Tu e lexu qitash
Harta e Ylberit nga raporti i ILGA mbi të drejtat e dylberave në Evropë nuk është edhe aq shumëngjyrëshe

Harta e Ylberit nga raporti i ILGA mbi të drejtat e dylberave në Evropë nuk është edhe aq shumëngjyrëshe

Raporti i ri i ILGA Europe,  organizata ndërkombëtare ombrellë LGBTI më e madhja në Evropë, ka ngritur alarm për gjendjen e të drejtave të personave LGBTI në Evropë, duke shfaqur një trend mjaft shqetësues të regresit në disa shtete. Kosova ka arritur një rezultat prej 34.82%, duke u pozicionuar në mesin e vendeve me zhvillim të pjesshëm të të drejtave ligjore dhe politike për personat LGBTI+. Megjithëse është përpara Maqedonisë së Veriut (29.26%) dhe pak pas Shqipërisë (35.45%) dhe Serbisë (35.26%), Kosova vazhdon të mbetet larg standardeve të vendeve si Malta, Belgjika apo Islanda që kryesojnë renditjen me politika gjithëpërfshirëse për dylbera.

Harta e Ylberit 2025 i rendit 49 vendet evropiane sipas politikave dhe legjislacioneve për dylbera. Gjetjet tregojnë se, edhe pse në disa vende ka pasur përparim të dukshëm, në shumë vende tjera ka pasur regres serioz mbi të drejtat themelore të njeriut.

Sipas raportit, Kosova bashkë me vendet tjera të rajonit shfaqin të dhëna mjaft shqetësuese karshi të drejtave LGBTI.

Asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk njeh martesat apo partneritetet e të njëjtit seks, me përjashtim të Malit të Zi, që ka një formë të kufizuar njohjeje të partneriteteve.

Prindërimi për personat trans mbetet i paadresuar në të gjitha vendet.

Vetëm disa vende kanë procedura për ndryshimin ligjor të gjinisë, por asnjë nga to nuk e bazon këtë në vetë-determinim, një standard ky ndërkombëtar për të drejtat e personave trans.

Në fushën e mbrojtjes nga diskriminimi, të gjashtë vendet (Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina) kanë legjislacion që përfshin orientimin seksual dhe identitetin gjinor, por jo gjithmonë zbatohet efektivisht.

Vetëm Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e njohin orientimin seksual dhe identitetin gjinor si kriter për të kërkuar azil – ndërsa Bosnja dhe Hercegovina nuk e përfshin fare këtë mbrojtje në legjislacionin e saj.

Kurse Mbretëria e Bashkuar ka rënë me gjashtë vende në renditje, bashkë me Hungarinë dhe Gjeorgjinë që kanë shënuar gjithashtu rënie të thella për shkak të miratimit të ligjeve anti-LGBTI. ILGA paralajmëron se këto nuk janë raste të izoluara, por pjesë e nji sulmi të koordinuar ndërkombëtar kundër të drejtave LGBTI.

“Veprimet në Mbretëri të Bashkuar, Hungari, Gjeorgji e më tej nuk janë raste regresi të izoluara, por pjesë e një sulmi të koordinuar global që synon fshirjen e të drejtave LGBTI — të paraqitura në mënyrë cinike si mbrojtje e traditës apo e stabilitetit publik, por në thelb të dizajnuara për të forcuar diskriminimin dhe për të shtypur mendimin ndryshe.” tha Katrin Hugendubel, drejtore e avokimit në ILGA, në deklaratën për shtyp.

Ndër të tjera, gjetjet e Hartës së Ylberit paraqesin edhe vendet e sigurta në Evropë, ku Malta mbetet në krye të kësaj listë për të dhjetin vit radhazi, si me ligje ashtu edhe me politika gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e personave LGBTI.

Pas Maltës, vendin e dytë zë Belgjika e cila ka shënuar rritje për dy vende, kjo pasi miratoi politika kundër urrejtjes me bazë të orientimit seksual, identiteti gjinor dhe karakteristikave gjinore. Islanda radhitet e treta.

Vendet që ndodhen në fund të listës janë Rusia, Azerbajxhani dhe Turqia.

Brenda vendeve anëtare të BE-së, Rumania ka renditjen më të ulët me 19%, e ndjekur nga Polonia dhe Bullgaria, të dyja me 21%.

Raporti ka gjetur njashtu se vetëm në 10 vende është e ndaluar praktika e “konvertimit”, 6 vende nuk ofrojnë asnjë mbrojtje nga diskriminimi për personat LGBTI, vetëm 9 vende, përfshirë Spanjën, Islandën dhe Bosnje dhe Hercegovinën, kanë mbulim të plotë ligjor për SOGIESC (orientimi seksual, identiteti gjinor, shprehja gjinore dhe karakteristikat gjinore), martesa për çiftet e të njëjtit seks lejohet vetëm në 22 vende, 18 vende nuk ofrojnë asnjë formë njohjeje ligjore për partneritetet e të njëjtit seks, prindërimi trans është i njohur plotësisht vetëm në 8 vende, vetëm 6 vende – përfshirë Gjermaninë dhe Maltën, nuk lejojnë ndërhyrjet e panevojshme mjekësore mbi fëmijët interseks, 11 vende nuk kanë asnjë procedurë ligjore për njohjen e gjinisë, në Bullgari, Hungari dhe Rusi, njohja ligjore e gjinisë është e pamundur, vetëm 12 vende lejojnë ndryshimin e gjinisë bazuar në vetëvendosje, liria e tubimit dhe organizimit për komunitetet LGBTI është e kufizuar ose e sulmuar në të paktën 14 vende, orientimi seksual dhe identiteti gjinor përbëjnë bazë ligjore për kërkimin e azilit në 27 vende, por vetëm 6 vende mbrojnë personat interseks në legjislacionin për azilin.

ILGA-Europe thekson se beteja për barazinë LGBTI është thellësisht e lidhur me betejën për demokraci, liri të shprehjes dhe autonomi trupore. Raporti tregon qartë se përparimi nuk është i garantuar dhe se komunitetet LGBTI në të gjithë Evropën, përfshirë edhe Ballkanin, duhet të jenë të vëmendshme dhe të bashkuara. 

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top