Tu e lexu qitash
Tirana marshoi bashkë për dukshmëri e dashuri në Paradën e Krenarisë

Tirana marshoi bashkë për dukshmëri e dashuri në Paradën e Krenarisë

“Duhet t’u them sot të gjithë atyre të rinjve që po na dëgjojnë fshehurazi nga telefoni: Ti nuk je gabim, ti nuk je turp, ti nuk je vetëm. Problemi nuk është ekzistenca jote, problemi është një shoqëri që të ka mësuar të kesh frikë nga vetja. Kjo është arsyeja pse marshimi i krenarisë është ende i nevojshëm”, me këtë fjali u bë hapja e Paradës së Krenarisë në Tiranë, nga Livia Zotrija, aty ku dhjetëra persona queer dhe aleatë dolën në rrugë jo vetëm për të festuar ekzistencën e tyre, por edhe për të kujtuar se dukshmëria vazhdon të mbetet akt rezistence.

Sot në mesditë, Tirana u mbush sërish me flamuj shumëngjyrësh, pankarta dhe thirrje për solidaritet, teksa komuniteti queer dhe aleatët marshuan në Paradën e 13-të të Krenarisë.

Prej orës 12:00, marshuesit u mblodhën te instalacioni “Reja”, përballë Galerisë së Arteve, për të nisur marshimin vjetor që prej më shumë se një dekade vazhdon të mbetet një nga aktet më të dukshme të rezistencës queer në Shqipëri. Për disa ishte festë, për disa revoltë, e për shumë të tjerë ishte thjesht një mënyrë për të thënë publikisht: jemi këtu dhe nuk do të zhdukemi.

E organizuar nga Aleanca LGBT në Tiranë, këtë vit Tirana Pride erdhi me sloganin “Vala kalon. Ne mbetemi. Bashkë.” – një mesazh që nuk fliste vetëm për krenari, por për mbijetesë kolektive në një klimë që vazhdon të prodhojë përjashtim, heshtje dhe lodhje për personat queer.

“Ne si komunitet e dimë më mirë se kushdo se çfarë do të thotë të të dehumanizojnë, të të shtypin sistematikisht, të të poshtërojnë, të të vrasin e të të torturojnë. Kur të shesin për një grusht votash, për interesa personale. Pikërisht sepse i dimë të gjitha këto, sot nuk marshojmë vetëm për veten tonë, por për të gjithë popujt që nuk janë të lirë por po përjetojnë luftë dhe gjenocid. Marshojmë për popullin e Palestinës e të Ukrainës, për një botë pa luftë e pa urrejtje, marshojmë sepse e dimë që asnjë nga ne nuk është i lirë derisa të gjithë të jemi të lirë”, tha Xheni Karaj, drejtore ekzekutive e Aleancës LGBT në Shqipëri.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe zyrtarë të lartë dhe përfaqësues ndërkombëtarë, që iu bashkuan marshimit me deklarata në mbështetje të komunitetit LGBTQ+.

“Pjesëmarrja në Pride është një shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për një komunitet që kërkon njohje, respekt dhe dinjitet. Askush nuk duhet të ketë frikë nga vetja dhe duhen edhe më shumë përpjekje për garantimin e të drejtave njerëzore dhe barazisë”, u shpreh Albana Koçiu, zëvendës kryeministrja e Shqipërisë.

Silvio Gonzato tha se pjesëmarrja e tij në Pride nuk lidhej vetëm me jetën personale, por edhe me rolin e tij si përfaqësues i Bashkimit Evropian në Shqipëri. Ai tha se slogani i sivjetshëm i IDAHOBIT, “Në zemër të demokracisë”, lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTQ+, duke kundërshtuar zërat që e vënë në pikëpyetje lidhjen mes barazisë dhe demokracisë. Gonzato iu referua edhe deklaratës së Kaja Kallas, duke theksuar se “aty ku vazhdojmë të kemi pabarazi dhe diskriminim, nuk mund të lulëzojë demokracia” dhe se “barazia nuk është opsionale, por është themeli i shoqërive të lira”.

Qendra e Tiranës u mbush me aktivistë të hershëm, të rinj queer, aleatë, familjarë, çifte e miq që marshuan krah njëri-tjetrit mes muzikës, brohoritjeve, fishkëllimave dhe pankartave me mesazhe kundër diskriminimit. Mes tyre lexoheshin mesazhe për dashurinë, sigurinë dhe të drejtën për jetë me dinjitet.

Për shumë pjesëmarrës, dalja në rrugë nuk ishte vetëm simbolike, por mënyrë për të treguar se ekzistenca queer nuk mund të reduktohet në heshtje.

“Shqiptarët para se të kolonizoheshin e të harronin pjesë të identitetit të tyre kanë pasur një histori shumë të gjerë dhe më të ndërlikuar me gjininë, trupin dhe lirinë. Atëherë kuptohej se identitetet njerëzore kanë qenë gjithmonë më të shumta se kutitë ku sot përpiqen të na fusin. Unë nuk jam as devijim, as abnormalitet as e kolonizuar mendërisht, unë jam fiks personi që paraardhësit e mi kanë luftuar për ta mbrojtur, një trup e shpirt i lirë, një njeri që nuk pranon të zvogëlohet për t’u bërë i pranueshëm. Unë jam pasardhëse e ilirëve, jam lezbike pa gjini, jam energji safike dhe nuk ka rëndësi çfarë përemri përdor, asnjë dhe të gjithë më përkasin njëkohësisht”, tha Edlira Meshau, aktiviste queer nga diaspora.

Marshimi i sivjetshëm u zhvillua në një moment kur të drejtat e komunitetit queer në Shqipëri vazhdojnë të mbeten të brishta, ndërsa gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi ndaj personave LGBTQ+ po bëhen gjithnjë e më të normalizuara në hapësirën publike.

“Sot, nuk po marshojmë vetëm për krenarinë, po marshojmë për mbijetesë. Po marshojmë në një kohë kur politika shqiptare vazhdon të flasë për ne pa marrë përgjegjësi për jetët tona. Në televizione, në parlament e në rrjete sociale, personat LGBTI përdoren si temë për panik moral dhe ndërkohë që urrejtja bën zhurmë, institucionet zgjedhin heshtjen. Por kjo heshtje ka pasoja konkrete në jetët tona”, tha Livia Zotrija nga Aleanca LGBTI në hapjen e paradës.

Kurse aktivistja Edlira Mara, kritikoi rritjen e retorikës anti-gjinore dhe sulmet ndaj komunitetit queer në Shqipëri, duke përmendur projektligje dhe deklarata publike që, sipas saj, po kufizojnë lirinë dhe po nxisin diskriminimin. Ajo tha se sulmet ndaj personave LGBTQ+ po paraqiten si “mbrojtje e familjes tradicionale”, ndërsa në realitet janë narrativa politike të importuara. Mara theksoi se familjet shqiptare gjithmonë kanë përfshirë edhe personat queer dhe ngriti shqetësimin për rënien e Shqipërisë në renditjen evropiane për të drejtat LGBT, pavarësisht viteve të punës dhe miratimit të Ligjit kundër Diskriminimit në vitin 2010.

Trembëdhjetë vite pas marshimeve të para, Tirana Pride vazhdon të mbetet një nga momentet më të rëndësishme të dukshmërisë queer në Shqipëri. Dhe këtë vit, më shumë se festë, parada ishte kujtesë se edhe kur valët e urrejtjes rriten, komuniteti queer vazhdon të mbetet aty, bashkë.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top