Tu e lexu qitash
Java e Dukshmërisë së Lezbikeve

Java e Dukshmërisë së Lezbikeve

20–26 prill, 2026

Çdo vit në muajin prill, Java e Dukshmërisë së Lezbikeve na fton të festojmë forcën kolektive të lezbikeve dhe të reflektojmë mbi jetët, historitë dhe të ardhmen e grave që duan gratë në mbarë botën. Këtë vit, tema e kësaj jave është Shëndeti dhe Mirëqenia, një fokus njëkohësisht urgjent dhe thellësisht i lidhur me historinë e këtij komuniteti.

Të flasësh për shëndetin e mirëqenien e lezbikeve nënkupton më shumë se sistemet, statistikat e mungesa e shërbimeve dhe informatave rreth problemeve të tyre. Do të thotë gjithashtu të flasësh për qëndrueshmëri, familje të zgjedhura, intimitet dhe për mënyrat se si lezbiket vazhdojnë të kujdesen për njëra-tjetrën, edhe kur nuk kanë përkrahje nga të tjerët. 

Roli që gratë queer kanë pasur në mirëqenien e të gjithë shoqërisë shpesh nënvlerësohet, edhe pse ato ishin pioniere të revolucioneve për të drejta të barabarta në shoqëri, e kujdestare të komuniteteve të tjera gjatë krizave epidemike. Gjatë krizës së AIDS-it në vitet ’80 dhe ’90, kur qeveritë mbarë botën dështuan të vepronin dhe stigma ndaj epidemisë ishte e madhe, lezbiket morën situatën n’dorë t’vet duke u kujdesur e duke mbështetur burrat gej dhe komunitetin queer si infermiere, organizatore e aktiviste.

Faqe nga revista San Francisco Sentinel. 29 maj, 1987.

Ky solidaritet e ndryshoi vetë lëvizjen LGBTQ+, duke vënë shkronjën “L” në fillim të “LGBT” si mirënjohje për rolin që lezbiket patën në atë kohë.

Studimet vazhdojnë të tregojnë pabarazi në shëndetin fizik dhe mendor të grave queer, që lidhen me faktorë si izolimi social, mungesa e hapësirave të sigurta, përjetimi i diskriminimit apo frika nga refuzimi në familje dhe shoqëri. Mirëpo problemi lidhet edhe me dukshmërinë: kush shihet, kush dëgjohet dhe kush merret seriozisht. Stigma ndaj grave queer e kufizon qasjen që ato kanë në praktikat shëndetësore, dhe mënyrën se si u ofrohet apo mohohet ndihma e duhur.

Gjatë Javës së Dukshmërisë së Lezbikeve, organizatat ndërkombëtare synojnë t’i festojnë dhe fuqizojnë gratë queer përmes aktiviteteve, ligjëratave e punëtorive. 

Ajo që ka filluar si një thirrje për t’u parë, sot është shndërruar në një kujtesë se dukshmëria nënkupton jo vetëm njohje, por edhe mbijetesë, solidaritet dhe kujdes për njëra-tjetrën. Këtë javë po i festojmë të gjitha gratë lezbike, biseksuale, gratë transgjinore, personat jo-binarë dhe të gjithë që identifikohen nën ombrellën e termit lezbik.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top