenjtorja e Rrugës Christopher”, pas rrugës ku është Stonewall Inn.

Mjerisht, Johnson vdiq në 1992. Vdekja e saj u deklarua një vetëvrasje, megjithatë miqtë e saj e kanë kundërshtuar prej kohësh këtë.

Google Doodle ilustruar nga një person queer me ngjyrë.

Google Doodle, apo ilustrimi në faqen kryesore në Google, i cili tregon Marsha P. Johnson të veshur me ngjyra të flamuit të krenarisë që valviten në sfond, u krijua nga artisti queer nga Los Angeles, Rob Gilliam.

Gilliam tha: “Si një person queer me ngjyrë, i kam borxh shumë Marshës.

“Ajo ishte katalizatori për çlirimin tonë, forca shtytëse e lëvizjes që u ka dhuruar shumë prej nesh të drejtat dhe liritë, të cilat ne më parë as nuk mund t’i ëndërronim.

“Marsha krijoi një hapësirë ​​për ne në shoqërinë perëndimore përmes trimërisë fuqizuese dhe refuzimit për të heshtur.”

Ai tha se shpreson kur njerëzit do ta shohin ilustrimin e tij, ata do mbajnë mend që Johnson avokoi që komuniteti LGBTQ+ të mblidhej për një qëllim të përbashkët.

Gilliam tha: “Marsha e dinte se çelësi i vërtetë i çlirimit ishte ndërlidhja. Lëvizja origjinale e Krenarisë tërhoqi pjesëmarrësit nga të gjitha linjat e klasës, racës, seksualitetit dhe shprehjes gjinore dhe bashkoi një komunitet të tërë.

“Kohët e fundit kanë qenë jashtëzakonisht përçarëse, dhe është shumë e lehtë të fokusohemi në ato gjëra që na ndajnë në krahasim me festimin e ngjashmërive që ndajmë. Unë mendoj se ne të gjithë mund të ishim pak më shumë si Marsha në këtë drejtim.

“Të gjithë kanë identitetin e tyre unik, të fuqishëm, të gjallë- dhe kur i përqafojmë këto dallime, ne bëjmë një hap drejt ndërtimit të komuniteteve më të forta.”

Për të nderuar jetën e Johnson me veprën e artit, Google është angazhuar të dhurojë 500,000 dollarë në Institutin Marsha P. Johnson, i cili “mbron të drejtat e transgjinorëve të zi”.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top