Tu e lexu qitash
Lufta me botën përmes poezisë dhe gazetarisë: Arbër Selmani rreth pranimit të identitetit të tij

Lufta me botën përmes poezisë dhe gazetarisë: Arbër Selmani rreth pranimit të identitetit të tij

Paralajmërim: Ky artikull diskuton etiketimin, bullizmin, ka përmbajtje të gjuhës fyese dhe përdor terminologji specifike brenda një kuadri kontekstual. Ne e kuptojmë se këto terma mund të jenë nxitëse ose shqetësuese për disa lexues. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se qëllimi i përfshirjes së këtyre termave origjinal është të ekzaminohet ndikimi i tyre, konteksti historik ose implikimet shoqërore brenda një konteksti specifik.

Poetët dhe gazetarët queer kanë pasë rol jetik në sfidimin e normave shoqërore, duke mbrojtë të drejtat e njeriut, LGBTQ+ dhe duke i dhënë fuqi zërave të margjinalizuar përgjatë historisë. Veprat dhe punët e tyre shpesh kanë shërbyer si mjete të fuqishme për vetë-shprehje, edukim dhe aktivizëm duke kontribuar në shërimin e plagëve emocionale të tyre dhe të shumë personave të tjerë, plagë këto të shkaktuara nga normat heteronormative. Nga klasikët si Audre Lorde e deri tek bashkëkohorët si Ocean Vuong, shkrimtarët queer vazhdojnë të formësojnë ligjërimin dhe të sfidojnë status-quo-në në kohë e vende të ndryshme. Në skenën letrare të Kosovës, Arbër Selmani qëndron si një nga figurat që vazhdon t’i japë zë padrejtësive dhe ndjenjës së përkatësisë për shumë njerëz. Si një poet dhe gazetar, rrugëtimi i Arbërit e pasqyron historinë e trazuar të vetë Kosovës dhe kosovarëve queer. 

I lindur në mes të turbulencave të konfliktit, vitet e formësimit të Arbërit u shënuan me trazira. “E kom kuptu që jom ma ndryshe rreth moshës 7 ose 8 vjeçare, ndoshta menjëherë mas luftës”, reflektoi ai. “Gjysëm vjetorin e parë të klasës t’parë e kom majt para luftës, e gjysëm vjetorin e dytë mas luftës. Është tepër e çuditshme se si jena hi në shkollë, gjithçka u ndërpre, por fatmirësisht jemi konë krejt klasa, nuk është që e kanë vra dikon.” 

Reflektimi i tij u thellua ndërsa ai kujtonte se si u ndesh identiteti i tij me një shoqëri që po përballej me transformimin e saj. “Mas luftës në moshën 7 vjeçare unë e kom ditë, jom kanë i vetëdijshëm që jom ma ndryshe, po nuk e kom ditë saktësisht pse jom ma ndyshe”, tregon Arbëri. Ai e përshkruan vetën si një djalë që i pëlqenin gjëra të ndryshme, hiperaktiv dhe me botë të madhe. Rreth klasës së tretë ose katërt, kur ishte në moshën 10-11 vjeçare, kishte filluar të kuptojë se kishte pëlqim për diçka tjetër në krahasim më shokët e klasës. Ai e kuptoi se e kishte një lloj pëlqimi të vogël për djemtë e mahallës, veçanërisht dy prej tyre, me njërin prej të cilëve e vazhdon shoqërinë edhe sot. “Kemi kalu shumë kohë bashkë, por kurgjo nuk ka ndodhë. Mundem me garantu se në një moment, e kom pa atë person me sy të ndryshëm edhe e kom kuptu se kom tërheqje ndaj burrave” – shtoi ai.

Duke e konsideruar se kërkimi i tij për ta kuptuar veten veç sa kishte filluar, Arbëri u ballafaqua me ndërlikimet e emocioneve të tij dhe pritshmërive shoqërore. “Nuk kom ditë qysh me artikulu atëherë, por e kom ditë që nuk m’pëlqen, masi kom nejt shumë gjithmonë me çika, e kom ditë që s’kom shumë parapëlqim fizik për fizikun e nji gruaje” pranoi ai.

Arbëri vazhdoi të na zbuloj më shumë rreth zgjimit të tij seksual në moshën 14-vjeçare, ku ofron një vështrim të sinqertë në kompleksitetin e eksplorimit të adoleshentëve. “Përvoja e parë seksuale tjetër në atë kohë nuk u kanë një çështje e përpunuar,” tha ai. “U kanë mjaft e thjeshtë, vetëm disa takime, prekje e ledhatime edhe nuk kemi vazhdu ma. Amo në qat’ moshë, pra me 14 vjeç e kom pasë herën e parë edhe prej qaty e kom ditë që m’pëlqejnë edhe burrat. Pranimi ka ardhë tepër ma vonë.”

Rrugëtimi i vetë-pranimit të Arbërit është i ndërthurur me natyrën e tij shprehëse, e dukshme që në vitet e hershme. “Kom qenë gjithmonë ekspresiv”, reflekto ai. Arbëri prej i vogël kishte fillu m’u zhytë në fjalë e fjali. Gjatë bisedës me të ai na tregoi se para se të fillonte shkollën ia kishte mësuar vetës alfabetin, kishte filluar të shkruante poezi dhe të mbante shënime në një ditar të cilin e përdori për 12 vite. Në hyrjen e këtij ditari ai kishte shkruar “Unë jom ____” duke lënë hapësirë boshe, për të nënkuptuar udhëtimin e tij të vazhdueshëm. Ai donte t’ia komunikonte vetës se përgjigjen e kësaj hapësire boshe mund ta gjente në faqen 50 të ditarit, ku e kishte shkruar përgjigjen rreth identitetit të tij seksual, derisa shtoi se vetëm disa prej mendimeve të tij i shkruante aty “Do mendime, jo shumë mendime. Do mendime se përndryshe jom tutë se ditari u kanë sen që nuk u kanë qaq intim në kohë tem, ani pse unë e kom mshelë, po shumë herë t’shpisë mi kanë gjetë do sene kshtu që gjithmonë e kom ditë që duhna me u rujtë prej njerëzve.”

Ndërsa Arbëri kujton ditët e tij të shkollës, ai na tregoi edhe realitetin e ashpër me të cilin u përballë. Që nga klasa e shtatë, thirrjet poshtëruese ndaj tij dominonin korridoret e shkollës. “Fjala p*der përndryshe u kanë fjala që m’ka shoqnu si me thanë nja 10 vjet të jetës tem në baza ditore” rrëfen ai duke kujtuar se edhe oborri i shkollës u shndërrua në një fushëbetejë talljesh dhe ngacmimesh, duke e lënë atë të luftonte me një ndjenjë që e përshkonte ekzistencën e tij.

Me kalimin e kohës, rrugët e zhurmshme të lagjes Bregu i Diellit në Prishtinë, ku dikur për të jehonte e qeshura, Arbëri filloi te ndjente peshën e gjykimit të shoqërisë që rëndonte mbi të. “Në mahallën tonë të vogël atje nalt – ata ishin të tmerrshëm, mahalla e zezë,”. Megjithatë, mes errësirës, Arbëri gjeti ngushëllim në ngrohtësinë e lagjes së tij poshtë Bregut, ku pranimi fillimisht gjeti një bazë. “Këtu poshtë, mahalla jeme u konë ma e relaksume”

Pavarësisht vështirësive që hasi, Arbëri gjeti aleatë tek shoqëria e tij me shoqet e klasës. “Çikat e klasës tem në shkollë fillore jonë kanë tepër mbështetëse. S’ja u ka ni, anipse unë kurrë, nuk kom dalë hapur te ato, nuk ja u ka ni” kujton ai, me një buzëqeshje mirënjohëse. “Ato thjeshtë m’kanë rujtë prej djemve se djemt jonë kanë si zakonisht ma bullizues”. Me kalimin e viteve, rrugëtimi i Arbërit e çon atë në një rrugë të vetë-zbulimit. “U bona pak më femëror në gjeste, duke u shoqëruar me to”, reflekton ai, duke kujtuar evolucionin e identitetit të tij.

Në vitet që pasuan, Arbëri vazhdoi të përballet me kompleksitetin e identitetit të tij, duke kërkuar ngushëllim në takime të fshehta në mjedise të ndryshme. “E kom bo në të zezën për disa vjet, po menoj është dashtë me gjetë najfar ambienti, naj shpi, ose kur jom kanë vet ose naj bunker ose qësi tripa. Qaty ku është tash Defy them-i se qaty jom rritë, pra qësifar sene”

Duke reflektuar mbi ndikimin e bullizmit të pamëshirshëm që duroi, Arbëri pranon se nuk kishin ndonjë ndikim të madh. “Nuk është se kom ndonjë traumë të madhe,” shpjegon ai, “por fjala “p*der” përdorej shumë më shpesh në atë kohë.” Megjithatë, mes dhimbjes, Arbëri gjen qëndrueshmëri në arritjet e tij dhe mbështetjen që mori nga disa nga bashkëmoshatarët e tij. “Unë isha kryetar i klasës, shkëlqeva akademikisht”, dhe shtoi se “kjo e pakësoi disi ngacmimin me të cilin u përballa.”

“Natyrshëm jom tërheq prej njerëzve që ishin të sjellshëm me mu,” tregoi ai. “Konkretisht, djali që më pëlqente në klasën teme ishte dikush që nuk më ngacmonte kurrë. Ai ma ktheu dashurinë teme me mirësi, pa më shkaktuar asnjë dëm”.

Arbëri vazhdoi të reflektoi mbi ndikimin e etiketimeve nënçmuese si “p*der” që hasi nga të tjerët, duke njohur efektin e qëndrueshëm që pati në vetëperceptimin e tij. “Kur njerëzit më thirrshin ‘p*der’, sigurisht që nuk më vinte mirë. Por ndonjëherë, mendoj se ata indirekt po përpiqeshin të identifikonin se kush isha unë,” mendon ai. “Sepse në atë kohë, të qenit homoseksual shpesh barazohej me të etiketuarin si “p*der”, jo thjesht “gej”. Ky term ka ardhë ma vonë ktu. Pra, nuk po them se ishte i drejtë, por ndoshta në mënyrë të pandërgjegjshme, tash që e analizoj, ishte mënyra e tyre për ta aluduar e konfirmuar  identitetin tim.” 

Ai e pranon kompleksitetin e vetëpranimit, duke treguar se erdhi pas dy dekadash lufte me identitetin e tij. “Pranimi i vetes nuk erdhi deri sa isha 20 vjeç. Në atë kohë, kur isha 18, 19, 20 vjeç, dilsha me një vajzë,” tregoi ai. “Edhe pse isha pajtu me veten, brezi jem është i ndryshëm nga të mëparshmit. Një 20 vjeçar tash nuk është njësoj si një 20 vjeçar i dhjetë viteve ma herët kur isha në atë moshë. Por në moshën 18, 19, dhe 20 vjeç kom përjetu disa kriza identiteti. Ende nuk kisha kriju një rreth të miqve dhe nuk e ndjeja se ishte në rregull të isha kush jam. Në atë moment mendova se ishte në rregull të mohoja veten, të mohoja diçka. Thjesht nuk ndihesha mirë. I thoja vetes, ‘Arbër, kthehu të jesh si gjithë të tjerët’. Edhe pse në atë kohë punoja në televizion, isha i punësuar në Klan Kosova”. 

Pavarësisht prezencës së tij publike, Arbëri e pa të vështirë të lundronte në marrëdhëniet personale ndërsa punonte në industrinë e medias. “Derisa punojsha në Klan Kosova asnjëherë nuk u nijsha rehat me dal në takime me njerëz sepse dilsha në televizion dy herë n’ditë, për një vit fytyra ime ishte në TV çdo ditë, njerëzit më njihshin, i njihshin butiqet që i frekuentoja. Psh, kur shkojsha në pazar…”, kujton ai. “U bë pak dërrmuese edhe gjatë asaj kohe, unë dilsha me një vajzë”.

Arbëri beson se pranimi i tij erdhi gradualisht pasi gjeti shokë që ndanin mendime dhe përvoja të ngjashme. Ai përmend disa emra të cilët me xhelozi i mbanë për veti, emra të cilët e ndihmuan Arbërin drejt këtij rrugëtimi. Ai e pranon rëndësinë e gjetjes së individëve me mendësi të njëjtë për mbështetje dhe mirëkuptim. “Kur të jesh 20 vjeç, duhet të gjesh njerëz si ti, njerëz që mendojnë si ti”, pohon ai. “Duhet të gjesh, Arbërin dhe të tjerët, njerëz si ty. Ti shoqërohesh me dikë si ti sepse ata e kuptojnë çfarë don.” – tha Arbëri derisa shtoi se kjo periudhë e kishte ndihmuar edhe ta gjente një person me të cilin kishte qenë në lidhje për një vit.

Arbëri vëren një ndryshim të rëndësishëm në mentalitetin e tij pas asaj periudhe, duke u ndjerë i sigurt në vetëpranimin e tij. “Që nga ai moment, që kur isha rreth 20-22 vjeç, nuk kom pasë asnjë dyshim për vetëpranimin tim. E kom pranu veten shumë kohë më parë”, shprehet ai. Në vitin 2014 kishte frekuentuar disa kafe te kafet e rakisë dhe Tingel Tangle të cilat ishin queer-friendly me standardet e asaj kohe. “Në shumicën e rasteve ishim në stres që jemi dy burra në tavolinë. Ndoshta pse na e dishim çka po ndodhë” duke shtuar se edhe Zanzi dhe Shualla Bar, vendi ku ka kishte ndeja queer dhe mobilizime të komunitetit, afër sheshit Zahir Pajaziti, ishin vende të sigurta. “Për komunikim e kemi përdorë PlanetRomeo edhe Facebook-un.” – përfundoi ai.

Sa i përket aktivizmit të tij për të drejtat LGBTQ+, ai na tregoi se nuk ka qenë asnjëherë i përfshirë në organizata jo-qeveritare dhe se ndihmën e tij për avancimin e të drejtave queer e kishte bërë përmes gazetarisë. Ai kishte punuar për tre vite si gazetar i kulturës dhe më pas kishte kaluar në mbulimin e çështjeve sociale. “Këtu fillova me shkru ma shumë për çështje queer. Gazetarët nuk mbulonin tema të tilla, e as tash besa. Tash e kemi Dylberizmin, mirëpo atëherë as këto nuk e kemi pasë.” – tha ai. Në vitin 2013 e kishte fituar një çmim gazetaresk rreth të drejtave queer, shkrim i cili ishte publikuar në ballinë  të gazetës Zëri. “Në ballinë shkrujke: Kosova pranon paradë homoseksualësh. Edhe u pata kërcënu shumë se gazeta u pat shitë. U patën çu peshë krejt pse po del ky me këtë tekst. Kishin pyetje si, pse ky qesi tema, pse ky në ballinë? Po ata dojshin vet me dalë në ballinë, jo pse u tutshin për mu. E pata intervistu edhe Hashim Thaçin, edhe këtu më dul titulli, se unë e pyeta, a pranoni me mbajtë paradë edhe ai për poena politike tha ‘Po na pranojmë me pasë paradë homoseksualësh” dhe shtoi se reagimet kanë qenë të pritshme meqenëse gazetarinë gjithmonë e ka pasë si mjet për tëndikuar në opinionin publik. 

Librin e parë me poezi e kishte botuar në vitin 2005, më pas në vitin 2019 e kishte botuar pjesën e parë të librit “Kosova në 14 tregime kulturore”, në vitin 2021 pjesën e dytë të këtij libri dhe në vitin 2022 librin e dytë me poezi. “Gjithmonë kom shkru poezi, ama poezi queer kom fillu më vonë me shkrujtë, rreth moshës 19-20 vjeçare, gjatë vetë-mohimit. Edhe sot nuk e boj me qëllim me konë queer, unë shkruaj për familjen e një prej motiveve është burri. Një prej mënyrave që unë e qes inatin që e kom me botën është përmes poezive” – tregonte me një ton dhembshurie me që ende ndjen keqardhje që nuk ka dalë hapur tek babai i tij derisa ishte gjallë, mirëpo ngushëllimin e gjen tek dalja hapur tek vendi ku prehet trupi i tij. 

Bisedën e përfunduam me një reflektim rreth lëvizjes sot dhe se si e sheh ai atë “Jonë disa sene që po ndodhin për herë të parë. Po nuk ish dashtë kërkush me pasë etjen me e marr bajraktarin. ‘Unë e kom zbulu’. Çka ke zbulu ti? Jemi në shekullin 21, përveç nëse shpikë diçka teknologjike. Sot në disa qarqe të Prishtinës mundesh me shku edhe m’u puthë me burrë. Edhe nëse nuk jonë lokali, njerëzit përreth jonë [të hapur]. Gjeneratat e reja e kanë rrugën e shtruar prej Igballe Rogovës, Qerkicës e të tjerëve” ndërsa theksoi se “ E kemi Bubble, Dit’ e Nat’, Soma, Servis, Farë. Mu m’pëlqejnë qeto aleanca që janë kriju mes lokaleve edhe mundesh me konë shlirë.” Arbëri poashtu i këshillon të rinjtë queer që të mundohen ti gjejnë hapësirat e tyre të sigurta. “Gjithqysh nëse i ki 18-19 vjet, gjej personat si ti. Qasu njerëzve se ka shumë njerëz që munden me të ndihmu me pranu vetën. Procesi i pranimit nuk është vetëm me vetën po edhe me tjerët. Kisha dasht’ dikush me ma thonë mu qeto para dhjetë viteve.”- përfundoi ai.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top