Përkundër frikës, njerëzit prapë e kanë gjetë forcën me qëndru afër njani-tjetrit
Kur Sinani* flet për jetën e tij, frika nuk e dominon historinë e tij. Edhe pse kujtimet e përfshijnë luftën, pasigurinë dhe vitet kur njerëzit jetonin me ankthin e së nesërmes, ajo që i rikthehet vazhdimisht në mendje janë njerëzit. Shoqet me të cilat është rritë, familja që nuk e ka detyru me u fshehë, kojshitë që e kanë pranu dhe ndjenja e afërsisë që e ka shoqëru prej fëmijërisë e deri sot.
Kjo intervistë është pjesë e Arkivit të Pathënë, rubrikë e Dylberizm që publikon dëshmi queer nga periudha e luftës dhe pasluftës në Kosovë, të mbledhuna përmes hulumtimit të realizum në bashkëpunim me Pro Peace dhe Universitetin e Prishtinës. Nëpërmjet këtyne rrëfimeve, projekti synon me dokumentu përvoja që kanë mbetë jashtë kujtesës së luftës.
Rrëfimi i Sinanit dallon prej shumë tregimeve që zakonisht dëgjojmë për jetën queer në Kosovë. Ai nuk fillon me konflikt, përjashtim apo fshehtësi. Rrëfimi i tij fillon në lagje, mes vajzave me të cilat kalonte pjesën më të madhe të kohës, në një qytet ku njerëzit e njihnin si djalin që sillej ndryshe, por ku ai vazhdoi me u rritë pa e humbë ndjenjën e përkatësisë.
Në kujtimet e tij, lufta shfaqet si një periudhë që i ndërpreu ritmet e zakonshme të jetës, takimet, lëvizjen dhe shoqërinë, por jo besimin te njerëzit. Përderisa frika dhe pasiguria rriteshin çdo ditë, ai kujton mënyrat se si familjet ndihmonin njëra-tjetrën, si ushqimi, rrobat dhe përkrahja ndaheshin mes kojshive dhe si solidariteti u bë një prej mënyrave kryesore për me e përballu atë kohë.
Sinani dokumenton qartë se përvojat e dylberave gjatë dhe pas luftës formoheshin edhe prej miqësive, kujdesit, pranimit dhe lidhjeve që njerëzit kanë kriju me njëri-tjetrin, edhe në periudha kur e ardhmja dukej e pasigurt.
***
Unë jom Sinani. I kom 37 vjet dhe jom prej Prizrenit. Tash jetoj në Prishtinë, ku i kom kry studimet edhe punoj, po besoj që në ni moment në të ardhmen ndoshta ka me u shpërngul jashtë vendit.
Kur e kujtoj fmininë teme, muj me thanë që kom pasë ni fmini shumë t’mirë. Jom rritë në ni familje të butë, mes njerëzve që kanë ditë me i kuptu të tjerët. Edhe pse e kom pasë ni vlla pak ma të rreptë, kurrë nuk kom pasë probleme me familjen teme. Prej fminisë e deri sot, gjithmonë jom ndi i lirë edhe rehat me veten tem, edhe për qat jom falënderues ndaj Zotit edhe familjes teme që nuk jom rritë me marre apo me ndjenjën që duhet me u mshef.
Kurrë askush nuk më ka gjyku për stilin tem, për mënyrën qysh jom dokë apo qysh kom ecë ose folë. Gjithmonë jom trajtu me respekt, edhe unë i kom respektu të tjerët. Për mu, kjo ka qenë gjithmonë ma e rëndësishmja: me u respektu mes veti, pa marrë parasysh kush jena.
Shkollën fillore edhe të mesme i kom kry në gjuhën turke në Prizren. Jom turk dhe jom rritë në ni ambient shumë të larmishëm. Në lagjen teme ka pasë boshnjakë, shqiptarë edhe serbë, edhe me krejt jom shku mirë.
Në shkollë fillore gjithmonë kom nejt ma shumë me çika sesa me djem. Kjo vlente edhe n’lagje edhe n’klasë. E maj n’men ni rast kur djemtë dojshin me lujt futboll, e arsimtari m’tha: “Ti rri këtu me çikat edhe kqyri çantat.” Se edhe unë vet e pata pranu që futbolli nuk u kon për mu.
Edhe në shkollë jom respektu. Arsimtarët, shokët e klasës edhe shoqnia kurrë nuk m’kanë diskriminu. Bile besoj që atëherë kom pasë stil ma femnor se sot. Kom veshë rroba që konsideroheshin ma femnore dhe pjesën ma të madhe të kohës e kalojsha me shoqe. Edhe n’lagje dilsha me to, u shetitshim nëpër qytet, rrijshim te Shatërvani, uleshim bashkë edhe kalojshim mirë. Kur e kujtoj fmininë teme, shumica e kujtimeve lidhen pikërisht me shoqet.
Poashtu kom kalu shumë kohë me kusherinjtë e mi, si nga ana e nanës ashtu edhe e babës. Lujshim me kukulla, lujshim nuse e kena vesh fustana, edhe sot nihna i lidhun me qat pjesë të vetes teme.
Kur menoj për kohën para lufte, ajo që m’ka metë ma së shumti në mendje osht’ respekti që njerëzit e kanë pasë per njani-tjetrin edhe sinqeriteti i tyne. Kena shku me nejt te kojshit pa menu dy herë. Edhe unë mo jom kon vetvetja, me shprehjet edhe sjelljet e mia ma femnore, ama kurrë kerkush ska thanë mos hajde këtu, mos rri aty, apo mos u shoqno me dikon.
Në Prizren, njerëzit si unë zakonisht u vrejshin shpejt. Ka ekzistu ni fjalë, “këzqe”, që përdorej me i përshkru djemtë ma femnorë, edhe shpesh njerëzit më përshkrujshin me qat fjalë. E kuptojshin që jom ma ndryshe në mënyrën qysh jom shprehë, kështu që shumë kush e ka ditë kush jom pa pasë nevojë me u shpjegu.
Njana prej shoqeve të mija ma të afërta osht’ Hanifja*, kojshikja jem, edhe sot e kësaj dite jena shokë. Kom kalu shumë kohë me to edhe me familjen e saj. Prindërit e saj jon kon arsimtarë, e ajo që ma së shumti më ka metë në mend osht’ mënyra qysh m’kanë trajtu. E dishin kush jom dhe kurrë nuk më kanë trajtu ndryshe për shkak t’ksaj.
Unë edhe shoqet e mija i ndajshim krejt senet mes veti. Dilshim bashkë, bojshim hajgare edhe kishim besim të plotë te njani-tjetri. Ato m’i tregojshin sekretet e veta, edhe unë t’miat. Kur e kujtoj sot, e kuptoj sa me fat jom kon që i kom pas kta njerz prej moshës së re, me të cilët kom mujt me fol hapun për gjithçka. Shumë prej nesh nuk e kanë pasë qat mundësi.
Edhe në shpi u kon pothuajse njejtë. Ndoshta familja jem i ka vërejtë disa gjana te unë, po kurrë nuk m’kanë vetë pse jom kështu a ashtu, as nuk më kanë bo presion. Kom veshë tesha që m’kan pëlqy dhe jom shprehë në mënyrën tem. Na me ni oborr kemi jetu me familjen e gjonë, edhe në krejt qat mes, e kom ni veten t’pranum.
Kur e kujtoj qat periudhë, shpesh m’kap nostalgjia. Kaniherë e gjej veten tu thanë: “Eh, veç edhe niherë me u kthy.” Për besë kom kalu jashtëzakonisht mirë, jo veç në lagje po edhe në shkollë. Kom pasë shoqni të afërta dhe lidhje të forta me njerëzit rreth meje. Kanë qenë vite kur gjithçka u dok ma e thjeshtë dhe ma spontane.
Në shkollë t’mesme rrishim nëpër kafe te Shatërvani. Kishke muzikë, edhe unë kcejsha qysh m’ka ardhë natyrshëm, qashtu me gjeste t’mija. Nuk më kujtohet që najherë dikush m’u ka afru me m’vetë pse po kcen qashtu a pse sillesh ndryshe. Njerëzit e dishin që jom kon ndryshe. Stili jem nuk u kon si i djemve tjerë, po kurrë nuk kom tentu me e mshef. E kom jetu jetën teme, e kom ndjek stilin tem edhe kom vazhdu përpara. Kom veshe çizme që zakonisht i kanë veshë çikat, edhe sma ka ni çka kan mendu tjerët.
Kto e vrej edhe sot, se kur takoj njerëz të ri, shpesh m’thojnë që jom i hapun, i ngroht edhe i afrushëm. Unë besoj që pozitiviteti i afron njerzt me njani-tjetrin. Secili i ka problemet e veta, po unë gjithmonë kom tentu me i majt pjesët e mira t’vetes edhe me i nda ato me të tjerët. Kur kthena mbrapa e shof që jom i njejti person që jom kon edhe si fmi. Nuk kom ndryshu.
Kur kom fillu me e kuptu seksualitetin tem, për mu ka qenë diçka shumë e thjeshtë, se kurrë nuk kom pasë ndjenja për çika. Gjithmonë m’kanë pëlqy djemtë.
M’kujtohet ni djalë i mahallës, Vetoni*. Sot osht’ i martum, po kur jom kon i vogël, m’ka pëlqy shumë. Shtirë me e shpjegu qat ndjenjë. U kon diçka që e kom majt mrenda vetes dhe nuk ia tregojsha askujt. Në t’njejtën kohë vazhdojsha me jetu qysh kom jetu gjithmonë. Shkojsha në dasma me kojshitë, kcejsha me gratë dhe i shijojsha gjanat që më vishin natyrshëm. Shumica e djemve nuk i bojshin ato sene, po për mu kanë qenë krejt normale.
Tu u rritë, e kom kuptu çdo ditë e ma shumë që m’pelqejn veç burrat. Me kohë, përmes përvojave të para intime, fillova me e kuptu edhe ma mirë veten edhe orientimin tem seksual.
Shpia jonë ka qenë afër parkut të madh. Qaty jena mledhë krejt mahalla, kena nejt, lujshim edhe kalojshim kohë bashkë. Vetoni vinte me shokët e vet, e unë rrijsha me shoqet e mija. Në fillim nuk kena pas naj far muhabeti, po me kohë u kriju ni afërsi mes nesh. Shpitë i kishim afër njani-tjetrit, kështu që u shihshim shpesh edhe kalojshim shumë kohë bashkë.
Ma vonë pata përvojë të ngjashme edhe me djem tjerë të lagjes. Njerëzit folshin, na u njihshim mes veti dhe gjanat qarkullojshin në mënyrën e vet. Megjithatë, ekzistonte ni mirëkuptim i heshtun që çka ndodhke mes neve nuk duhej me dalë jashtë atij rrethi. Frika jem ma e madhe nuk kanë qenë njerëzit e lagjes. Ka qenë familja jem, sidomos vllau jem. Shpesh e vetsha veten a po boj diçka gabim, po në të njejtën kohë e dija që ajo që ndjeja ishte e vërtetë.
Atëherë nuk ka pasë telefona, internet apo rrjete sociale. Jena taku nëpër parqe, lagje, shpia e dasma. Krejt ndodhte sy më sy.
Kur e krahasoj me sot, m’doket gati paradoksale. Tash i kemi krejt mjetet e mundshme me u lidh me njani-tjetrin, po m’doket sikur kemi ma shumë frikë. Atëherë nuk mendojshe për fotografi, video, kamera apo kërcënime online. Takimet ishin ma të drejtpërdrejta dhe, në ni farë mënyre, ma të sinqerta. Edhe pse ajo kohë u kon ma e vështirë në shumë aspekte, shpesh mendoj që frika që e bartim sot osht’ ndryshe. Kemi ma shumë liri, po jo gjithmonë ndihemi ma të lirë.
Kur filloi lufta, isha në Prizren me familjen teme. Nuk u largum prej Kosovës. Gjatë krejt asaj kohe qëndrum në shpinë tonë. Prizreni e përjetoi luftën, po përvoja jem nuk u kon e njejtë me atë të shumë njerëzve në vende tjera. Kom ni histori shumë ma të randa prej njerëzve që kanë jetu në zona tjera ose nëpër fshatra ku lufta ka qenë shumë ma e ashpër.
Unë kurrë nuk e kom pasë ndjenjën që jom në rrezik të madh. Edhe gjatë luftës, kur duhej me dalë herët në mëngjes me ble bukë, dilsha. Në shkollë e kishim mësu gjuhën serbe, kështu që kur na nalte policia e na pyeste kah po shkojmë, unë dija me u përgjigjë. Edhe lagjja jonë ka qenë e përzime dhe kemi pasë kojshi serbë. Ndoshta edhe kjo ka ndiku në situatën tonë.
Megjithatë, sa kalonte koha, frika prej luftës ishke gjithnjë e ma e pranishme. Jo për shkak të identitetit tem, po për shkak të vet luftës. Fillum me dalë ma pak, me nejt ma shumë mrena dhe me u fokusu te siguria jonë. Kur bombardimet u shtunë dhe tensionet u rritën, pjesën ma të madhe të kohës e kalojshim në shpi.
Jeta nuk ka qenë e lehtë. Kaniherë kishim ushqim, kaniherë jo. Organizata humanitare si Caritas na kanë ndihmu edhe shpesh kemi marrë ndihma prej tyne.
Sa ma shumë që përkeqësohej situata, aq ma shumë ndryshonte jeta. Nuk shkojsha ma në park. Krejt çka bojshim ishte me pritë dhe me mendu çka ka me ndodhë sot ose nesër. Për familjen tonë ka qenë ni periudhë jashtëzakonisht e shtirë. Në luftë nuk menon veç për veten, se mundohesh me e mbrojtë veten, po edhe familjen. M’kujtohet kur t’rritunit thojshin për neve fëmijët: “Ma mirë me dekë na se ju.” Nuk besoj që kjo ka ndodhë veç në familjen tonë, po u kanë ni ndjenjë që e kanë nda shumë familje në atë kohë.
Ni moment nga ajo kohë më ka mbetë gjithmonë në kujtesë. Përballë shtëpisë tem trekatëshe u kanë shkolla, të cilën gjatë luftës ushtria e ka uzurpu edhe e ka kthy në bazë ushtarake. Ni natë kom hi n’banjo mu la, edhe ushtarët prej shkollës e kanë drejtu ni dritë direkt te dritarja e banjos. Atë moment, dikush prej t’shtëpisë bërtiti: “Nale at dritë!” Unë u tmerrova shumë prej frikës, edhe kom dalë meniherë prej banjos pa u la. Në atë moment kom menu që po m’gjujnë me naj snajper apo po m’vrasin, u tuta tepër.
Megjithatë, familja jem ka pshtu mirë edhe luftën e kemi kalu pa asnjë humbje. Shpia nuk osht’ dëmtu edhe askush nuk u lëndu, gjë për të cilën ndihem shumë fatlum edhe sot.
Gjatë asaj kohe, lidhjet me shoqni janë nalë pothuajse krejtsisht; nuk guxojshim me dalë ose me shku te kerkush, sepse u dashke me menu se a kisha me u kthy tani gjallë në shpi. Nuk jom tutë veç për veti, po u dashke me menu edhe për familjen që ishin tu na pritë në shpi. Çdo dalje që e bojshim, ishke burim stresi për rrethin tonë, se qato ta bojke lufta.
Një prej kujtimeve ma të forta që kom osht’ dita kur u çliru Kosova. Të nesërmen në mëngjes kemi dalë krejt rrugëve me lule n’dorë për me i pritë forcat e NATO-s dhe KFOR-it. Krejt jemi kanë shumë të emocionum, ajo ditë ishte ditë shprese mas krejt atynë muajve të terrorit.
Në atë periudhë, shumë prej serbëve që jetonin në qytet nisën me ikë dhe me dalë jashtë drejt Serbisë. Kojshitë serbë që i kena pas në lagje, kena kalu shumë mirë më ta, po mas lufte ata ikën edhe mo kurrë skemi pas kontakt me ta.
Kur u kry lufta, nisëm me marrë frymë shlirë. Kadal dale u kthy edhe ajo ndjenja e lirisë që na kishte mungu. Çka m’ka metë n’kujtesë ma së shumti prej atëheri osht’ që njerëzit janë gjind shumë për njani-tjetrin. Solidariteti u kanë pika ma e fortë për me tejkalu krejt atë situatë. E kemi ndihmu njani-tjetrin sa kemi mujt. Disa familje kanë pas ma shumë mundësi edhe i nimojshin tjerve.
M’kujtohet që na kanë pru ushqime, tesha, kpuca, libra e fletore. Kom pasë fat që kemi pasë kojshi dhe njerëz të afërt që nuk na lanë vet në ato kohë t’shtira. Kjo osht’ njo prej seneve që hala qëndron me mu: ndjenja që, përkundër frikës, njerëzit prapë e kanë gjetë forcën me qëndru afër njani-tjetrit.
Kur erdha në Prishtinë në vitin 2008 për fakultet, jeta mori kahje tjetër. Vazhdova me zbulu veten në mnyrën tem tu taku shoqni e studentë tjerë me t’cilët rrishim nëpër dhoma bashkë e naj herë kishim edhe marëdhanie intime. Po mandej, t’nesërmen, frika m’pushtojke se u tutsha mos pi tregojn naj kujt. Pasiguria ishke gjith qaty, po megjithatë asniher nuk ndodhi diçka.
Kur e krahasoj atë periudhë me sot, çuditna me veten. Atëherë kom pasë shumë ma pak frikë sesa që kom tash. Sot nëse flas me dikon nëpër rrjete sociale dhe m’thotë “po vij me t’marrë me kerr”, tutna shumë ma shumë edhe nihna keq. Mendja m’shkon meniher te ma e keqja, nashta jo pse qaj personi osht’ i rrezikshëm, po se gjithçka po nijm që po ndodh rreth nesh edhe tana qajo tutë po t’përcjellë gjithkah. Edhe pse e di që njerëzit e rrethanat janë ndryshe, gjithmonë e pys veten: “Çka nëse m’ndodh edhe mu?”
Unë nuk kom pasë shoqni t’komunitetit derisa kom ardhë në Prishtinë. Ni ditë, tu shëtit në shesh, m’kanë nalë disa persona të nji organizate që quhej CSGD. M’folën pak për punën e tyne edhe m’ftun me shku n’zyrat e tyne. Unë shkova edhe qaty u kon momenti i parë që ja nisa me u shoqnu me t’komunitetit. Prej qasaj dite jom lidhë ma shumë me dylbera edhe fillova me kriju shoqni t’re. Aty fillova me kuptu veten edhe ma mirë, me bo muhabet e me i sqaru do sene që ma herët i kisha kuptu veç prej përvojës. Sa ma shumë njerz që takojsha qaq ma shumë e kuptojsha edhe zbulojsha veten.
Sot, kjo përvojë mdoket kejt ma ndryshe, se njerëzit meniren t’etiketojnë edhe t’qesin me ni kategori. Si n’shkollë, n’shpi ose n’internet, si t’shohin pak ma ndryshe, meniher t’shtin me ni grup. Nashta ndikon edhe interneti që tash gjeneratat e reja kanë ma shumë informata edhe pi msojnë senet shumë ma herët, po shpesh kto e përdorin si armë për me sulmu tjetrin.
Atëherë na s’kemi dit as fjalën gej apo terma tjerë, nashta njerëzit e kanë vrejtë që je ma ndryshe amo nuk t’kan bo presion me ta qitë ni emër. Sot, edhe kur don me shiju lirinë, gjithmonë ekziston frika që dikush pa dëshiren tande po t’incizon ose po t’bon naj video për TikTok. E t’bjen tana ni qesi momenti që t’krijon probleme ma t’mdhaja.
Sidoqoftë, kur e shoh veten sot, e kuptoj që jom formu prej shumë gjanave: prej familjes teme, prej komunitetit tem edhe prej vetes. Komuniteti ka shumë ransi. Kur i ki njerëzit përreth që t’përkrahin, ndihesh ma i fortë dhe ma i lirë. Kur ke frikë prej familjes, prej komunitetit apo prej rrethit ku jeton, bahet shumë ma e shtirë me kon vetvetja. Unë kurrë se kom pas qet frikë, as atëherë e as sot.
Ajo që më ka mbetë ma së shumti prej krejt jetës teme janë njerëzit: familja jem, shoqnia jem, kojshitë, gratë e vajzat me të cilat jom rritë dhe krejt ata që më kanë pranu qashtu qysh jom kanë. Për shkak qetyne njerzve, shumica e kujtimeve t’mia janë kujtime t’mira. Nashta edhe për qet arsye, kur kthena mbrapa, jom shumë mirënjohës se edhe n’periudhat ma t’shtira t’jetës, kurrë nuk jom ni plotësisht vet.
Krejt qeto sene e meritojnë me u kujtu. Zakonisht flasim shkurt e nuk dojm me u rikthy, bile as se kom pas rastin me shku kaq larg n’kujtime edhe me menu për mahallën, për shoqninë, për familjen teme, luftën e për krejt njerzit që janë kanë pjesë e jetës teme.
Kur e shoh jetën teme sot, nuk e di sa shumë kisha ndryshu. Edhe atëherë kom pasë liri, edhe pse nashta jo të njëjtën që e kom sot. Jom kanë vetja në mënyrën qysh jom veshë, qysh jom sjellë dhe qysh jom shprehë. E kuptoj që, në shumë aspekte, jom ende qaj personi i njëjtë, dhe kjo m’ban me u ndi mirë.
Sot kemi ma shumë hapsinë. Mujna me u ulë me njerëz të ndryshëm, me kon ma të dukshëm dhe ma të lirë se dikur. Kur jom kon i ri, kurrë nuk e kom mendu që kemi me ardhë deri këtu, s’kom mujt me e paramendu që dylberat kanë me pasë kaq shumë liri.
Nashta edhe për qet arsye mendoj që histori si e jemja kanë randësi. Besoj që ka njerëz që kanë me e gjetë një pjesë të vetes në këto përvoja, jo domosdoshmërisht në çdo detaj, por në ndjenja, në frikërat apo n’mënyrën se qysh kanë mrri me e kuptu veten.
Kur i shoh gjeneratat e reja, nihna i lumtun për ta. Na i kemi përjetu disa prej këtyne ndryshimeve vetë, por besoj që ata kanë me pasë edhe ma shumë liri se sa kemi pasë na. E shpresoj që, pas shumë vitesh, edhe ata kanë me mujtë me u kthy mbrapa e me e pa jetën e vet me të njëjtën qetësi dhe mirënjohje që e nij unë sot.
*Për arsye privatësie dhe sigurie, emri i personit që ka dhanë këtë dëshmi është ndryshu.
Kjo intervistë botohet në bashkëpunim me organizatën Pro Peace. Përmbajtja e shprehur në këtë intervistë janë përgjegjësi e vetme e Dylberizm dhe nuk pasqyrojnë domosdo pikëpamjet e organizatës Pro Peace.







