Tu e lexu qitash
A janë gratë queer më të mira kur vjen puna te ndarjet?

A janë gratë queer më të mira kur vjen puna te ndarjet?

Për njerëzit queer — flirtimet, takimet, përvojat seksuale, dhe marrëdhëniet në përgjithësi duken dhe funksionojnë ndryshe nga ato të çifteve heteroseksuale.

Stereotipet duke filluar nga mënyra si duhet të duken gratë queer, e deri te lidhjet që ato kanë, janë të shumta dhe nuk qëndrojnë. Dramat stereotipizuese që hasen nëpër filma apo aspektet e ndryshme që diskutohen në shoqëri, si p.sh. “U-Haul” (stereotipi që i referohet idesë se gratë queer priren të fillojnë të bashkëjetojnë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore), nuk janë aspak të dobishme.

Këto gjëra priren të patologjizojnë partneritetet midis grave queer si tepër emocionale ose të varura nga njëra-tjetra. Të fillosh të bashkëjetosh me një njeri që sapo e ke takuar ndoshta nuk tingëllon si veprimi më i udhës, por është gjithashtu e mundur që rregullat e takimeve dhe afatet kohore të marrëdhënieve të jenë thjesht tjera dhe të vlejnë ndryshe për gratë queer. Idetë heterocentrike në lidhje me atë se kush bën lëvizjen e parë, a është e lejueshme të dalësh në takime me shoqërinë e ish-it, ose kur është marrëdhënia “duke ecur shumë shpejt” – nuk janë aspekte që zbatohen në të njëjtën mënyrë si te heteroseksualët.

Edhe kur vjen puna te ndarjet romantike, gjërat shkojnë më ndryshe te gratë queer. Komunitetet e grave queer mund të jenë veçanërisht të izoluara, dhe të qenit pjesë e një grupi të ngushtë mund të jetë e vështirë për dikë që kërkon një ndarje tërësisht shkëputëse. Kështu, plot gra queer kanë deklaruar se fakti që e kanë të përbashkët rrethin shoqëror me partneren e tyre, në rast se vie puna te ndarja, kjo gjë i inkurajon ato të ndahen në mënyra më të ndërgjegjshme, miqësore dhe të qëndrojnë mikesha me ish të dashurat e tyre shumë kohë pas ndarjes.

“Veçanërisht rreth ndarjeve, njerëzit queer kanë më shumë gjasa të qëndrojnë miq, ose të lidhur në komunitet në njëfarë mënyre. Këtë e kam dëshmuar përtej dallimeve gjinore, por më së shumti e kam hasur mes grave queer”, ka deklaruar për Vice Magazine psikoterapistja amerikane, Jennifer Vera, e specializuar në punën me klientët LGBTQ+.

Miqësitë pas ndarjes për çiftet heteroseksuale janë vështirë të mundshme për shkak të ndërlikimeve, ngarkimeve dhe pritshmërive tradicionale të bazuara në gjini, ndërkaq marrëdhëniet midis grave queer zakonisht ekzistojnë jashtë këtyre kufijve të pritshmërive.

Te marrëdhëniet heteroseksuale, dëshira për të qëndruar miq pas ndarjes mund të ngrejë pyetje si: “Pse dëshironi të jeni akoma miq me ish-in tuaj? A do të thotë kjo që ju nuk po mundeni ta tejkaloni ndarjen apo ende shpresoni të ktheheni bashkë? A është akoma aty tërheqja që keni pasur?” 


Në kulturën dhe kohët që po jetojmë, ekziston seksualizimi i tepruar i marrëdhënieve me seksin e kundërt, dhe kjo mund të ndikojë poashtu që t’i bëjë të vështira vazhdimet e shoqërive te njerëzit heteroseksual, një aspekt që fatmirësisht nuk e shohim të funksionojë në të njëjtën mënyrë te gratë queer.

Vazhdimi i miqësisë pas ndarjes mund të jetë gjithashtu rezultat i natyrshëm i përvojave të përbashkëta midis grave queer. Eksplorimi seksual, diskriminimi që përjetohet, dalja hapur ose përfshirja e përbashkët në qarqet shoqërore aktiviste, mund të jenë përvojat kuptimplota dhe të rëndësishme të lidhjes, që nuk zhduken dhe nuk përfundojnë vetëm sepse marrëdhënia romantike ka mbaruar.

Komponenti historik dhe margjinalizimi, mund të ndikojnë poashtu në shoqëritë pas ndarjeve te gratë queer. Historikisht, si një komunitet i margjinalizuar, komuniteti queer është më i vogël dhe ka tendenca të qëndrojë i bashkuar. Kjo sigurisht varet edhe ku jetojnë personat. Pasi që, nëse jetojnë në një vend të madh ku ka më tepër komunitet dhe njerëz që kanë dalë hapur, është gjithsesi më e lehtë të gjendet rreth i ri shoqëror. Mirëpo në qytete apo zona rurale më të vogla, nëse pas çdo ndarjeje ndërpriten shoqëritë me pjesëtare të komunitetit, mbas një kohe do të mbeteshin të vetmuara pasi komuniteti është më i vogël. Mirëpo pavarësisht këtij faktori, edhe nëse një marrëdhënie romantike nuk funksionon, historitë e përbashkëta dhe lufta kundër diskriminimit shpesh ndikojnë që vazhdimet e shoqërive të japin ndjesi të një mekanizmi mbrojtës apo mbijetese për individët queer dhe komunitetet e tyre.

Por kjo nuk do të thotë se ndarjet midis grave queer janë më të lehta ose më pak të dhimbshme, thjesht në përgjithësi priren të pranojnë se grupet e tyre të miqve do të përmbajnë në mënyrë të pashmangshme ish-et e tyre dhe ish-et e partnereve të tyre. Dramat e tejzgjatura nuk janë diçka që tolerohen njësoj në grupet queer, pasi që rrezikojnë prishjet e shoqërive. Si rezultat, njerëzit queer në përgjithësi janë më të mirë për t’i tejkaluar ndarjet me më shumë maturi, në mënyrë që të mos rrezikojnë të prishin rrethet e tyre shoqërore. Nevoja për solidaritet ndihmon në vendosjen e normave rreth qëndrimit miq me ish-partnerët pasi që njerëzit queer kanë nevojë për sistemet e tyre të suportit.

Për shumicën e njerëzve, queer apo jo, ndarjet janë përvoja lënduese dhe të çrregullta, dhe nuk ka gjasa që dikush ta zotërojë ndonjëherë artin e ndarjes pa asnjë dramë. Ndarjet mes grave queer karakterizohen nga lloji i vet i thyerjes së zemrës dhe shpërthimet e emocioneve që vijnë nga marrëdhëniet midis të njëjtit seks.

Mirëpo gratë queer priren të jenë më të mira kur vjen puna te ndarjet, sepse femrat priren të kenë një inteligjencë emocionale më të madhe se meshkujt, edhe nëse ajo është e përcaktuar kulturalisht, edhe pse viteve të fundit gjërat po ndryshojnë gradualisht. Gratë queer janë më të lira nga lojërat egoiste të dinamikave të pushtetit dhe fuqisë që dominojnë te lidhjet heteroseksuale dhe nga “nevoja për të shpëtuar fytyrën e ruajtur moralin” në fund të një marrëdhënieje.

Pra kjo nuk do të thotë se janë të lira nga drama – thjesht do të thotë se kanë më shumë gjasa t’i kuptojnë më mirë ndjenjat e tyre, kështu që kanë më shumë gjasa të flasin lirshëm për emocionet, gjë që mund të ndihmojë masivisht kur dëshirojnë t’i shpjegojnë vetes dhe dikujt të kuptojnë pse gjërat nuk po funksionojnë.

Njëkohësisht, kjo është bukuria dhe magjepsja e marrëdhënieve të grave queer. Ekziston një lloj tjetër i mirëkuptimit dhe lidhjes së thellë emocionale. Gjithsesi, marrëdhëniet dhe ndarjet janë të llojeve të ndryshme sepse njerëzit janë të ndryshëm, dhe mund të ketë raste kur “djegia e urave” dhe ndërprerja e tërësishme e relacionit me atë person është alternativa më e shëndetshme dhe më e sigurt.

Mirëpo duhet pasë parasysh se të gjithë ne bëjmë gabime. Të gjithë rritemi në mënyra të ndryshme, në periudha të ndryshme. Duhet forcë dhe pjekuri për t’u marrë me ndarjet dhe për t’i përballuar dhimbjet. Kështu që, duhet të përpiqemi të gjejmë mënyra, nëse ka, të vazhdojmë ta duam një njeri edhe në forma të tjera nëse ajo romantike dështon. Dashuria dhe llojet e ndryshme të dashurisë nuk ndalojnë kurrë së befasuari.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top