Tu e lexu qitash
Protestat në Iran nuk kanë të bëjnë vetëm me gratë cis-heteroseksuale

Protestat në Iran nuk kanë të bëjnë vetëm me gratë cis-heteroseksuale

Në kryengritjen historike kundër shtypjes nga qeveria në Iran, iranianët LGBTQ+ po flasin hapur edhe për rëndësinë e këtyre protestave për iranianët queer dhe trans.

Në shtator, Mahsa Amini, një grua kurde 22-vjeçare, u arrestua nga policia e moralit në Tehran, Iran, për shkeljen e ligjit të Iranit që gratë duhet të mbajnë shami në kokë duke mbuluar plotësisht flokët e tyre. Siç kanë theksuar shumë aktivistë, emri i saj ishte Jîna, por si pakicë etnike, ajo u detyrua të përdorte emrin iranian Mahsa, pasi përdorimi i emrave kurdë në dokumentet ligjore është i ndaluar në Iran. Sipas raportimeve, Amini ishte “torturuar dhe fyer” edhe gjatë rrugës për në komisariat. Ajo vdiq më 16 shtator, tre ditë pasi u mor në paraburgim.

Që atëherë, protestat kanë shpërthyer nëpër rrugët e Tehranit, në qytete anembanë globit dhe në internet duke i kundërshtuar ligjin e detyrueshëm të hixhabit në Iran si dhe “dekadat e shtypjes” që gratë dhe njerëzit LGBTQ+ i  kanë përjetuar nën Republikën Islamike të Iranit që nga viti 1979. Shifrat e sakta janë të vështira për t’u përcaktuar, por vlerësohet se të paktën 92 protestues në mbarë vendin janë vrarë në Iran që nga e diela, kryesisht nga forcat e sigurimit të vendit. Kjo përfshin 16-vjeçarin Pedram Azarnoush dhe Hadis Najafi e cila ishte në fillim të të 20-tave.

Amini nuk është e vetmja grua që u dënua me vdekje në Iran në shtator për gjoja kundërshtimin e zakoneve shoqërore. Në fillim të shtatorit, 31-vjeçarja Zahra Sedighi-Hamedani dhe 24-vjeçarja Elham Chubdar, të dyja pjesë të komunitetit LGBTQ+, u dënuan me vdekje për “trafikim njerëzor” dhe “korrupsion ndaj mirëqenies sociale dhe politike”. Nuk ka asnjë provë për të mbështetur pretendimin se ato ishin bashkëpunëtore në “trafikim të qenieve njerëzore”. Përkundrazi, grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë thënë se ka të ngjarë që persekutimi i tyre të rrjedhë nga aktivizmi dhe identitetet e tyre LGBTQ+.

Ndërkohë që mediat perëndimore e kanë shfaqur kryesisht kryengritjen vetëm si çështje e grave, iranianët LGBTQ+ janë përballur prej kohësh me shtypje të ashpër. Marrëdhëniet e të njëjtit seks mund të dënohen me vdekje në Iran. Në fakt, dy burra gej u ekzekutuan për “sodomi” në Iran në fillim të këtij viti. Aktivistët gjithashtu kanë folur edhe kundër fenomenit të “vrasjeve për nder”, ku iranianët LGBTQ+ vriten nga anëtarët e familjes së tyre. Megjithatë, pavarësisht nga pasojat vdekjeprurëse të daljes hapur në Iran, komuniteti LGBTQ+ i vendit mbetet në vijën e parë të protestës. Raha, një avokat iranian i të drejtave të LGBTQ+, i cili ka folur për Them tregon se ka punuar me një grup joformal aktivistësh LGBTQ+ brenda Iranit dhe se megjithëse komuniteti në vendin e tyre mund të mos jetë në gjendje për t’u mbledhur publikisht, personat queer kanë luajtur gjithmonë një rol në lëvizjet e ndryshme shoqërore të Iranit. Kjo përfshin protestat e fundit për të drejtat e punëtorëve, grevat e mësuesve dhe, sipas fjalëve të Rahas, “luftën kundër aparteidit seksual”.

“Komuniteti queer i Iranit ka qenë aktiv në vijën e parë të protestave të fundit si përmes avokimit në internet ashtu edhe qëndrimit fizik në rrugët e Iranit,” tha Raha. “Komuniteti LGBTQ+ ka qenë prej kohësh një nga më të dëmtuarit nga Republika Islamike e Iranit dhe ligjet e saj të dhunshme, diskriminuese, nga ekzekutimi për marrëdhënie joheteroseksuale deri tek promovimi dhe legjitimimi i dhunës dhe diskriminimit kundër të gjithë personave queer.” – shtoj Raha.

Kqyre edhe qito

Një llogari në Twitter postoi gjithashtu pamje të një gruaje duke udhëhequr një tubim në Iran, duke qëndruar mbi një turmë të mbështjellë me një flamur ylberi ndërsa prente flokët e saj. Përdoruesi i kësaj llogarie më vonë shtoi se gruaja që udhëhoqi tubimin ishte Hadis Najafi dhe u vra vetëm disa ditë më vonë.

Raha pohoi gjithashtu se protestat në emër të Aminit dhe kundër “hixhabit të detyrueshëm” janë të shumanshme dhe nuk kanë të bëjë vetëm me gratë cis, por gjithashtu prek edhe gratë trans, burrat trans dhe “mbi të gjitha njerëzit jobinarë”. Raha madje deklaroi se është një çështje që prek edhe burrat cis homoseksualë dhe biseksualë, pasi “të gjithë njerëzit queer duhet t’i nënshtrohen diskriminimeve të shumëfishta në lidhje me shprehjen e tyre gjinore”.

Lajmi është publikuar nga Glamour dhe është përkthyer në shqip nga Dylberizm.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top