Tu e lexu qitash
Davidi, burri transgjinor që shkroi historinë

Davidi, burri transgjinor që shkroi historinë

Ditën Ndërkombëtare të Dukshmërisë së Personave Transgjinorë, por edhe çdo ditë tjetër, është shumë e rëndësishme të flasim dhe njerëzojmë përvojat e personave transgjinorë. Është e rëndësishme të njohim dhe vlerësojmë identitetin e gjithsecilit, sidomos kur njohja e këtij identiteti dhe manifestimi i tij përballet me një betejë të frikshme, që kurrë nuk përfundon.

Të jesh një burrë transgjinor në një shoqëri normative, homofobike e transfobike si ajo shqiptare nuk është e lehtë. Përkundrazi, është një sfidë e betonuar mbi themele të shtypjes, diskriminimit dhe përjashtimit.

E tillë është edhe eksperienca e Davidit, një ndër burrat e parë transgjinor në Shqipëri që ka folur publikisht rreth identitetit të tij gjinor. Ai, tash e një vit, është i zëshëm në rrjetet e tij sociale, ku ndiqet nga mijëra njerëz, për identitetin e tij gjinor, të qenit transgjinor në një shoqëri shtypëse dhe për të qenit një aktivist LGBTIQ+. Së fundmi, Davidi doli publikisht edhe në një emision televiziv.

Vullneti dhe guximi i tij për të avokuar publikisht rreth trajtimit të barabartë dhe të dinjitetshëm të personave transgjinorë u përqafua nga një pjesë e shoqërisë, e cila qe e hapur dhe mikpritëse e një aktivisti transgjinor. Kemi përshtypjen se kjo ndodhi më shumë për shkak se kush Davidi është si individ se sa që shoqëria jonë është mikpritëse ndaj personave transgjinorë.

Pjesa tjetër e shoqërisë, e dominuar nga një urrejtje kolektive, e bëri Davidin cak të sulmeve, kërcënimeve, ofendimeve dhe linçimeve publike. Në fakt, një urrejtje të tillë Davidi ka kohë që e merr, prej kur foli hapur rreth të qenit transgjinor.  Është e frikshme dhe tejet shqetësuese urrejtja kolektive e euforike dhe organizimi homofobik e transfobik ndaj personave LGBTIQ+, sidomos ndaj personave transgjinorë.

Davidi, ndër të tjera, është fotoreporter tash e shumë vite. Sytë e tij kanë fotografuar ngjarje nga më të ndryshmet, individë të ndryshëm, organizime të ndryshme etj. Ai, pasionin e tij dhe atë që bënë më së miri, fotografinë, e ka përdor gjithmonë si platformë, si mjet social e politik. Përmes fotografisë, ai ka problematizuar çështje sociale dhe ka guxuar të portretizoi personazhe dhe grupe shoqërore të shtypura dhe të pa prezantuara në sferën publike.

“Personat transgjinorë janë tejet të vetmuar” shprehet Davidi duke rikujtuar sfidat me të cilat ai përballet që pas daljes hapur. Atij iu desh të edukonte gjithsecilin afër tij, të cilët edhe hezituan ta pranonin Davidin ashtu siç ai është. Familja e tij e pranoi më shumë për shkak të tolerancës që vie si rrjedhojë e dashurisë automatike se sa për shkak të kuptimit dhe respektimit të identitetit të tij gjinor.

Davidi – Fotografi nga Dylberizm, 2022.



Ai tregon se të qenit transgjinor është në “bekim i mallkuar”. Bekim për shkak të gjetjes se vetës, rehatisë, pranimit dhe dashurisë ndaj vetes. Kurse mallkim për shkak të shoqërisë, për shkak të rrethit shoqëror e familjar, për shkak të neglizhencës institucionale e shoqërore.

Për Davidin dhe personat tjerë transgjinorë është shumë problematike dhe e rrezikshme mungesa e angazhimit institucional në avancimin e të drejtave dhe lirive të personave transgjinorë duke filluar që nga ndryshimi i emrit apo/dhe shënjuesit të gjinisë, e duke vazhduar deri në të drejta më të avancuara që ndikojnë në jetën e përditshme të këtyre të fundit. Mungesa e shërbimeve psikologjike e mjekësore në shtetin shqiptar është një ndër problemet kryesore të personave transgjinorë. Marrja e këtyre shërbimeve që imponohet të bëhet në shtetet fqinje, pamundësohet për shkak të mungesës së shumës financiare.

Terapia hormonale, e pamundësuar në shtetit shqiptar, mbetet një ndër sfidat e radhës të Davidit. Për të është tejet e rëndësishme fillimi i kësaj terapie hormonale. Por, jetesa e mirëfilltë në Shqipëri është e vështire dhe e kushtueshme për çdo person, sidomos për grupet e shtypura. Punësimi dhe shkollimi janë ndër problemet kryesore të personave transgjinorë, të cilat përkthehen në mungesën e qëndrueshmërisë financiare të këtyre te fundit.

Ani pse Davidi punon fort dhe vazhdimisht, ai e ka të pamundshme financiarisht fillimin e terapisë hormonale në shtetet fqinje. Si pasojë, Davidi ka filluar një kampanjë për ngritjen e fondeve, përmes së cilës po synon arritjen e një shume të nevojshme për realizimin e ëndrrës dhe nevojës së tij.

Ju inkurajojmë të gjithë juve që keni mundësi të dhuroni aq sa keni mundësi për këtë kampanjë.


Pak mbështetje financiare nga të gjitha, shumë dashuri dhe mirëkuptim, do të nënkuptonte shumë për Davidin. Përmes fotografive dhe personalitetit të tij të dashur,  Davidi na fal botën dhe e sjell atë më afër neve. Kurse përmes kësaj kampanje, ne mund ta ja falim botën Davidit, botën që ai e meriton dhe e ka nevojë.

Davidi është një ndër aktivistët transgjinorë më të zëshëm. Ai është shumë vokal kundër çdo lloji të shtypjes dhe diskriminimit, sidomos ndaj personave LGBTIQ+.

Vegzën e kampanjës, në të cilën mund të dhuroni dhe të mësoni më shumë për Davidin, mund ta gjeni këtu.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top