“Dashuria bën familjen” graffiti i ri queer në Tiranë
Një graffiti që shfaq një çift lezbik me mbishkrimin “Dashuria bën familjen” është përfunduar sot në Tiranë nga artistja Lili Nazarov.
Frymëzimi për këtë graffiti, të mbështetur nga Aleanca LGBT, është rasti i çiftit lezbik shqiptar i cili në janar të këtij viti u bënë nënë e vajzave binjake pas dhjetë vitesh bashkëjetese, rasti i parë i njohur i tillë në Shqipëri. Çifti vazhdon të përballet me mosmarrëveshje dhe një betejë të mundshme ligjore pasi Regjistri Civil u tha atyre se mund ti regjistronin foshnjat si të lindura nga një nënë e vetme por se nuk mund të regjistrohen me dy prindër nëna.
“Synimi im për të bërë këtë mbishkrim është të rris dukshmërinë e kësaj çështje dhe të mos hesht kundër tabusë së “konceptit familjar” që krijon diskriminim” tha artistja Nazarov në mbishkrimin e saj në Instagram.
“Nuk është femra dhe mashkulli që e bëjnë familjen një familje; është DASHURIA, dhe dashuria nuk ka gjini/seks /identitet. Të jesh prind nuk ka të bëjë me të qenit mashkull dhe femër, ka të bëjë me të qenit prind” përfundoi ajo.