Tu e lexu qitash
Sulmet përmes aplikacioneve për takime në Bosnje e Serbi përhapin frikë tek dylberat

Sulmet përmes aplikacioneve për takime në Bosnje e Serbi përhapin frikë tek dylberat

Ishte një mbrëmje, ditë e hënë e tetorit  të vitit të kaluar, kur Filip [jo emri i tij i vërtetë] kontaktoi me një burrë tjetër në Sarajevë nëpërmjet Grindr, një nga aplikacionet më të njohura të takimeve mes gejëve dhe biseksualëve.

Pasi bisedoi pak, Filipi e ftoi burrin në shtëpinë e tij, por kur ai hapi derën rreth orës 1:30 të mëngjesit u ndesh me një grusht në fytyrë dhe me fjalët: “Ti po don me kon p*der?”

Sulmuesi kërkoi para dhe e goditi Filipin sërish, në bark; duke rënë në dysheme, Filipi aktroi kinse i ka rënë të fikët dhe sulmuesi i hutuar përfundoi duke thirrur një ambulancë nga telefoni i tij përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes.

Vetëm më vonë Filipi mësoi se ai ishte i pari nga pesë burra gej të sulmuar nga Irfan Mulalic dhe bashkëpunëtori i tij, Ishak Bilal, gjatë një periudhe prej një muaji në vjeshtën e vitit 2023 në kryeqytetin e Bosnje dhe Hercegovinës.

Mulalic dhe Ishak u arrestuan në mes të nëntorit dhe janë në pritje të gjykimit me akuzat për grabitje, shantazh dhe sjellje të dhunshme. Duke u maskuar si persona gej në Grindr, dyshja morën në xhep rreth 800 marka boshnjake, ose 400 euro, nga zbavitja e tyre me grabitje.

Një analizë e BIRN tregon se ata nuk janë të vetmit predatorë  që përgjojnë në hije në aplikacionet e takimeve si Grindr që janë të njohura për komunitetin LGBTQ+ në Bosnje dhe Serbinë fqinje. Përdoruesit rrezikojnë ekspozimin ndaj abuzimit, ngacmimit seksual, dhunës fizike dhe vjedhjes.

Sulmi ndaj Filipit “minoi padyshim ndjenjën e sigurisë që shumica prej nesh kishin më parë”, tha 28-vjeçari Alex, emri i të cilit, si të gjithë ata të personave LGBTQ+ të cituar në këtë storie është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e tij. “Disi ju jeni gjithmonë të vetëdijshëm për atë që mund të ndodhë, por nuk ishte aq e vërtetë deri më tani.”

Një model i ngjashëm u pa në Serbi në korrik 2022, kur një gej në një qytet të vogël në Serbinë qendrore u josh në një ‘takim’ përmes Grindr vetëm për t’u rrahur dhe grabitur. Tre burra janë në gjyq.

I lansuar në vitin 2009, Grindr është një aplikacion i rrjeteve sociale dhe takimesh në internet i bazuar në lokacion për personat gejë, biseksualë dhe transgjinorë, duke i lejuar përdoruesit të krijojnë një profil, të gjejnë aty me kë përputhen dhe të bisedojnë, të dërgojnë fotografi, video thirrje dhe të ndajnë lokacionin e tyre me të tjerët.

Për të krijuar një profil, një përdorues duhet të paraqesë një adresë elektronike/ email ose numër telefoni, i cili nuk është i dukshëm për ata me të cilët kontaktojnë. Një përdorues mund të paraqesë gjithashtu një përshkrim dhe foto dhe të përshkruajë atë që kërkon në/nga një partner, por shumica e 12.2 milionë përdoruesve aktivë mujorë të Grindr zgjedhin të mbeten plotësisht anonim ose të japin vetëm informacione të kufizuara.

Lidhur me llojin e sulmeve të para në Bosnje dhe Serbi, Amil Brkovic, një këshilltar ligjor me organizatën LGBT Sarajevo Open Centre, SOC, tha për BIRN: “Të gjitha këto raste kanë urrejtjen si pikënisje”.

Aktakuzat në të dyja rastet, megjithatë, nuk përmendin urrejtjen ose homofobinë si faktorë motivues, duke kontribuar në faktin se nuk ka të dhëna të sakta në asnjërin vend se sa të përhapura janë krimet e tilla.

“I takon gjyqtarit që të përfshijë rrethanat rënduese kur vendos për një vendim,” tha Brkovic.

OJQ-ja me seli në Beograd Da se zna! [Le të dihet] ka identifikuar 262 incidente të motivuara nga transfobia dhe homofobia në Serbi në tre vitet e fundit, tha për BIRN aktivisti Bojan Lazic, por ato rrallë njihen si të tilla nga prokurorët serbë. Kjo shpesh rezulton me dënime më të lehta, siç ndodhi në rastin e dy burrave gejë të cilët u rrahën brutalisht nga dy skinheads në Beograd në vitin 2023.

Sikur urrejtja të ishte përfshirë si motivim, “ata do të kishin marrë dënime më të rrepta”, tha Lazic.

Kur bëhet fjalë për Bosnjën, vendi nuk ka statistika zyrtare për krimet e urrejtjes të kryera kundër komunitetit LGBTQ+. Por në raportin e saj vjetor Pink, KOS ka regjistruar 13 raste të tilla në vitin 2022 dhe 14 në vitin 2021. Raporti për vitin 2023 ende nuk është publikuar.

Një çështje tjetër, sipas Laziqit, është se personat LGBTQ+ në Serbi rrallë raportojnë dhunë ndaj tyre duke pasur parasysh mosndëshkimin që ka ekzistuar për krime të tilla për vite me radhë. “Dy të tretat e të gjitha rasteve të raportuara mbeten të pa procesuara,” tha ai.

Organizata Da se zna ka dokumentuar gjithashtu raste të dhunës policore ndaj personave LGBTQ+  në Serbi, asnjë prej të cilave nuk është adresuar. Rasti më i fundit i supozuar ka ndodhur në shkurt.

Brkovic tha se një nga viktimat e Sarajevës kishte pasur gjithashtu një përvojë negative kur raportoi sulmin e tij në polici.

“Policët që po merrnin deklaratën e hodhën poshtë rastin, gjë që e traumatizoi më tej viktimën,” tha Brkovic, megjithëse në përgjithësi përgjigja e policisë ishte pozitive.

Qendra e Hapur e Sarajevës punon me oficerët e policisë dhe prokurorët për të rritur ndërgjegjësimin për të drejtat LGBTQ+  dhe, pasi një femicid në Bosnje vitin e kaluar u transmetua drejtpërdrejt, akademia e policisë në Federatë, një nga dy entitetet që përbëjnë Bosnjën, ka përfshirë mësimin mbi pakicat dhe feminizmin në programin e tyre të rregullt të trajnimit.

Ndërsa Universiteti i Serbisë për Hetimet Kriminale dhe Studimet Policore nuk përfshin trajnime në mënyrë specifike për të drejtat e LGBTQ+, disa lëndë përfshijnë “përmbajtje që lidhet me barazinë, mbrojtjen kundër diskriminimit, mbrojtjen e grupeve të cenueshme, krimet e urrejtjes”, tha universiteti për BIRN.

Kur Alisa, një grua transgjinore në Serbi, filloi të përdorte për herë të parë aplikacionet e takimeve, ajo hoqi dorë shpejt nga biseda me burra “pas disa komenteve vulgare dhe poshtëruese”. Ajo vendosi se do të ishte më e sigurt vetëm të takonte gra.

Megjithatë, një herë Alisa shkoi në banesën e një personi me të cilin kishte qenë në kontakt përmes një aplikacion takimesh, duke besuar se ishte një grua, por u shfaq një burrë, mesa duket i dashuri i gruas. Ai ishte fshehur pas identitetit të të dashurës së tij në aplikacion.

Alisa kishte frikë se mund të bëhej i dhunshëm. “E vërteta është se unë thjesht po shtiresha, për të mos e provokuar; Po e mendoja çdo rrugë të mundshme shpëtimi dhe çdo mjet për të rezistuar nëse situata dilte jashtë kontrollit,” tha ajo për BIRN. Alisa arriti të largohej.

Marijana Jovic, e cila punon në linjën e ndihmës në OJQ-në me bazë në Serbi, Konsultimet për Lezbiket, tha se rreziku më i zakonshëm me të cilin përballen gratë queer në aplikacionet e takimeve është ‘catfishing’, kur personi me të cilin po bisedojnë rezulton të jetë burrë.

“Ajo që ndodh është se pas përpjekjes për t’i dhënë fund një komunikimi të tillë, ka një formë përndjekjeje, ata telefonojnë, dërgojnë foto,” tha Jovic. “Nëse një grua bllokon një numër ose një profil, krijohen profile të tjera ose ndryshohen numrat e telefonit.”

Në qytetin boshnjak të Tuzlës, Alex tha se fillimisht ndihej i qetë duke përdorur Grindr. Ai takonte njerëz në vende publike ose ndonjëherë i ftonte në shtëpinë e tij ose shkonte në shtëpinë e tyre. Sulmet në Sarajevë, megjithatë, kishin ndryshuar gjithçka. Këtë e ka marrë vesh nga një alarm i dërguar nga KOS-i. Alex përshkroi ndjenjën e “një valë të madhe frike”.

“Për herë të parë, mendova nëse duhet të ndryshoj profilin tim, të fshij fotot ku duket fytyra ime,” tha ai. “Unë pyesja veten se si të mbroja veten.”

Shkrimi u publikua në Balkan Insight dhe u përkthye nga Dylberizm.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top