Tu e lexu qitash
8 raste me HIV pozitiv janë regjistruar gjatë vitit 2021 në Kosovë

8 raste me HIV pozitiv janë regjistruar gjatë vitit 2021 në Kosovë

Sot u shënua 1 dhjetori që është caktuar si Ditë Botërore kundër Sidës që nga viti 1988, e dedikuar për ngritjen e vetëdijes ndaj kësaj pandemie.

Kjo datë është njëra nga tetë fushatat zyrtare globale të shëndetit publik, të shënuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Tetë raste të reja pozitive me HIV/AIDS janë regjistruar gjatë këtij viti në Kosovë, raporton Koha.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në një raport mbi epideminë e HIV/AIDS-it, tregon se që nga viti 1986, kur në Kosovë është paraqitur rasti i parë, janë shënuar 139 raste pozitive. 50 prej tyre kanë humbur betejën me këtë virus.

Nga të infektuarit e këtij viti, është edhe një i moshës nën 15-vjeçare.

“Në vitin 2021, janë raportuar 8 raste me HIV infeksion, prej tyre 7 janë nga komuniteti MSM (marrëdhënie mes meshkujve) dhe një fëmijë nën moshën 15 vjeç”, thuhet në raportin e IKSHPK-së.

 “Kosova klasifikohet si vend me prevalencë te ulët të HIV-it në mesin e popullatës së përgjithshme dhe prevalencë të ulët në mesin e popullatës kyçe: meshkujt që bëjnë seks me meshkuj (MSM), personave që injektojnë droga (PID) dhe femrave punëtore të seksit (FSK). Të dhënat ekzistuese dëshmojnë se ne nuk kemi epidemi të gjeneralizuar apo të përqendruar të infeksionit HIV”.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se siguron terapinë ARV për te gjithë te infektuarit me HIV.

Trajtimi i rasteve me HIV bëhet në Kliniken Infektive të QKUK-së.

“Edhe gjatë këtij viti, edhe përkundër Pandemisë në asnjë rast nuk është ndërprerë dhënia e kësaj terapie” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë me rastin e shënimit të 1 dhjetorit.

Kqyre edhe qito

Qendrat e Këshillimit dhe Testimit Vullnetar për HIV në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile ofrojnë shërbime për të gjithë personat që duan të dijnë statusin e tyre për HIV shoqëruar me një këshillim profesional për të ndihmuar ata të përshtaten me rezultatin e testimit.

Në nivel botëror, llogaritet se jetojnë rreth 38 milionë persona me HIV. Në fund të vitit 2020 ishin rreth 38 milionë.

Që nga shfaqja e kësaj pandemie në fillim të viteve ’80, në botë janë regjistruar 79.3 milionë raste pozitive. Gjatë vitit 2020, kanë vdekur 680 mijë persona si pasojë e HIV-it, ndërkohë janë shënuar edhe 1.5 milionë raste të reja.

“Llogaritet se rreth 62% të infeksioneve të reja në mbarë botën i takojnë grupmoshave 15-49 vjeç dhe grupacioneve të veçanta (narkomanët, punëtorët e seksit, transgjinorët, të burgosurit, meshkujt që kanë seks me meshkuj)”, thuhet në raport.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top