Tu e lexu qitash
Punonjësit e seksit janë pjesë e rëndësishme e lëvizjes queer, por roli i tyre është harruar

Punonjësit e seksit janë pjesë e rëndësishme e lëvizjes queer, por roli i tyre është harruar

Në maj të vitit 1959, natën vonë, duke kërkuar të bëjnë telashe, dy anëtarë të Departamentit të Policisë së Los Anxhelosit hynë në Cooper’s Doughnuts, një kafe e dyshimtë në qendër të qytetit. Siç kanë shkruar historianët Lillian Faderman dhe Stuart Timmons, LAPD-ja (Policia e Los Anxhelosit), “krenohej se ishte një nga armiqtë më të vendosur të homoseksualitetit në vend“, dhe Cooper’s njihej se ishte një vendtakim për persona gej, drag queens, transgjinorë dhe njerëz me gjini jobinare, si dhe për “hustlers”-punonjës seksi me kohë të pjesshme ose të plotë. Shumë prej tyre ishin njerëz me ngjyrë. Policët u futën atë natë pranvere dhe ju drejtuan tre klientëve, duke i urdhëruar: “Ti, ti dhe ti – ejani me neve”.

Ngjarje të tilla ishin të njohura tashmë. Edhe pse, për disa arsye, atë natë turmës së personave që kalonin kohë në Cooper’s i kishin ardhur në maje të hundës këto ngjarje. Ata filluan të gjuajnë me petulla, pastaj me kafe. Policia iku te vetura e vet dhe u bëri thirrje për mbështetje ekipeve të tjera policore. Eventualisht, policët arritën t’i shuanin trazirat, por jo para se përleshjet të ishin përhapur në rrugë dhe shumë nga njerëzit që ata i kishin pasur nën shënjestër, veçse ishin larguar.

Incidente si ky në Cooper’s iu prinë kryengritjeve më të famshme queer në Stonewall Inn një dekadë më vonë, por – me përjashtim të Stonewall-it – kryesisht këto incidente janë harruar. Në mendjet e shumë njerëzve, Stonewall përfaqëson fillimin e një lëvizjeje. Megjithatë, aktivizmi në Stonewall u ndërtua përmbi dekadat e aktivizmit të mëparshëm, dhe ky aktivizëm ishte i orientuar jo vetëm drejt lirisë të burrave gej dhe grave lezbike, por edhe drejt lirisë të një grupi më të gjerë të njerëzve queer: personave transgjinorë dhe me gjini jobinare, njerëzve queer me ngjyrë e punonjësve të seksit.

Në të vërtetë, lufta për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ ishte dhe është e pandashme nga lufta për të drejtat e punonjësve të seksit. Të dyja këto  lëvizje këmbëngulin se policia nuk ka kurrfarë të drejte t’ju tregojë të rriturve se si të përdorin trupin e tyre; Të dyja këto lëvizje kërkojnë që shteti të qëndrojë larg dhomave të gjumit të njerëzve të margjinalizuar.

Përveç kësaj, kryesisht për shkak të opsioneve të kufizuara ekonomike të disponueshme për njerëzit queer në atë kohë, shumë nga pjesëmarrësit në Stonewall dhe në kryengritjet që e bënë të mundur atë,  ofronin shërbime seksuale.  Ata që ditëve të sotit luftojnë për lirinë e njerëzve queer dhe që kremtojnë më shumë se 50 vite qysh nga arritjet e Stonewall duhet të dinë origjinën radikale të lëvizjes LGBTQ+ dhe borxhin që ua kanë punonjësve të seksit.

Trazirat si ajo e famshmja në Stonewall ka një gjenealogji* të gjerë. Gjatë gjithë viteve të 1960-ta, njerëzit queer vendosën barrikada, u angazhuan në protesta, marshuan nëpër sheshe  dhe u çuan në rezistencë kundër dhunës  së policisë në Nju Jork; Filadelfia; Uashington DC.; Los Anxhelos; San Francisko dhe Çikago. Ndoshta kryengritja më e famshme queer para Stonewall-it, ndodhi në vitin 1966 në Compton’s Cafeteria, që ishte restorant 24-orësh në Tenderloin të San Franciskos. Një natë vere, kur policët filluan ta kontrollonin me forcë e duar një drag queen, ajo ja u hodhi kafen në fytyrë dhe me këtë menjëherë shpërtheu trazira. Ndoshta diku 50 ose 60 klientë përmbysën tavolinat dhe thyen xhamat dhe i rrahën policinë me çanta të rënda.

Për historianin Mack Friedman, trazirat në Compton’s Cafeteria përfaqësonin “një pasqyrim të unitetit të punonjësve të seksit gender queer përballë një fyerjeje“. Megjithatë, roli i luajtur nga punonjësit e seksit me kohë të plotë ose të pjesshme, shpesh harrohet në vazhdën e historisë së këtyre kryengritjeve.

Punonjësit e seksit morën pjesë në pothuajse të gjitha kryengritjet madhështore queer të asaj epoke. Në të vërtetë, ata ndihmuan në krijimin e kushteve që bënë të mundur të ndodhnin kryengritje të tilla. Në San Francisko, për shembull, një grup i të rinjve të pastrehë – kryesisht të rinj transgjinorë dhe queer, shumë prej të cilëve ofronin shërbime seksuale në Tenderloin – u mblodhën në vitin 1966 për të formuar një organizatë të re të quajtur Vanguard. Me botimin e buletinit informativ e zbulues, e duke u takuar me zyrtarët e qytetit dhe duke organizuar aksione, marshime dhe fjalime, anëtarët e Vanguard ndërgjegjësuan për kushtet me të cilat përballeshin ata që jetonin rrugëve. 

Siç ka vënë në dukje historianja Laura Renata Martin, për “Vanguard”, “rezistenca ndaj kriminalizimit të punës së seksit dhe shënjestrimi i punonjësve të seksit nga ana e policisë u ndërthur me rezistencën ndaj ngacmimit të bazuar në shprehjen gjinore dhe identitetin seksual.”

Shumë anëtarë të Vanguard morën pjesë në kryengritjen në Compton’s Cafeteria. Edhe pse grupi u shpërbë vitin tjetër, anëtarët e tij mbetën aktivë në fushatat lokale për luftimin e homofobisë, transfobisë dhe keqtrajtimit të punonjësve të seksit, dhe ata kontribuan për frymën dhe diskursin revolucionar të San Franciskos gjatë atyre viteve.

Siç ka argumentuar historianja Susan Stryker, gratë transgjinore – ndër anëtaret më të margjinalizuara të komunitetit queer – ishin shpesh nxitëset e kryengritjeve. Atë kohë, gratë transgjinore kishin probleme të jashtëzakonshme për të gjetur punë ose strehim, gjë që i la ato tepër të cenueshme ndaj ngacmimeve dhe abuzimeve nga policia, dhe kjo i detyroi shumë prej tyre të ofronin shërbime seksuale me pagesë në ndonjë pikë të jetës, dhe me kohë kjo i çoi drejt revoltës –

Revoltë kjo që na sjell te Stonewall.

“Në historinë e një nate qershori të vitit 1969 në fshatin Greenwich, shpesh nuk përmendet se në çfarë mënyre e bënin jetesën e tyre të jashtëligjshmit dhe të dëbuarit që filluan Stonewall Inn,” ka kometuar historianja Melinda Chateauvert. Por, shumë nga njerëzit queer që hodhën shishe, tulla dhe mbeturina ndaj policisë atë natë ishin hajdutë dhe punonjës seksi. Në të vërtetë, Marsha P. Johnson dhe Sylvia Rivera – dy gra transgjinore me ngjyrë, që dyjat janë vlerësuar si hedhëset e “tullës së parë” në Stonewall dhe janë nderuar për aktivizmin e tyre me një monument të ri në Nju Jork – kanë qenë punonjëse seksi. Kjo punë ishte “alternativa e vetme që ne kemi për të mbijetuar, sepse ligjet nuk na japin të drejtën të shkojmë dhe të gjejmë një punë që na bënë të ndihemi rehat,” ka thënë njëkohë Rivieria. Sipas Johnson ishte e mundur që gratë transgjinore të mbanin “punë të personave heteroseksualë” në atë kohë, por vetëm nëse kanë fshehur se kush ishin vërtetë:“Unë mendoj se do të kalojë mjaft kohë përpara se një transvestit natyral të jetë në gjendje të gjejë një punë”, ka thënë ajo një herë, duke përdorur terminologjinë e asaj kohe. Megjithatë, për disa, puna e seksit mund të jetë gjithashtu një mjet nëpërmjet të cilit vendosen në individualitetin e vet. “[Kur] dal ta ofroj këtë punë, nuk më intereson aq nëse do të ndodh ndonjë takim interesant apo jo,” tha Johnson. “Nëse më marrin, duhet të më marrin e pranojnë ashtu siç unë dua”.

Kqyre edhe qito

Në vitet pas Stonewall-it, Rivera dhe punonjës të tjerë të seksit u bashkuan në Gay Liberation Front and Street Transvestite Action Revolutionaries, ku filluan organizimin e fushatave për të luftuar diskriminimin, për të kërkuar pranimin e moskonformitetit gjinor dhe atij seksual, dhe përfundimisht thirrje për përmbysjen e kapitalizmit.

Megjithatë, fshirja e punonjësve të seksit nga Stonewall filloi pothuajse menjëherë. Qysh në vitin 1973, vuri në dukje Chateauvert, “Rivera duhej të luftonte për të folur në paradën e krenarisë për festimin e  Stonewall-it, sepse turma nuk donte të dëgjonte nga një punonjëse seksi transgjinore.” Ndërsa organizatat kryesore të të drejtave LGBTQ+ fituan respekt, këto lëvizje u distancuan nga pionierët e tyre të puonjësve të seksit. Vetëm në këto vitet e fundit disa nga këto grupe kanë filluar të trajtojnë me kujdes thirrjet për dekriminalizim, por edhe kjo mbetet thjesht tentativë.

Një llogaritje e plotë e historisë tregon se mungon një qasje e tillë. Kryengritja në Stonewall ishte luftë për të drejtat e njerëzve trans, njerëzve me gjini jokonforme, njerëzve queer me ngjyrë, njerëzve queer të pastrehë – dhe punonjësve queer të seksit. Aktivistët modernë për të drejtat LGBTQ+  janë borxhli ndaj punonjësve të seksit. Shlyerja e borxhit do të thotë bërja prioritet politik  e të drejtave të punonjësve të seksit, duke u siguruar që aktivizmi i organizuar ditëve të sotme  të përfshijë praninë, nevojat dhe historinë e tyre.

*gjenealogji – linja e paraardhësve të një personi ose familjeje, ose një histori e një linje të tillë paraardhësish për një kauzë të caktuar.

Scott W. Stern është autor i The Trials of Nina McCall: Sex, Surveillance, and the Decades-Long Government Plan to Imprison ‘Promiscuous’ Women.

Ky artikull është publikuar në revistën Time dhe është përkthyer nga Dylberizm.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top