BIK reagon për Projek Kodin e ri Civil: i papranueshëm sepse bie ndesh me parimet fetare, natyrën njerëzore dhe cenon kodin e familjes

Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar sot në një deklaratë mbi Projekt Kodin e ri Civil, ku sipas Ministrit Selimi “hapet rrugë për ligje të reja që mundësojnë martesat e seksit të njëjtë”.

Përmes kësaj deklarate, ky institucion fetar kërkon nga Ministria e Drejtësisë që të heq dorë nga ky projekt dhe mos t’i hapet rrugë iniciativave të tilla të cilat bien ndesh me “thelbin e jetës dhe natyrshmërinë e njeriut”.

“Ky shqetësim dhe thirrje e jona si institucion fetar, si besimtarë dhe si qytetarë të këtij vendi synon vetëm ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave tona fetare e besimore, tradicionale e kombëtare.

Shoqëria jonë nuk është një shoqëri diskriminuese, por kur bëhet fjalë për të ardhmen e brezave, për familjen dhe për natyrshmërinë e njeriut, nuk mund të heshtim e të tregohemi indiferent ndaj diçkaje që shkon kundër thelbit të jetës sonë edhe kundër vullnetit të Zotit.

Për ne familja është e shenjtë, prej së cilës varet edhe vazhdimësia e jetës dhe e llojit njerëzor mbi tokë.

Familje ose fole familjare është vetëm ajo e ngritur nga martesa e një burri dhe një gruaje dhe kjo përbën një prej shtyllave më të rëndësishme të shoqërisë. Fortësia dhe qëndrueshmëria e saj është edhe fortësia dhe qëndrueshmëria e kombit dhe e shtetit.” – thuhet në deklaratën e BIK-ut.

Sipas BIK-ut: “Martesat e së njëjtës gjini nuk i shohim si pjesë të traditës sonë të përbashkët dhe të të gjithë elementeve që përbëjnë këtë komb. Ne kemi një traditë të shkëlqyer familjare dhe kjo është një vlerë për shoqërinë tonë, vlerë të cilën nuk duam dhe nuk kemi pse ta humbasim.”


Në fund të deklaratës është bërë thirrje ndaj përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Kosovës, “pavarësisht përkatësisë partiake të tyre, që mbi të gjitha të kenë parasysh të mirën e familjes, shoqërisë dhe vendit tonë, ngase bërthama e shoqërisë është familja e jo individi, dhe i bëjmë thirrje publikisht të mos e miratojnë këtë kod civil si të tillë.”

Një deklaratë e tillë nuk është diçka e papritur nga Bashkësia Islame e Kosovës. Ky institucion është përfshirë në skandale të shumta në të cilat është shfrytëzuar besimi i komunitetit mysliman në Kosovë, si shumicë fetare, për të mbuluar keqpërdorimet dhe abuzimet në të cilët ky institucion është përfshirë disa herë.

Duke ditur se martesat mes seksit të njëjtë dhe komuniteti LGBTQ+ është një prej temave në të cilat bashkohen komunitetet e shumta në shpërndarjen e urrejtes dhe diskriminimit, ky institucion shfrytëzon këtë momentum për të marrë mbështetjen e besimtarëve homofobë.

Është interesant fakti se ky instititucion, martesat e së njëjtës gjini i konsideron të papranueshme sepse bien ndesh me parimet fetare, natyrën njerëzore dhe cenon kodin e familjes, ndërsa nuk ka problem promovimin e martesave të hershme, dhe nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për skandalin seksual të vitit 2018 në të cilin disa zyrtarë të BIK-ut janë akuzuar për abuzim seksual ndaj të miturve, nxënës të Medresesë Alaudin.

Teologu Emin Behrami i cili ishte larguar në vitin 2010 nga Bashkësia Islame e Kosovës që udhëhiqej nga Naim Tërnava ka folur për skandal seksual që e kishte përfshirë Medresënë ‘Alaudin’.

Behrami ka thënë se fillimisht kishte qenë myftiu Naim Tërnava që kishte akuzuar të gjithë profesorët për sjellje të pa hijshme ndaj nxënësve të kësaj medreseje.

Me disa dokumente mbi 60 faqe prova, ai ka thënë se në këtë skandal janë të përfshirë dhëdrri i myftiut Naim Tërnava, Bahri Simnica, dhe Shemsi Rrahimi i cili ishte edhe kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame.

“Mbi 60 faqe prova te pa kontestuara, se si Shemsi Rrahimi dhe kryetar në Këshillin e Bashkësisë dhe dhëndri i Naim Tërnavës, Bahri Simnicia ish drejtor i Medresesë janë përfshirë në këtë skandal. Gati sa nuk e lanë mend Myftiun Ternava. Deklarata nga vetë nxënësit, se në çfarë mënyrë të pistë i kanë shfrytëzuar përsonat në fjalë. Ato janë të turpshme që kryheshin brenda medresesë. Dhe Myftiu dëshironte që kjo akuzë të mbetej e përgjithësuar, por unë i shkova deri në fund”, kishte thënë Behrami në emisionin Frontal në T7.

Teologu Behrami ishte shkarkuar posa filloi të fliste publikisht për këto çështje.

Për më tepër, BIK-u injoron faktin se ka besimtarë të shumtë musliman të cilët praktikojnë fenë islame dhe janë LGBTQ+.

Në shumë vende muslimane në botë, homoseksualizmi vazhdon të jetë i ndaluar me ligj, në disa prej tyre edhe dënohet me vdekje.

Ndërsa në vendet perëndimore, muslimanë të shumtë po dalin hapur gjithnjë e më shumë, duke deklaruar se mund të jesh edhe musliman edhe LGBTQ+.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top